Connect with us

Lajme

EDITORIAL: Kronika e një mosmirënjohjeje politike

Published

on

Në politikë, si në jetë, karakteri vlen më shumë se çdo fjalim, e besnikëria më shumë se çdo premtim. Rasti i fundit mes Arben Taravarit dhe Arben Fetait është shembulli tipik i asaj që populli e ka përmbledhur shkurt: “Ushqe qenin të të kafshojë.” Sepse, në thelb, nuk kemi të bëjmë me një debat parimesh, por me një histori klasike të mosmirënjohjes politike.

Arben Taravari, i hapi derën Arben Fetait një gurbetçar pa bazë elektorale dhe pa kapital publik. Ai i dha mundësinë e shtetarit, ia krijoi terrenin për t’u dëshmuar në një sistem që rrallë i pranon fytyrat e reja. Ishte një akt besimi dhe përfshirjeje. Por siç ndodh shpesh në politikën tonë, besimi u shndërrua në instrument për ambicie personale.

Fetai, sot, nga pozita e një ish-bashkëpunëtori, përpiqet të ndërtojë profil mbi mohimin e atyre që e ngritën. Në tekstet e tij të fundit, lexojmë vetëm kritika ndaj Taravarit me fjalë si “parime”, “gabime” e “përgjegjësi”, por nën sipërfaqe lexohen etja për protagonizëm dhe mungesa e reflektimit për veten. Sepse, nëse vërtet do të kishte qenë çështje parimesh, ato duhej të mbroheshin me ndershmëri e debat, jo me publikime që synojnë baltosjen e tjetrit.

Në fakt, dështimi i vetëm i Taravarit në këtë raport nuk është politik, por njerëzor, ai gaboi që i besoi dikujt që nuk kishte formim për të kuptuar peshën e besimit. Në anën tjetër, Fetai është kthyer në ilustrim të një fenomeni më të gjerë në politikën shqiptare fenomeni i ngritjes së shpejtë dhe rrëzimit të shpejtë, i atyre që vijnë me fjalë të mëdha, por pa qëndrueshmëri morale. Në vend që të mbajë peshën e përgjegjësisë për rezultatet, ai e zhvendos vëmendjen tek akuzat, duke harruar se publiku nuk e harron kush e ka ngritur dhe kush e ka kafshuar dorën që e ka ushqyer.

Ky episod është mësim për të gjithë ata që mendojnë se karriera ndërtohet mbi mohimin e të djeshmes. Në politikë, si në jetë, mirënjohja nuk është dobësi, por garanci për besueshmëri. Dhe kush e humb atë, e humb edhe respektin publik pavarësisht se sa mirë di të shkruajë deklarata apo të improvizojë fjalime. Në fund, historia do t’i ndajë qartë rolet. Taravari do të mbahet mend si ai që i hapi dyert dhe krijoi hapësira, ndërsa Fetai si ai që, në vend të mirënjohjes, zgjodhi të kafshojë dorën që e ushqeu.

Taravari nuk është pa gabime si çdo njeri në politikë, por dallimi mes tij dhe Fetait është thelbësor.Taravari gabon duke i besuar njerëzve të gabuar, ndërsa Fetai gabon duke tradhtuar ata që i kanë besuar. Ky është dallimi midis njeriut që mban përgjegjësi dhe atij që ikën nga përgjegjësia duke u fshehur pas fjalëve të mëdha.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *