Lajme
“Ditën opozitë, natën pushtet” – Ramadani me kritika të ashpra ndaj Ilire Dautit-Taravari u largua nga pushteti me veprim, jo me fjalë
Aktivisti i Aleancës për Shqiptarët, Liridon Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit ndaj kryetarit të ASH-së, Arben Taravari, duke i cilësuar ato si të koordinuara dhe të motivuara nga mbijetesa politike, e jo nga parimet.
Sipas Ramadanit, është paradoksale që figura si Menduh Thaçi, Ziadin Sela dhe Arben Fetai janë rreshtuar në të njëjtën vijë politike vetëm për të sulmuar Arben Taravarin, jo për dallime programore, por sepse “politikisht kanë marrë fund moti”.
Ramadani i është përgjigjur drejtpërdrejt edhe deputetes Ilire Dauti, e cila akuzoi Taravarin se ka votuar këtë qeveri, duke theksuar se pikërisht për këtë arsye Taravari sot ndodhet në opozitë.
“Arben Taravari bëri një akt të paprecedentë në RMV – la kolltukun, privilegjet dhe pushtetin dhe doli në opozitë kur e pa se drejtimi i qeverisë ishte i gabuar. Jo me fjalë, por me veprim,” deklaron Ramadani.
Ai shton se ata që sot e sulmojnë Taravarin, në momentet kyçe kanë zgjedhur gjithmonë pushtetin. “Kur ishte emergjencë të çohej BDI-ja në opozitë, ata iu bashkuan qeverisë. Sot, kur është emergjencë të rrëzohet kjo qeveri e dëmshme, presin te dera për koalicion,” thekson Ramadani.
Në fund, Ramadani vlerëson se mungesa e qëndrueshmërisë politike i ka shndërruar këto figura në një “reprizë të vjetër politike”.
“Asnjëherë nuk kanë qenë aty ku duhet, në kohën që duhet. Ditën opozitë, natën pushtet – një model i konsumuar që qytetarët e kanë kuptuar prej kohësh,” përfundon Ramadani.
