Lajme
Kriza në tryeza: çmimet rriten, frigoriferët boshatisen
Ushqimet e shtrenjta dhe buxhetet gjithnjë e më të kufizuara po ndikojnë dukshëm në mënyrën se si qytetarët blejnë, ruajnë dhe konsumojnë ushqimin. Pothuajse 40 për qind e tyre kontrollojnë përditë se çfarë kanë në frigorifer dhe në kuzhinë, ndërsa 23 për qind e bëjnë këtë një herë në javë. Vetëm 2.6 për qind e qytetarëve pranojnë se nuk bëjnë kurrë inventar të stokut ushqimor, tregon anketa e fundit e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë (OKM).
Të dhënat zbulojnë se, pavarësisht kujdesit në blerje, 41.4 për qind e qytetarëve pranojnë se hedhin të paktën një porcion ushqim të gatuar gjatë javës, ndërsa 35.6 për qind deklarojnë se nuk hedhin fare. Ndërkaq, 19 për qind pranojnë se hedhin dy deri në tre porcione, dhe vetëm katër për qind më shumë se katër porcione në javë. Sa i përket ushqimit të papërpunuar, pothuajse gjysma e qytetarëve nuk hedhin asgjë, ndërsa 38 për qind thonë se hedhin rreth gjysmë kilogrami në javë. Dhjetë për qind pranojnë se hedhin një kilogram, dhe vetëm tre për qind më shumë se dy kilogramë.
Në të njëjtën kohë, si amviset e reja ashtu edhe ato me përvojë kanë filluar të ndryshojnë mënyrën e menaxhimit të ushqimit në shtëpi, planifikojnë më shumë, ngrijnë mbetjet, ruajnë produktet në enë hermetike dhe bëjnë pazar me lista të përgatitura. Shumica e qytetarëve pohojnë se ripërdorin ushqimin e mbetur për vakte të tjera, e kompostojnë ose e dhurojnë, çka tregon një rritje të ndërgjegjësimit për zvogëlimin e mbeturinave ushqimore.
Megjithatë, sipas OKM-së, vetëdijesimi për iniciativat apo fushatat që synojnë reduktimin e mbeturinave ende mbetet i ulët. “Është e qartë se blerja dhe gatimi i sasive të mëdha të ushqimit janë shkaqet kryesore të shpërdorimit, por edhe produktet e skaduar dhe ruajtja e papërshtatshme ndikojnë ndjeshëm. Megjithatë, besojmë se konsumatorët mbeten faktor kyç për ta ulur këtë fenomen”, thuhet në reagimin e OKM-së.
Nga ana tjetër, sa i përket mjeteve dhe teknologjive që mund t’i ndihmojnë qytetarët, një numër më i vogël, 23.3 për qind, shprehen të interesuar për aplikacione apo mjete për gjurmimin e furnizimeve ushqimore, ndërsa vetëm 8.6 për qind për metodat e duhura për transportimin e ushqimit. Këto të dhëna tregojnë se ndërgjegjësimi dhe praktikat për menaxhimin më të mirë të ushqimit janë duke u përmirësuar, por mbetet hapësirë e madhe për fushata edukative dhe për përmirësimin e njohurive të qytetarëve.
Ndryshe, në anketë kanë marrë pjesë kryesisht persona të moshës 36 deri në 55 vjeç (61 për qind), nga të cilët 74 për qind janë gra. Shumica jetojnë në familje të vogla ose të mesme, me dy deri në pesë anëtarë, dhe kanë të ardhura të ulëta deri në mesatare. Sa i përket informacionit që u nevojitet për të reduktuar mbeturinat, 52 për qind e të anketuarve kërkojnë fushata edukative, 45.4 për qind duan të mësojnë metodat e duhura të ruajtjes së ushqimit, 39.1 për qind kërkojnë receta për përdorimin e mbetjeve, ndërsa 35.9 për qind kanë nevojë për këshilla mbi planifikimin e vakteve. /koha.mk/
