Connect with us

Lajme

Mësimi i gjuhës gjermane – bileta për dalje nga mjerimi

Published

on

Për shumë njerëz, veçanërisht ata në Ballkanin Perëndimor, njohja e gjuhës gjermane është bileta për në tregun e punës atje, shkruan DW, përcjell PRESSonline.al

Për miliona njerëz anembanë botës, anglishtja është bërë një lloj “lingua franca” e re, pra gjuha që ata përdorin për të komunikuar me njerëz jashtë gjuhës së tyre amtare. Në botën e globalizuar dhe të digjitalizuar të kanaleve të shumta të komunikimit dhe ekonomive të ndërthurura ngushtë globalisht, njohja e gjuhës angleze është e vetëkuptueshme, mbi të gjitha në botën e biznesit dhe tek të rinjtë. Me këtë gjuhë ata mund të komunikojnë në të gjithë botën, pavarësisht se ku janë apo ku janë duke udhëtuar.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP), anglishtja është kudo gjuha e parë e huaj që mësohet në shkolla. Por menjëherë pas saj në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë (B-H), Kroaci apo Serbi dhe vende të tjera të BP, është gjermanishtja ajo që mësojnë shumë njerëz. Këtë konfirmon në një intervistë për DW edhe Benjamin Hexhiq, këshilltar për arsim i ministrit federal në B-H dhe kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Profesorëve të Gjuhës Gjermane IDV.

Duke folur për situatën në Bosnjë-Hercegovinë, ai thotë se “ka pasur përpjekje për të futur gjuhën ruse, turke, arabe e madje edhe kineze, si gjuhë të dytë. Por të gjitha këto ishin projekte të vogla rreth të cilave u mblodhën vetëm pak studentë. Në shumicën e rasteve, anglishtja është gjuha e parë e huaj, ndërsa gjermanishtja e dyta. E për ata që studiojnë të tretën, në disa gjimnaze, atëherë është frëngjishtja.”

Gjuha dhe emigracioni

Ka disa arsye pse të rinjtë mësojnë gjermanishten, thotë Hexhiq, por më e rëndësishmja është ajo ekonomike: “Gjuha gjermane është mbizotëruese në mesin e të rinjve dhe atyre që duan të studiojnë dhe të punojnë diku në një zonë gjermanishtfolëse. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Evropën Juglindore, por edhe për disa vende të tjera, si India apo Afrika Sub-Sahariane. Ata mësojnë shumë gjermanisht atje, sepse është një lloj bilete për të dalë nga mjerimi dhe për një botë më të mirë.”

Statistikat tregojnë se 50,000 deri në 60,000 të rinj largohen vetëm nga B-H çdo vit, shumë prej tyre në Gjermani, Austri apo Zvicër. Kjo është sa një qytet i vogël në B-H çdo vit. Problemet janë serioze, paralajmëron Hexhiq: “Dalja e të rinjve nga Kroacia, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina është shumë e madhe. Na vjen mirë që gjermanishtja po mësohet, por do të donim që mësimi i gjuhës të mos jetë vetëm në një drejtim. Do të donim që ajo të jetë si një shkëmbim kulturash, që ne mund të jetojmë më mirë edhe në Ballkan dhe jo të vijmë në Gjermani për të jetuar më mirë. Do të doja që të rinjtë që vijnë këtu dhe fitojnë kompetenca, dhe më pas të kthehen në vendet e tyre, që të ketë lëvizshmëri dhe shkëmbim kulturor, sepse kështu mund të ndërtojmë një botë më të mirë.”

Lidhjet kulturore

Megjithatë, nuk qëndron gjithmonë vetëm motivi ekonomik pas dëshirës për të mësuar gjermanishten. Në Kroaci, Serbi apo Bosnjë-Hercegovinë, që nga koha e Austro-Hungarisë, ka pasur lidhje të shumta familjare me Gjermaninë apo Austrinë. Kultura gjermane perceptohet si e rëndësishme dhe interesante, e kjo u forcua më tej gjatë luftërave të viteve 1990. Në atë kohë, rreth 800,000 njerëz u larguan vetëm nga B-H, shumica e tyre në vendet gjermanishtfolëse. Shumë prej tyre janë kthyer në vendlindje dhe kanë sjellë me vete edhe gjuhën gjermane, thotë Hexhiq: “Ka shumë lidhje familjare dhe miqësie, njerëzit kanë nevojë të komunikojnë në gjermanisht – nuk janë vetëm arsye ekonomike dhe afariste. “

Të mësuarit e një gjuhe gjithmonë ka të bëjë me njohjen e kulturës që shfaqet në atë gjuhë. Dhe këtu, në shkallë globale, gjuha gjermane është nën presion të madh nga anglishtja, e cila dominon kulturën bashkëkohore – muzikën pop, filmat apo video-lojërat. Dhe nuk duhet të anashkalojmë faktin se ka gjuhë botërore me një numër kaq të madh folësish – si, për shembull, kinezishtja ose spanjishtja – që në krahasim me to, gjuha gjermane është në të vërtetë e vogël. Në të gjitha këto gjuhë, sigurisht që përhapet edhe kultura.

Por në zonën e Ballkanit Perëndimor, gjermanishtja ende perceptohet si një gjuhë e madhe dhe e rëndësishme. “Edhe pse në ditët e sotme është e vështirë të përcaktosh qarqet kulturore dhe të dallosh se nga vjen ndikimi. Por në vendet e Ballkanit Perëndimor, prania e kulturës gjermane apo austriake është e dukshme në jetën e përditshme”, thotë Hexhiq dhe shton: “Është e vështirë të thuash qartë se cilli është shkaku kryesor, por gjermanishtja ka hyrë në B-H si pjesë e kulturës. Është e pamohueshme që vendi është i orientuar drejt Evropës, drejt Perëndimit dhe drejt zonës gjermanishtfolëse. Kjo është e qartë edhe në media, duket nga mënyra e veshjes, zinxhirët e blerjeve… Ky ndikim është i madh.”

Autenticiteti i gjuhës

Deri në vitet 1980, në zonën e Ballkanit Perëndimor, por edhe gjetkë në botë, metoda e përkthimit gramatikor të mësimit të gjuhës ishte mbizotëruese: rregullat gramatikore dhe leksiku mësoheshin përmendësh, praktika konsistonte kryesisht në praktikimin e përkthimit. Megjithëse bënte të mundur leximin dhe shkrimin në një gjuhë të huaj, përdorimi aktiv i saj shpesh ishte shumë i kufizuar.

Kjo ka ndryshuar ndërkohë, shpjegon Hexhiq: “Sot, mësuesit përdorin media të ndryshme audio-vizuale dhe një qasje induktive. Ata flasin me nxënësit, duke u përpjekur t’i afrojnë ata me origjinalitetin e gjuhës. Është e vështirë të zotërosh gjuhën nëse nuk ke kontakt, nëse nuk e flet ate. Mediat janë shumë të rëndësishme. Kemi gjithnjë e më shumë studentë që mësojnë gjermanisht duke parë seriale ose duke dëgjuar muzikë. Mësimi fokusohet në bisedën me studentët në gjermanisht.”

Programi i mësimit të gjuhës së DW i ndihmon mësuesit në këtë. Kjo, thekson Hexhiq, është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për gjuhët e vogla: “Është shumë e dobishme që DW, në pjesën që merret me mësimin e gjuhës, të ketë përmbajtje edhe në gjuhën boshnjake. Kjo është shumë e rëndësishme për një gjuhë kaq të vogël.”

Përveç kësaj, thotë Hexhiq, programi i leximit të ngadaltë është shumë i suksesshëm. “Në disa vende, nuk përdoret vetëm për të mësuar gjuhën, por edhe për të praktikuar përkthimin simultan. Këto përmbajtje janë shumë të mirëseardhura për ata që duan të mësojnë gjuhën,” thekson Benjamin Hexhiq, kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare të Profesorëve të Gjuhës Gjermane IDV.

Continue Reading

Lajme

Taravari viziton pacientët nga tragjedia e Koçanit në spitalin “Çam dhe Sakura” në Stamboll

Published

on

By

Ministri i Shëndetësisë njëkohësisht kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i shoqëruar nga përfaqësues të Konsullatës së Maqedonisë së Veriut në Stamboll, vizitoi sot spitalin “Çam ve Sakura” në Stamboll, ku po trajtohen dy nga të rinjtë e plagosur në tragjedinë e rëndë të ndodhur në Koçan.

Në këtë spital ishin të shtruar fillimisht gjashtë pacientë, prej të cilëve katër janë liruar tashmë pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore dhe janë kthyer në shtëpi. Dy pacientët e mbetur, Martini dhe Borisi, ndodhen në gjendje stabile dhe po vazhdojnë rikuperimin e tyre.

Gjatë vizitës, Taravari u takua edhe me prindërit e pacientëve, duke u shprehur mbështetje dhe solidaritet në këto momente të vështira. Ai shprehu mirënjohje të veçantë ndaj doktorit Mustafa Turan dhe konsullit të Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Idriz Fazlioski, për kujdesin dhe përkushtimin e treguar. “Dhimbjen e freskët të Koçanit e lehtësojnë disi Martini dhe Borisi, të cilët janë më mirë dhe së shpejti i presim në shtëpi. Faleminderit e dashur Turqi për gjithë kujdesin dhe mikpritjen,” theksoi Taravari.

Vizita e sotme shënoi një akt të rëndësishëm të përkujdesjes dhe solidaritetit institucional ndaj të prekurve nga kjo ngjarje tragjike.

Continue Reading

Lajme

Mbi 70 për qind e qytetarëve me mendim pozitiv për menaxhimin e tragjedisë së Koçanit nga ministri Taravari

Published

on

By

Qytetarët kanë vlerësuar punën e ministrit të Shëndetësisë Arben Taravari, për menaxhimin e tragjedisë së Koçanit me notë pozitive. Institucionet kompetente u treguan efektive në trajtimin e pasojave të tragjedisë në Koçan. Përqindja e qytetarëve në këtë anketë që besojnë se autoritetet shëndetësore iu përgjigjën me sukses numrit të madh të të lënduarve nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan më 16 mars, është veçanërisht e lartë.

 

Këto janë pjesë nga rezultatet e anketës së opinionit publik të realizuar nga agjencia Market Vision për MKD. Dy të tretat e të anketuarve besojnë se institucionet kompetente në mënyrë efektive u përballën me pasojat e tragjedisë në Koçan. 35.3 për qind e të anketuarve thonë se përgjigja e institucioneve kompetente ndaj kësaj tragjedie ka qenë joefektive.

Më shumë se 70 për qind e të anketuarve besojnë se autoritetet shëndetësore kanë trajtuar efektivisht numrin e madh të të lënduarve nga zjarri në Koçan. Përqindja e qytetarëve të pakënaqur me autoritetet shëndetësore është 21.8%.

Anketa u realizua nga 20 mars deri më 17 prill duke përdorur metodën CATI – anketë telefonike me kompjuter në një kampion prej 1200 të anketuarve (gabim statistikor: 3%; intervali i besueshmërisë: 95%). Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë sipas: rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike sipas të dhënave për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021.

Continue Reading

Lajme

Valbon Limani përfaqëson Gostivarin në Unionin e Bashkive nga Bota ku jeton komuniteti Turk në Stamboll

Published

on

By

 

Stambolli, një nga kryeqendrat botërore, ka mbledhur sërish të gjitha bashkitë nga mbarë bota ku jeton komuniteti turk. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me kryetarin e Këshillit të Komunës, Namik Durmishi, ishin pjesë e kësaj asambleje dhe përfaqësuan me krenari këtë komunitet, i cili është kaq i rëndësishëm dhe i dashur për Gostivarin.

Në një status në Facebook, Limani theksoi se është i lumtur që kishte mundësinë të përfaqësonte këtë komunitet dhe se ishte një nder të ishte pjesë e një ngjarjeje kaq të rëndësishme për lidhjet ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit turk dhe qytetit të Gostivarit.

Continue Reading

TOP Lajme