Lajme
Nga 57 në 900 denarë më shumë shtrenjtohet rryma në Maqedoninë e Veriut
Faturat mujore të energjisë elektrike për amvisëritë do të rriten nga 57 deri në rreth 900 denarë, duke filluar nga 1 janari, pas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE) për shtrenjtimin e çmimit të rrymës.
Sipas KRRE-së, rreth 517.000 amvisëri, ose 64 për qind e konsumatorëve, që shpenzojnë energji vetëm në bllokun e parë, do të paguajnë mesatarisht 57 denarë më shumë në muaj. Për rreth 170.000 amvisëri që hyjnë edhe në bllokun e dytë, rritja mujore do të jetë rreth 70 denarë, ndërsa për 14.000 familje që shpenzojnë edhe në bllokun e tretë, fatura rritet për rreth 370 denarë. Amvisëritë me konsum edhe në bllokun e katërt do të përballen me një rritje prej rreth 900 denarësh në muaj.
Rritja e çmimeve sipas blloqeve varion nga 2,45 deri në 3,84 për qind, ndërsa tarifa e lirë shtrenjtohet për 2,50 për qind. Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, deklaroi se rritja është dukshëm më e ulët se kërkesa fillestare e EVN Home, e cila parashikonte shtrenjtim nga 7,6 deri në gati 12 për qind.
Ai shtoi se kompensimi prej 200 denarësh do të mbetet pjesë e faturave, pasi heqja e tij do të sillte rritje edhe më të larta për konsumatorët.
Sipas KRRE-së, vendimi synon të mbrojë qytetarët nga një shok çmimesh, duke ruajtur balancën mes interesave të kompanive energjetike dhe konsumatorëve.(INA)
