Lajme
Isen Shabani shpalli fitore në Vrapçisht: Jemi mbi tre mijë vota në epërsi
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani gjatë një paraqitjeje njoftoi se janë në epërsi me 3 mijë vota nga kundërkandidati i tij i pavaur dhe që u përkrah nga koalicioni VLEN, Zulhajrat Demiri, transmeton Portalb.mk.
“Dallimi është diku 3 mijë vota jemi në epërsi. Punët të cilat i kemi në vazhdimësi do t’i vazhdojmë. Kuptohet që në programën tonë do të kemi higjienën komunale, ndërmarrje që nuk ka qenë më parë, dhe shumë projekte tjera. Faleminderit për besimin e dhënë në mandatin e tretë”, tha Shabani.
Sipas 97.44% të votave të numëruara nga KSHZ-ja, Isen Shabani ka 5.355 vota kurse Zulhajrat Demiri ka 3.028 vota.
Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë u mbajtën në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë&Rostushë dhe Qendër&Zhupë. Zgjedhjet përsëriten për shkak se në rrethin e parë të zgjedhjeve të rregullta të mbajtura në tetor nuk u arrit pragu i daljes së një të tretës së votuesve apo 33.33%.
Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 %, në Vrapçisht 25.18%, në Mavrovë&Rostushë 30.31% dhe në Qendër Zhupë 21.49%. Në zgjedhjet e përsëritura nuk vlen pragu i daljes prej një të tretës së votuesve.
