Connect with us

Lajme ditore

Latifi: Tarifat e reja doganore të SHBA nuk kanë lidhje me politikë

Published

on

 

Drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Burim Latifi ka reaguar lidhur me debatet e fundit për tarifat e reja doganore të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj disa shteteve, përfshirë Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se këto masa nuk kanë të bëjnë me politikë, por janë rezultat i një qasjeje të re ekonomike bazuar në parimin e reciprocitetit.

Sipas tij, administrata e re amerikane nën udhëheqjen e Presidentit Trump ka vendosur që të trajtojë shtetet në mënyrë të barabartë, duke aplikuar tarifa doganore në bazë të trajtimit që SHBA ka marrë ndër vite nga secili shtet në veçanti. “SHBA deri më tani ka zbatuar tarifa shumë të ulëta, madje pothuajse zero, për një numër të madh shtetesh. Qasja e re është vendosja e reciprocitetit – tarifat doganore që janë vendosur nga SHBA ndaj vendeve të tjera janë në përpjesëtim me ato që ato vende kanë aplikuar më parë ndaj SHBA-së”, ka sqaruar ai.

Për Maqedoninë e Veriut, ai ka sqaruar se tarifat e mëparshme për produktet amerikane kanë qenë rreth 65%, prandaj SHBA ka aplikuar një tarifë reciproke të përgjysmuar, pra rreth 33%. Në të njëjtën kohë, ai ka kritikuar ish-pushtetarët që sot kritikojnë vendosjen e këtyre tarifave, duke i akuzuar se gjatë kohës sa kanë qenë në qeveri nuk kanë marrë asnjë hap për të ulur tarifat e larta doganore ndaj produkteve amerikane.

Ai solli shembullin e Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat kanë pasur tarifa doganore prej vetëm 10% për importet nga SHBA, dhe në përputhje me këtë, SHBA ka vendosur po ashtu 10% tarifa për importet nga këto dy vende.

Continue Reading

Lajme

Qenan Aliu: Blerant Ramadani, një figurë me potencial politik

Published

on

By

Analisti Qenan Aliu ka ndarë përvojën e tij të takimit me Blerant Ramadanin, një djalosh 32-vjeçar nga Saraji, i cili shihet si kandidat potencial për kryetar komune.

Në një takim spontan në Tetovë, Aliu tregon se Ramadani u paraqit me sjellje modeste dhe edukatë të lartë. “Më përshëndeti i pari, dhe kur e pyeta kush është, më tha: Blerant Ramadani nga Saraji”, shkruan Aliu.

Sipas tij, Ramadani la përshtypje si kuadër i fuqishëm dhe me ndjenja të sinqerta ndaj njerëzve. “Unë fola 25 minuta nga gjithsej 30 të ndejes, për të kuptuar se Bleranti dinte të dëgjojë më shumë sesa të flasë”, shprehet Aliu, duke vlerësuar aftësinë e tij për komunikim dhe dëgjim aktiv.

Ai e përshkruan Ramadanin si fotogjenik dhe me karizëm për ekranet televizive, por njëkohësisht si një familjar të përkushtuar, i martuar dhe i lumtur me dy vajzat e tij.

“Shpërfaqi dashuri ndaj prindërve, familjes dhe çdo qytetari të Sarajit pa dallim”, thekson Aliu. Në përfundim të takimit, ai i uroi sukses në synimin e tij për t’u angazhuar në jetën publike, duke shtuar: “Bleranti kaloi testimin tim verbal për detyrën publike që synon. Ndiqeni dhe binduni vetë”.

Continue Reading

Lajme ditore

ASH: Marrëveshja me Dodikun rrezikon orientimin euroatlantik të shtetit – VLEN hesht

Published

on

By

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së nënshkruar mes Fondit Pensional dhe të Sigurimit Invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe Fondit të Republikës Srpska, të udhëhequr nga Milorad Dodik.

Në reagimin e kësaj partie thuhet se ky hap është i papranueshëm, duke pasur parasysh se Dodik është i shpallur fajtor nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës dhe i sanksionuar ndërkombëtarisht për shkelje flagrante të rendit kushtetues dhe mosrespektim të vendimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

“Në një kohë kur e gjithë bota demokratike po e izolon Dodikun, qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan marrëveshje me institucionet e tij, duke i dhënë oksigjen politik një figure të lidhur ngushtë me projektin e ‘Botës Serbe’, krah Putinit dhe kundër NATO-s e BE-së,” thuhet në reagim.

Aleanca për Shqiptarët e quan të papranueshme edhe heshtjen e partnerit shqiptar në qeveri.

“Heshtja e VLEN-it në këtë rast është skandaloze. Është dëshmi se ky koalicion shqiptar në qeveri nuk ka guxim të thotë asnjë fjalë kundër politikave që e tërheqin Maqedoninë e Veriut drejt Beogradit dhe Moskës. Ky nuk është partneritet, por vazalitet i plotë,” thekson ASh.

Sipas partisë opozitare, VLEN ka mashtruar qytetarët me premtime për ndryshim, por tani po mbyll sytë para afrimit të rrezikshëm me Republikën Srpska.

“VLEN u shfaq si faktor i ndryshimit, por sot po hesht përballë një marrëveshjeje që vë në pikëpyetje orientimin euroatlantik të shtetit dhe cenon sigurinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” thuhet në reagim.

Në fund, Aleanca për Shqiptarët kërkon shpjegime të menjëhershme nga qeveria.

“I bëjmë thirrje qeverisë që të ndalojë këtë politikë të rrezikshme dhe të shpjegojë para opinionit publik pse nënshkroi marrëveshje me institucionet e një entiteti që sfidon hapur rendin ndërkombëtar dhe vlerat euroatlantike,” përfundon reagimi.

Continue Reading

Lajme

Ambulancë e re, por e mbyllur: Në Jazhincë nuk ka mjek, banorët udhëtojnë me kilometra për kontrolle

Published

on

By

Banorët e fshatit Jazhincë, me rreth 1,800 banorë dhe mbi 400 shtëpi, vazhdojnë të jetojnë pa mjek. Në qendër të fshatit ndodhet një ambulancë e re, por dyert e saj kanë mbetur të mbyllura, sepse aty nuk është emëruar kurrë një mjek, raporton Portalb.mk.

Si pasojë, banorët detyrohen të udhëtojnë kilometra të tëra për ndihmë mjekësore, më së shpeshti drejt Tetovës, rreth 30 kilometra larg, ose në Vratnicë, vetëm 8 kilometra larg, por ku ambulanca funksionon vetëm deri në orën 14:00.

Situata bëhet edhe më e rëndë gjatë dimrit, kur rrugët shpesh bllokohen nga bora.

“Ambulanca është ndërtuar 34 vjet më parë me kontributin e fshatrave. Sot nuk kemi mjek. Kemi kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë gjithë periudhave, në varësi të partive në pushtet, por nuk kemi hasur në mirëkuptim” , tha një banor.

“Nuk kemi mjek këtu. Nuk ka asgjë, jemi të harruar. Ndonjëherë shkojmë në Vratnicë, ndonjëherë në Tetovë, ku gjejmë mjek e ku nuk gjejmë. Ka mbi 30 vjet që ambulanca është e tillë dhe askush nuk interesohet”, tha një tjetër banor.

“Ne shkojmë në Tetovë, sepse ambulanca nuk funksionon. Ka ambulancë, por nuk punon. Asnjë mjek nuk vjen. Është ndërtuar para më shumë se 20 vitesh dhe qëndron e mbyllur, sepse asnjë mjek nuk ka ardhur”, tha një banor.

I pyetur për mungesën e mjekëve në vendbanimet rurale, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, nuk kishte zgjidhje konkrete. Ai tha se po bëhen analiza për riorganizimin e shërbimeve shëndetësore.

“Në të njëjtën kohë bëjmë analizë funksionale dhe infrastrukturore dhe shumë shpejt do të dalim me një plan gjeneral për Ministrinë e Shëndetësisë, si krijuese e politikave shëndetësore, si për spitalet dhe institucionet shëndetësore, si implementues të këtyre politikave, ku do të dihet se çfarë infrastrukture do të ketë, çfarë shërbimesh do të jepen dhe sa do të jetë koha e dhënies së atyre shërbimeve”, tha Aliu.

Ndryshe, fshati Jazhincë ndodhet rreth 27 kilometra larg Tetovës, aty ka rreth 400 shtëpi ndërsa shumë prej tyre kanë ngelur të boshatisura për shkak të migrimit.

Continue Reading

TOP Lajme