Lajme
“Shqipërinë e gjeta këtu”, fjalimi i fundit i ambasadorit shqiptar në Shkup Denion Meidani në Ditën e Pavarësisë

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka mbajtur fjalimin e tij të fundit në Shkup në këtë detyrë, gjatë pritjes solemne të organizuar për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një fjalim të shoqëruar me emocione, referenca historike dhe mesazhe për bashkimin kombëtar, Meidani bëri të ditur se mandati i tij diplomatik në Maqedoninë e Veriut po shkon drejt përfundimit. Me këtë rast, ai ndau edhe disa nga kujtimet dhe vlerësimet e tij për periudhën e kaluar në Shkup.
Në nisje të fjalës, ambasadori u ndal te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë, duke rikujtuar kontributin e 40 burrave që, në kushte të vështira historike, nënshkruan aktin që shënoi krijimin e shtetit të pavarur shqiptar.
Meidani theksoi se identiteti shqiptar nuk kufizohet vetëm brenda territorit të Shqipërisë, por përfaqësohet nga historia, kultura, gjuha dhe arritjet e shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në mbarë botën.
Gjatë fjalimit, ai solli në vëmendje personalitete të shquara të historisë dhe kulturës kombëtare, mes tyre Skënderbeun, Nënë Terezën, Çajupin, Faik Konicën, Ismail Kadarenë dhe Vaçe Zelën, si dhe emra të njohur të kohëve moderne që kanë kontribuar në promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Një vëmendje të veçantë ambasadori i kushtoi edhe marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke nënvizuar rëndësinë e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe integrimit të përbashkët në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën e Evropës. Suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit. Fqinjësia jonë është një derë që rri hapur. Miqësia jonë është buka që ndajmë kur hyjmë brenda”, u shpreh Meidani.
Projektet dhe arritjet gjatë mandatit në Shkup
Në fjalën e tij, ambasadori bëri edhe një bilanc të punës gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, duke renditur disa prej nismave të realizuara në bashkëpunim me institucionet e të dy vendeve.
Ndër projektet e përmendura ishte zbatimi i sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synimin për të lehtësuar lëvizjen mes dy vendeve.
Ai veçoi gjithashtu shpërndarjen e Abetares së unifikuar në shkollat shqipe, bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe rinisë, bursat dhe kuotat për studentët shqiptarë në universitetet e Shqipërisë, si dhe rinovimin e Shtëpisë-Muze të Alfabetit në Manastir.
Në listën e projekteve të përmendura ishin edhe mbështetja për Bibliotekën “Linkest”, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në aktivitetet e zhvilluara në Tiranë, përfshirë Samitin e Diasporës, si dhe projekti i shkollës në Nerovë.
Meidani shprehu mirënjohjen për institucionet e Maqedonisë së Veriut, kolegët e tij diplomatë dhe të gjithë bashkëpunëtorët që e kanë shoqëruar gjatë mandatit, duke vlerësuar veçanërisht kontaktet me qytetarët dhe bashkatdhetarët.
“Erdha me një listë takimesh. Po iki me një listë miqsh. Urat ndërtohen nga njerëzit, jo nga retorika. Këto ura i ndërtuat ju. Unë pata nderin t’i kaloj bashkë me ju”, deklaroi ambasadori, njofton TS.
“Shqipërinë e gjeta këtu”
Pjesa më prekëse e fjalimit iu kushtua shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ruajtjes së identitetit kombëtar. Meidani tregoi se përvoja e tij në Shkup i kishte dhënë një kuptim tjetër lidhjes me shqiptarët e këtyre trojeve.
“Kur erdha në Shkup, mendoja se po ju sillja Shqipërinë. Në fakt, Shqipërinë e gjeta këtu. E gjeta te fëmijët që ma dhuruan flamurin në vizatimet e tyre. E gjeta në rrugët tuaja, të veshura kuq e zi në çdo festë tonën. E gjeta te mësuesja që e nis çdo mëngjes orën e mësimit në shqip”, u shpreh ai.
Në përfundim, ambasadori iu drejtua shqiptarëve me thirrjen për të ruajtur gjuhën, flamurin dhe unitetin kombëtar. Ai theksoi se brezat e rinj duhet të vazhdojnë trashëgiminë e lënë nga të parët dhe ta çojnë atë më tej.
Fjalimin e tij të fundit si ambasador në Shkup, Meidani e përmbylli me urimet për Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, duke nënvizuar se, pavarësisht përfundimit të mandatit diplomatik, miqësitë dhe lidhjet e krijuara do të mbeten.
09:36
Filipçe e konfirmon: Bytyqi do të jetë nënkryetar i LSDM-së
09:16
Mot me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut
Dje
Valbon Limani dekoron Gostivarin kuq e zi në prag të 28 Nëntorit
Dje
Mbyllet Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen: 338 milion euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut
Të Gjitha Lajmet
Më të Lexuarat
01
Gjysmë miliardë euro të përqendruara te 10 kompani: Cilat janë “perandoritë” e tenderëve të ndërtimit në Maqedoninë e Veriut?
02
Mot me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut
03
Bursat e MASH-it, vetëm 10 për qind për nxënësit shqiptarë!
04
Nga mesnata çmime të reja të dizelit dhe benzinës
05
Nga 817 bursa të ndara, vetëm 80 nxënës shqiptarë!

Lajme
Gjysmë miliardë euro të përqendruara te 10 kompani: Cilat janë “perandoritë” e tenderëve të ndërtimit në Maqedoninë e Veriut?

Lajme
Filipçe e konfirmon: Bytyqi do të jetë nënkryetar i LSDM-së

Lajme
Mot me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut

Lajme
Valbon Limani dekoron Gostivarin kuq e zi në prag të 28 Nëntorit

Lajme
Mbyllet Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen: 338 milion euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut

Lajme
Pas një kohe të gjatë larg vëmendjes publike, Zoran Zaev shfaqet në festën e Ambasadës së Shqipërisë për 28 Nëntorin!

Lajme
Protestë në Shkup kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave





