Lajme
ASH: Skandal në Spitalin e Tetovës, shkelje e rëndë e meritokracisë dhe dinjitetit të personelit shëndetësor
Aleanca për Shqiptarët, në një konferencë për shtyp, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën e krijuar në Spitalin e Tetovës, duke vlerësuar se ngjarjet e fundit përbëjnë një shkelje serioze të parimeve bazë të drejtësisë, profesionalizmit, transparencës dhe meritokracisë në shëndetësinë publike.
Sipas ASH-së, dhjetëra punonjës shëndetësorë, të cilët për më shumë se një dekadë kanë punuar me kontrata të përkohshme apo në forma vullnetare, janë lënë pa vendime pune të përhershme, pavarësisht premtimeve të përsëritura nga ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Bëhet fjalë për personel me përvojë shumëvjeçare, i cili ka mbajtur barrën kryesore të funksionimit të spitalit edhe në periudhën më kritike të pandemisë. Në vend që ky kontribut, veçanërisht ndaj qytetarëve të Tetovës, të vlerësohet me angazhim të plotë dhe vendim pune, ata janë zëvendësuar në mënyrë të fshehtë dhe të papritur me persona të tjerë.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se ky proces përzgjedhjeje përbën shembull të qartë të politizimit të shëndetësisë dhe të përjashtimit sistematik të profesionistëve në favor të militantizmit partiak. Premtimet publike për rregullimin e statusit të punës së këtij stafi, sipas ASH-së, janë shndërruar në fjalë boshe, ndërsa sot të njëjtët punonjës detyrohen të kërkojnë të drejtën e tyre përmes protestave.
Në konferencë u theksua se para zgjedhjeve, përfaqësues të Qeverisë, ministri i Shëndetësisë, drejtues të spitalit dhe zyrtarë të koalicionit VLEN kanë vizituar institucionin shëndetësor, janë shfaqur publikisht dhe kanë garantuar vendime pune për të gjithë personelin ekzistues. Sipas ASH-së, sot këto premtime janë shkelur dhe përgjegjësia institucionale mungon plotësisht.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kjo situatë nuk mund të trajtohet si çështje teknike apo administrative, por si një skandal i rëndë që cenon drejtpërdrejt dinjitetin e mjekëve, infermierëve dhe gjithë stafit shëndetësor.
ASH i bën thirrje Qeverisë që të reagojë menjëherë dhe të kërkojë llogari nga ministri i Shëndetësisë për këtë proces, duke dhënë përgjigje të qarta para qytetarëve mbi kriteret e përjashtimit të punonjësve me përvojë, identitetin e personave të punësuar në vend të tyre, si dhe nëse do të merren masa për listat e punësimeve që, sipas tyre, kanë ardhur nga zyrat partiake dhe jo nga profesionalizmi.
Në fund, Aleanca për Shqiptarët kërkon veprime konkrete dhe zgjidhje të menjëhershme, duke theksuar se shëndetësia publike nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësi, premtime të pambajtura dhe pazare politike. Sipas ASH-së, dinjiteti i personelit shëndetësor nuk është mjet propagande dhe nuk duhet të fshihet kontributi i tyre, ndërsa Spitali i Tetovës duhet të mbetet mbi çdo interes politik.
