Connect with us

Lajme

Arben Taravari, politikani që punon ende si mjek…pa pagesë!

Published

on

INTERVISTË ME KRYETARN E ALEANCËS PËR SHQIPTARËT, ARBEN TARAVARI PËR SMARTNEWS

 

“E mërkura është dita ekskluzive e pacientëve. Ka ndodhur që në program të kem pasur ndonjë takim me ndonjë kryetar shteti apo figurë të lartë politike, mirëpo ndërkohë kam pasur ndonjë pacient me rast urgjent…unë kam zgjedhur pacientin”

 

Smartnews: Ju jeni prej disa vitesh tashmë i angazhuar në politikë. Si ndodhi?

 

Taravari: Po unë me profesion jam mjek, neurolog, dhe kisha dhe kam kontakt të ngushtë me pacientët e mi. Ata janë barometri im. Ata më shtynë të jem pjesë e politikës.

 

Smartnews: Pse thoni se keni kontakt? Ruani ende raporte me pacientët tuaj?

 

Taravari: Sigurisht që po. Unë avancova në politikë duke marrë poste shumë të rëndësishme si ministër i shëndetësisë, kryetar i komunës së Gostivarit, sekretar i përgjithshëm i ASH-së dhe tashmë kryetar i saj. Në asnjë moment nuk e kam lënë punën dhe pacientët e mi. Konsultova ligjin dhe sipas tij ndoqa të drejtën time të ushtrimit të profesionit. Kështu, çdo të mërkurë mua më gjeni në Spitalin shtetëror “Nënë Tereza” duke i shërbyer pacientëve të cilët janë edhe kënaqësia më e madhe në karrierën time. Të merresh me sfidat e sëmundjeve të ndryshme, të shpëtosh jetë njerëzish, të kthesh shpresën në sytë e njerëzve, është një nga përvojat më të mira që një njeri mund të ketë në jetë.

 

Smartnews: Ju po thoni se pavarësisht jetës tuaj prej një politikani karriere dhe nga më të spikaturit në vend, çdo të mërkurë e ndani për pacientët tuaj?

 

Taravari: Po. E mërkura është dita ekskluzive e tyre. Madje ka pasur raste kur në program kam pasur edhe ndonjë takim me ndonjë kryetar shteti apo figurë të lartë politike, mirëpo ndërkohë kam pasur ndonjë pacient me rast urgjent…unë kam zgjedhur pacientin.

 

Smartnews: Më falni se pyetja është konfidenciale, por ne në Ballkan vdesim të dimë se sa paguheni e si paguheni. Jam kurioz të di: sa rroga ju bëhen në fund të muajit, sepse ju punoni si mjek, si kryetar komune dhe si kryetar partie?

 

 

Taravari: Nga këto që përmendët ju, paguhem vetëm si kryetar komune dhe si professor, sepse jap leksione në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Kurse si kryetar partie dhe si mjek nuk marr pagë.

 

Smartnews: Punoni si mjek falas?

 

Taravari: Po, punoj falas si mjek.

 

Smartnews: Jeni shumë ndryshe nga shumica e mjekëve dhe politikanëve që jemi mësuar të shohim këtu në Maqedoni. Ata jo vetëm që paguhen, por madje edhe më shumë nga ç’ju takon…

 

Taravari: Po…për fat të keq kjo është një pjesë e realitetit, por më lejo të flas për atë ushtri mjekësh të jashtëzakonshëm, të cilët edhe pse kanë oferta të mëdha dhe rroga shumë më të larta se këtu, vazhdojnë të zgjedhin vendin e tyre duke punuar në kushte shumë më të vështira se sa ato që ju ofron Perëndimi i cili ka kërkesë të madhe për mjekët e Maqedonisë dhe Ballkanit në përgjithësi. Unë mendoj se ata pak mjekë që na kanë mbetur, duhet t’i vlerësojmë shumë, sepse ata jo vetëm që ushtrojnë profesionin e tyre, por po kryejnë edhe një akt të madh patriotik siç është qëndrimi këtu. Kurse sa për politikanët që pasurohen me politikë, unë mendoj se janë patjetër hajdutë. Termi mund të jetë i rëndë, por vërtetë mendoj se janë hajdutë. Unë jam djalë i vetëm, dhe nga baba im i ndjerë kam trashëguar jo pak gjëra, shtoji kësaj edhe faktin që angazhimi im si mjek dhe profesor me kohë të plotë, kur nuk isha në politikë më sillte mē shumë të ardhura sesa tani. Por gjithëçka që kam mundur të realizoj, është blerja e një shtëpie edhe atë me kredi.

Nuk e kuptoj dhe as nuk ka sqarim logjik se si mund të vendosësh pasuri me karrierën e politikanit! Ose më saktë e kuptoj, dhe i vetmi variant që mbetet është korupsioni dhe vjedhja e fondeve publike.

 

Smartnews: Ju jeni më i varfër sesa para se të hynit në politikë?

 

Taravari: Po, dhe nuk kam ndonjë problem për këtë. Unë e dija këtë gjë dhe do vazhdoj ta bëj me koshiencë zgjedhjen time.

 

Smartnews: Partia juaj ështē në pushtet, disa zëra thonë se ju jeni i zgjedhuri i Ambasadave dhe kanë qënë ato që ju kanë sjellë në qeveri. Keni ndonjë koment për këtë?

 

Taravari: Unë jam mik i mirë me ambasadorët dhe jam një fans i Perëndimit dhe demokracisë. Nga ana tjetër, jam krenarisht i lindur në Ballkan, vend nga i cili ka buruar civilizimi i parë i kontinentit. Vet emri i saj (Evropës), është vendosur nga ne, ballkanasit e ngatërruar të kohëve modern, por tepër të qartë në kohët e lashta. Gjithë qëllimi im dhe i Perëndimit, me siguri është të rindezim frymën evropiane ose më mirë gjenezën evropiane të këtyre trojeve dhe po, kjo është një e përbashkët që më lidh mua fort me ambasadat si thoni ju, dhe sidomos me disa ambasada.

 

Smartnews: Si ajo amerikane për shembull? Ju kemi parë të keni gjithnjë raporte të ngushta me ambasadën amerikane, si me ambasadorët që kanë ikur, ashtu dhe me ata tē rinj?

 

Taravari: Amerika është në pozicion A në listën e miqve të Maqedonisē dhe po, për mua ajo dhe ambasadorët e saj mbajnë vlera të cilat i ndaj dhe unë, ndaj miqësia jonë është e natyrshme dhe e rëndësishme. Amerika është, si të thuash, vëllai nga i cili mund të marrësh këshilla më të mira!

 

Smartnews: Qartë. Si e parashikoni gjendjen politike në vend?

 

Taravari: Të vështirë por jo të pashpresë dhe sidomos me një të ardhme të përcaktuar pro-evropiane.

 

Smartnews: Si e komentoni faktin që jeni në qeveri me parti që i keni kritikuar?

 

Taravari: Po ne nuk kemi hyrë në Qeveri për t’i lavdëruar, madje kemi qëndrim kritik të vendosur për të gjitha ato gjëra të cilat mendojmë se menaxhohen gabim, dallimi i vetëm është që tani kritikat i themi në zyrat dhe në mbledhjet që i bëjmë bashkë dhe ndajmë përgjegjësinë e punës. Mos harroni se partitë nuk janë armike me njëra-tjetrën, madje në thelb ato të gjitha kanë një qëndrim të përbashkët, të mirën e njerëzve. Janë individë të caktuar të cilët abuzojnë me emrin e një partie duke e bërë situatën sa komike aq edhe tragjike. Duhet kuptuar nga ana tjetër se në një vend të varfër, politika është dramatike. Është si një telenovelë, por kur do arrijë një mirëqënie ekonomike dhe sociale ky vend, njerëzit do të jenë shumë pak të interesuar ndaj partive. Unë jam i lumtur që vendit sa vijnë dhe po i shtohen votuesit dhe po i pakësohen tifozat partiakë. 

 

Smartnews: Ku e shihni veten pas 10 vjetësh?

 

Taravari: Në Maqedoni, duke votuar ndonjë djalë apo vajzë të re si zgjidhja më e mirë politike, rrethuar nga djemtë e mi të cilët nuk do të jenë larguar, sepse ky vend do e ketë gjetur mënyrën që t’i mbajë njerëzit këtu.

Continue Reading

Lajme

Valbon Limani u uron mirëseardhje mërgimtarëve: Po punojmë që Gostivari të jetë i denjë për ju

Published

on

By

Me fillimin e sezonit të verës dhe ardhjen e mërgimtarëve në vendlindje, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka publikuar një mesazh mirëseardhjeje, duke i siguruar ata për përkushtimin maksimal të institucionit që ai udhëheq në përmirësimin e kushteve të jetesës në qytet.

“Motra dhe vëllezër, ju që keni ardhur si çdo verë në Gostivarin tuaj, më lejoni që në emrin e Komunës tonë t’ju uroj mirëseardhje,” shkroi Limani në një status në Facebook. Ai theksoi se komuna po punon intensivisht për të realizuar projekte të shumta infrastrukturore, të cilat do ta transformojnë qytetin.

“Sikurse e shikoni, rrugë të reja po ndërtohen dhe një numër rekord projektesh na presin përpara. Puna është forma më e mirë për të shprehur respektin dhe dashurinë për secilin nga ju!”, përfundoi Limani, duke lënë të kuptohet se vera e këtij viti do të shoqërohet me investime konkrete në zhvillimin urban të Gostivarit.

Continue Reading

Lajme

Arben Fetai: Ndërtova shtetin – themelova institucionet e Kosovës

Published

on

By

Arben Fetai rikujton veten si arkitekt të institucioneve të Kosovës, por harroi të përmendë Vetëvendosjen, PSD-në dhe këshillat për Hashim Thaçin, shkruan Flaka

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, vazhdon të vetëpromovohet si figurë kyçe në historinë moderne të shqiptarëve në Ballkan – këtë herë nëpërmjet një interviste në emisionin “Pastel” në TV21. Duke folur për fazën e tij të hershme në politikë, Fetai tha se ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Në Prishtinë shkova me idenë për gjashtë muaj dhe të kthehem, por aty e gjeta veten shumë mirë… Më pas kam dhënë kontributin tim në formimin e Agjencisë Anti-korrupsion, Agjencisë për Barazi, Agjencisë së Inteligjencës dhe përgatitjen e parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,” u shpreh Fetai.

Për një çast, intervista dukej si një lexim zyrtar i CV-së së një diplomati të nivelit të lartë. Por, ndërkohë që përmendja e agjencive dhe shtyllave institucionale mund të tingëllojë mbresëlënëse për publikun e TV21, faktet politike nga Prishtina tregojnë një tjetër realitet.

Fetai mbahet mend në Kosovë si këshilltar i Hashim Thaçit, më pas si fraksionist i larguar nga Vetëvendosje dhe si bashkëthemelues i PSD-së – një parti e ndërtuar nga të pakënaqurit me Albin Kurtin.

Fetai, që sot shfaqet si pjesë e qeverisë së VLEN-it në Shkup, është po ai që Albini i dërgoi emisarin Arben Taravari për ta ndalur të bëhej zëvendëskryeministër. Në fund, nuk e ndali dot. Por historia e vërtetë nuk harrohet aq lehtë, edhe pse Fetai vazhdon të shkruajë versionin e tij.

“Kudo që shkojmë nuk duhet të harrojmë vendin nga vijmë,” tha ai në intervistë. Flaka

Continue Reading

Lajme

Skandal me rrëfimin e Arben Fetait: Kam protestuar në vitet ’80 –  por atëherë ishte vetëm 7 vjeç

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka habitur publikun me një deklaratë të pazakontë gjatë intervistës në emisionin “Pastel” në TV21, ku foli për fëmijërinë e tij dhe përvojat personale gjatë viteve të tensionuara për shqiptarët në Maqedoni dhe Kosovë, shkruan Flaka

“Menjëherë pas diferencimeve politike dhe protestave në Kumanovë, babi iku nga vendi për në Belgjikë dhe unë bashkë me motrat mbetëm vetëm me nënën në shtëpi. Ndërsa pas një periudhe kohore, pasi babi u sistemua në Belgjikë, ne u ribashkuam dhe vazhduam jetën bashkë në Belgjikë,” deklaroi Fetai.

Fetai, i lindur më 11 dhjetor 1980 në Kumanovë, pretendon se ka qenë i pranishëm në protestat e viteve ’80, një periudhë kur, sipas tij, kishte ndërgjegje politike dhe aktivizëm qytetar – megjithëse atëherë ishte vetëm 7 vjeç.
“Që nga fëmijëria mbaj mend protestat në Kumanovë kur mësuesit dhe intelektualët shqiptarë u përzunë nga puna, por edhe protestat në Kosovë pas heqjes së statutit,” tha Fetai.

Por faktet historike flasin ndryshe.
Sipas dokumenteve dhe dëshmive historike, protestat në Kumanovë dhe Gostivar që nisën në gusht të vitit 1988 u zhvilluan si reagim ndaj ndalimit të gjuhës shqipe në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe ndaj përjashtimit nga puna të dhjetëra arsimtarëve shqiptarë. Nxënësit dhe mësuesit që kundërshtuan politikën e asimilimit u përballën me burgosje dhe represion.

Pra, në vitin 1988, kur protestat kulmuan, Arben Fetai ishte vetëm 7 vjeç.
Ky detaj e bën të paqartë, në mos të pabesueshme, deklaratën e tij se ka marrë pjesë në protesta si pjesë aktive. Fëmijët e asaj moshe mund të kenë përjetuar atmosferën familjare të kohës, por jo të kenë qenë aktorë të vetëdijshëm të protestave, aq më pak siç portretizohet në këtë rast – si “njeri i protestave”.
Me titull: Nga njeri I protestave te zevendeskryeminister- historia qe nuk keni degjuar per Fetain, ky i fundit shpërndajti lajmin në media.
Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale, ku përdoruesit kanë ironizuar pretendimin e zëvendëskryeministrit, duke e quajtur “falsifikim emocional të biografisë për qëllime politike”.

“Që të vetëquhesh njeri i protestave si 7-vjeçar është fyerje për ata që me të vërtetë sakrifikuan në atë kohë – që humbën vendet e punës, u rrahën, u burgosën,” shkruan një komentues.
Fetai, madje ka pretenduar që ndihmoi edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës, si këshilltar i Hashim Thaçit.

“Në Prishtinë shkova me idenë për gjashtë muaj dhe të kthehem, por aty e gjeta vetën shumë mirë dhe pastaj mu ofrua një kontratë më afatgjate në Kuvendin e Kosovës. Pas përvojës në Kuvend, u angazhova në zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe më pastaj kam dhënë kontributin tim në formimin e Agjencinë Anti-korrupsion, Agjencinë për Barazi, Agjencinë e Inteligjencës por edhe përgatitjen e parë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pra si një i ri kisha mundësi të jashtëzakonshme të jem pjesë e formimit të institucioneve të Kosovës”, u shpreh Fetai.

Në mungesë të ndonjë reagimi apo sqarimi nga kabineti i zëvendëskryeministrit Fetai, pyetja që mbetet është: A po përdoren dramat e një kohe të errët për të ndërtuar kredibilitet të vonshëm politik? Flaka

Continue Reading

TOP Lajme