Lajme
E zëshmja Sarandina asnjë Zë për Festivalin “Othello”
Në kohën kur diskriminimi ndaj kulturës shqiptare po thellohet si asnjëherë më parë, deputetja e pushtetit Saranda Imeri Stafai ka zgjedhur heshtjen. E njohur për reagime të shpeshta, madje edhe për çështje banale, kësaj radhe ajo “humbi zërin” pikërisht aty ku pritej të ishte më e zëshme – te mbrojtja e kulturës shqiptare dhe e Festivalit Ndërkombëtar “Othello”.
Ironia është edhe më e madhe kur merret parasysh fakti se vetë Saranda Imeri Stafai shpesh është paraqitur si “zë i fortë i kulturës”, duke u thirrur edhe në profesionin e saj nga fusha e këngës. Por sot, kur kultura shqiptare përjashtohet hapur nga politikat shtetërore, ajo zgjedh të mos reagojë.
Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut për vitin aktual ka ndarë më pak se 13% të buxhetit për kulturën shqiptare – një shifër alarmante që dëshmon qartë diskriminim institucional. Festivalë me traditë, si “Othello”, që promovojnë artin dhe identitetin kulturor shqiptar, mbeten pa përkrahjen e merituar, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit shqiptar në Qeveri heshtin.
Heshtja e Sarandës nuk është e pafajshme. Ajo është bashkëpërgjegjësi politike. Kur ke zë vetëm kur të konvenon politikisht, por hesht kur dëmtohet kultura jote, atëherë nuk je përfaqësuese e kulturës, por dekor i pushtetit.
Kultura shqiptare nuk ka nevojë për zëra sezonalë, por për përfaqësues që flasin kur padrejtësia ndodh. Dhe sot, për Festivalin “Othello” dhe për gjithë kulturën shqiptare, Sarandina mbeti pa zë.
