Lajme
Boban Nikolovski dhe Mustafa Dauti me konferenca të veçanta për kapjen e 500 mijë eurove në Tabanoc. A ka perplasje brenda doganave?!
Kapja e 500 mijë eurove cash në pikën kufitare “Tabanoc” ka hapur jo vetëm çështje për kontrabandën e parave, por edhe për raportet brenda Doganës së Maqedonisë së Veriut.
Në konferencën zyrtare për media të drejtorit të Doganave, Boban Nikolovski, nuk foli zëvendësdrejtori Mustafa Dauti, edhe pse bëhej fjalë për një nga aksionet më të mëdha të realizuara së fundmi nga institucioni.
Pas konferencës, Dauti ka incizuar një deklaratë të veçantë me telefon, të cilën më pas ua ka shpërndarë disa portaleve online, duke dalë praktikisht me komunikim paralel ndaj paraqitjes zyrtare të drejtorit.
Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje për koordinimin dhe raportet në udhëheqësinë e Doganës, ndërsa në opinion po komentohet fakti se dy drejtuesit institucionalë nuk dolën me një qëndrim të përbashkët publik për rastin.
Ndryshe, Dogana e Maqedonisë së Veriut sekuestroi 500 mijë euro cash të fshehura në një bunker të improvizuar brenda një minibusi me targa të Shqipërisë në pikën kufitare “Tabanoc”. Paratë u zbuluan gjatë kontrollit të automjetit që po hynte nga Serbia.
Shtetasi shqiptar me inicialet XH.G., i cili drejtonte automjetin, po ndiqet sipas procedurave ligjore, ndërsa mjeti është konfiskuar.

