Lajme
Izet Mexhiti asnjëherë i pari, gjithmonë i dyti, dikur pas Ali Ahmetit tani pas Bilall Kasamit
Sot mbahet takimi i liderëve në Kuvend, në fokus reformat dhe shfuqizimi i qeverisë teknike
Në Klubin e Deputetëve sot do të mbahet takimi i liderëve, i paralajmëruar nga kryeministri dhe njëherit kryetar i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Në takim janë ftuar kryetarët e partive që kanë grupe parlamentare në Kuvend.
Siç është bërë e ditur, pritet të diskutohen ligjet reformuese të gjyqësorit, zgjedhja e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, shfuqizimi i qeverisë teknike, si dhe tema të tjera që mund të propozohen nga pjesëmarrësit.
Nga partnerët e koalicionit qeveritar, pjesëmarrja është konfirmuar nga kryetari i ZNAM-it dhe njëherit kryetar i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Ndërsa nga koalicioni “VLEN”, në takim pritet të marrë pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa, pjesë e koalicionit VLEN dhe njëri nga pretendentët kryesorë për t’u bërë kryetar i këtij koalicioni. Ai do ta përfaqësojë VLEN-in i shoqëruar nga koordinatori i grupit parlamentar, Bekim Qoku. Kasami e ka konfirmuar pjesëmarrjen për Alsat, ndërkohë që nga VLEN-i nuk ka ende njoftime nëse do të parashtrohen kërkesa apo tema konkrete.
Pjesëmarrja e Bilall Kasamit ka nxitur diskutime në opinion lidhur me rolin dhe pozicionimin e tij si figurë qendrore brenda koalicionit VLEN. Në këtë kontekst, në qarqe politike po përmendet edhe pozita e Izet Mexhitit, kryetarit të Lidhjes Demokratike dhe njërit nga krerët e koalicionit qeverisës VLEN. Kritikët theksojnë se ai “asnjëherë i pari, gjithmonë i dyti” – dikur pas Ali Ahmetit, ndërsa tani pas Bilall Kasamit, duke ngritur pikëpyetje mbi peshën reale të tij politike brenda koalicioneve ku ka vepruar.
Kryeministri Mickoski ka deklaruar më herët se takimi i liderëve është i nevojshëm për shkak të çështjeve të rëndësishme politike, përfshirë shfuqizimin e qeverisë teknike dhe miratimin e ligjeve reformuese. Megjithatë, ftesa zyrtare e dërguar liderëve nuk përmban pika të qarta të rendit të ditës, duke u kufizuar në diskutime të përgjithshme për gjendjen politike dhe ekonomike në vend.
Takimi është refuzuar nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili ka deklaruar se nuk pranon të marrë pjesë në një tryezë të tillë dhe kundërshton shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike. Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ende nuk ka konfirmuar nëse do t’i bashkohet takimit të liderëve.
