Lajme
Kujdesi i ulët shëndetësor: Dyfishohen tenderët, pakësohen shërbimet
Qendra për Komunikime Qytetare ka publikuar një anketë mbi prokurimin publik në sektorin e kujdesit shëndetësor për periudhën 2015–2024, që hedh dritë mbi një situatë shqetësuese lidhur me përdorimin e fondeve publike dhe cilësinë e shërbimeve për pacientët. Sipas të dhënave, kostot e prokurimit publik janë rritur dy e gjysmë herë gjatë dhjetë viteve të fundit, nga 126 milionë euro në vitin 2015 në mbi 315 milionë euro në vitin 2024. Rritja e inflacionit nuk mund të justifikojë këtë rritje të theksuar, gjë që tregon se paratë publike nuk po përdoren në mënyrë efikase për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Megjithëse tenderët dhe kontratat publike rriten, shërbimet për qytetarët po pakësohen. Në periudhën 2015-2024, numri i ekzaminimeve në 55 klinika dhe spitale u ul me 14 për qind, ndërsa ditët e shërbimit spitalor ranë me 24 për qind. Rënia e ekzaminimeve specialistike është po ashtu shqetësuese: në tre vitet e fundit janë kryer rreth 700.000 ekzaminime më pak, një ulje prej 19 për qind. Sektorë si gjinekologjia, obstetrika dhe mjekësia transfuzive kanë regjistruar rënie mbi 60 për qind, pavarësisht se shpenzimet për barna dhe pajisje në këto fusha janë rritur ndjeshëm.
Hulumtimi nxjerr në pah se prokurimi publik shpesh funksionon vetëm si formalitet. Shumë tenderë për materiale laboratorike dhe pajisje zhvillohen për një pajisje të përzgjedhur më parë, ku fituesi është i ditur që në fillim. Vlera e prokurimeve për materiale laboratorike dhe testime arrin deri në 29 milionë euro në vit dhe është rritur me 81 për qind gjatë periudhës së analizës. Tenderët dyvjeçarë për insulinë, glukagon, gjilpëra insulinash dhe pajisje matëse për diabetikët, me vlerë deri në 39 milionë euro, kryhen kryesisht pa konkurrencë dhe shpesh me kontrata aneksuese. Në të njëjtën kohë, numri i pacientëve në terapi me insulinë është rritur me 21 për qind, ndërsa vlera e kontratave me 77 për qind, por programet e sigurimit të insulinës shkurtohen vit pas viti dhe raportet mbi zbatimin nuk publikohen rregullisht.
Për vaksinimin e popullsisë, po ashtu, shpenzimet janë rritur, por procesi i prokurimit shfaq dobësi nga planifikimi deri te lidhja e kontratave, duke krijuar rrezik për keqpërdorim të parave publike. Kostoja e barnave për sëmundjet e rralla është rritur nga 1.5 milionë në 19 milionë euro në dekadën e fundit. Megjithatë, Revizioni tregon se Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna të plota mbi efektivitetin e këtyre terapisë tek pacientët. Për shumicën e sëmundjeve nuk kryhet vlerësimi i programit të trajtimit, siç parashikohet nga Programi për Trajtimin e Sëmundjeve të Rralla, gjë që krijon rrezik për shpenzime të panevojshme.
Ndryshe, hulumtimi tregon se nga 110 institucione shëndetësore, në 23 prej tyre nuk ka asnjë person të certifikuar për prokurim publik, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Pa mekanizma efektivë mbikëqyrjeje dhe monitorimi, shuma të mëdha të fondeve publike rrezikojnë të shpenzohen pa sjellë përmirësime për pacientët. Prokurimi publik në shëndetësi po përjeton një rritje të ndjeshme financiare, ndërkohë që shërbimet reale për qytetarët po ulen. Mungesa e transparencës, konkurrencës së ulët në tenderë dhe staf i pakualifikuar për prokurime krijojnë një mjedis me rrezik të lartë për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike. (koha.mk)
