Lajme
Ismaili nga ASH reagon ndaj deklaratave të kandidates për Komisionin kundër Diskriminimit: Në vend të Konventës së Stambollit, foli për Stambollin dhe Ataturkun
Kryetarja e Asamblesë së Gruas të Aleancës për Shqiptarët, Elfete Ismaili, ka reaguar publikisht pas deklaratave të Xhihan Ahmed, aktiviste e VLEN-it dhe e angazhuar në aktivitete partiake, e propozuar si kandidate për anëtare të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.
Ismaili shpreh shqetësim të thellë se, në vend që të fliste për Konventën e Stambollit – një dokument thelbësor për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe promovimin e barazisë gjinore – Ahmed, gjatë intervistës publike, ka devijuar nga tema, duke folur për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut.
Sipas Ismailit, këto deklarata kanë nxitur reagime të ashpra dhe kanë ngritur dyshime serioze mbi profesionalizmin, kompetencën dhe politizimin e një institucioni që duhet të jetë i pavarur, veçanërisht duke marrë parasysh përfshirjen e kandidates në aktivitete partiake.
Reagimi i plotë i Ismailit:
“Xhihan Ahmed, e propozuar për anëtare të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, gjatë intervistës publike ajo foli për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut, ku shkaktoi dyshime serioze për profesionalizmin, kompetencën dhe politizimin e këtij institucioni të pavarur.
Ndërsa, karakteri dhe veprimtaria e institucionit që pretendon t’a udhëheq, ka të bëjë me: KONVENTËN E STAMBOLLIT.
Më poshtë është përshkrimi, mirë do të ishte sikur t’a lexonte!
KONVENTA E STAMBOLLIT përfaqëson një dokument themelor strategjik në luftën kundër dhunës me bazë gjinore dhe në avancimin e barazisë gjinore.
E miratuar nga Këshilli i Evropës, kjo Konventë vendos standarde të qarta ligjore dhe institucionale për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, për mbrojtjen e viktimave, si dhe për ndëshkimin e autorëve të dhunës.
Zbatimi i Konventës obligon institucionet shtetërore të ndërmarrin politika gjithëpërfshirëse, të forcojnë kuadrin ligjor, të sigurojnë shërbime mbështetëse për viktimat dhe të promovojnë barazinë reale ndërmjet grave dhe burrave si vlerë themelore demokratike.
Konventa e Stambollit e trajton dhunën me bazë gjinore si shkelje të të drejtave të njeriut, duke riafirmuar përgjegjësinë e shtetit për garantimin e sigurisë, dinjitetit dhe jetës së çdo qytetari.
Angazhimi institucional për zbatimin e saj mbetet një tregues i qartë i vullnetit politik për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe më të barabartë”, përfundon Ismaili.
