Në faqen zyrtare të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti mungojnë fotografitë nga takimi me zëvendëskryeministrin për qeverisje të mirë të Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai një nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN.
Takimi ndodhi në kuadër të ngjarjes së organizuar në Shkup nga Qeveria e RMV-së dhe Bashkimi Europian, ku liderët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën për të diskutuar Planin e Rritjes për rajonin.
Megjithatë, në përmbledhjen zyrtare dhe postimet në rrjetet sociale të kryeministrit Kurti, bie në sy mungesa e fotografive nga takimi me Arben Fetain. Kjo ka ngjallur reagime dhe komente në opinionin publik, sidomos duke pasur parasysh afërsinë që Kurti ka shprehur ndaj eksponentëve të VLEN-it, përfshirë vetë Fetain, të cilin shpesh janë cilësuar si “vëlla”.
Ndryshe nga Kurti, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka ndarë në rrjetet sociale fotografi nga takimi me kryeministrin e Kosovës, duke theksuar bashkëpunimin dhe përkushtimin për të avancuar integrimin europian të rajonit.
Mbetet e paqartë nëse mungesa e imazheve nga ana e zyrës së Kurtit është e qëllimshme apo një lëshim protokollar. Por heshtja nga Prishtina dhe veçantia e këtij “harrese” shtojnë spekulimet për ftohje të mundshme të raporteve mes partnerëve politikë në Maqedoninë e Veriut dhe udhëheqjes së Vetëvendosjes në Kosovë.