Connect with us

Lajme

Arben Taravari, politikani që punon ende si mjek…pa pagesë!

Published

on

INTERVISTË ME KRYETARN E ALEANCËS PËR SHQIPTARËT, ARBEN TARAVARI PËR SMARTNEWS

 

“E mërkura është dita ekskluzive e pacientëve. Ka ndodhur që në program të kem pasur ndonjë takim me ndonjë kryetar shteti apo figurë të lartë politike, mirëpo ndërkohë kam pasur ndonjë pacient me rast urgjent…unë kam zgjedhur pacientin”

 

Smartnews: Ju jeni prej disa vitesh tashmë i angazhuar në politikë. Si ndodhi?

 

Taravari: Po unë me profesion jam mjek, neurolog, dhe kisha dhe kam kontakt të ngushtë me pacientët e mi. Ata janë barometri im. Ata më shtynë të jem pjesë e politikës.

 

Smartnews: Pse thoni se keni kontakt? Ruani ende raporte me pacientët tuaj?

 

Taravari: Sigurisht që po. Unë avancova në politikë duke marrë poste shumë të rëndësishme si ministër i shëndetësisë, kryetar i komunës së Gostivarit, sekretar i përgjithshëm i ASH-së dhe tashmë kryetar i saj. Në asnjë moment nuk e kam lënë punën dhe pacientët e mi. Konsultova ligjin dhe sipas tij ndoqa të drejtën time të ushtrimit të profesionit. Kështu, çdo të mërkurë mua më gjeni në Spitalin shtetëror “Nënë Tereza” duke i shërbyer pacientëve të cilët janë edhe kënaqësia më e madhe në karrierën time. Të merresh me sfidat e sëmundjeve të ndryshme, të shpëtosh jetë njerëzish, të kthesh shpresën në sytë e njerëzve, është një nga përvojat më të mira që një njeri mund të ketë në jetë.

 

Smartnews: Ju po thoni se pavarësisht jetës tuaj prej një politikani karriere dhe nga më të spikaturit në vend, çdo të mërkurë e ndani për pacientët tuaj?

 

Taravari: Po. E mërkura është dita ekskluzive e tyre. Madje ka pasur raste kur në program kam pasur edhe ndonjë takim me ndonjë kryetar shteti apo figurë të lartë politike, mirëpo ndërkohë kam pasur ndonjë pacient me rast urgjent…unë kam zgjedhur pacientin.

 

Smartnews: Më falni se pyetja është konfidenciale, por ne në Ballkan vdesim të dimë se sa paguheni e si paguheni. Jam kurioz të di: sa rroga ju bëhen në fund të muajit, sepse ju punoni si mjek, si kryetar komune dhe si kryetar partie?

 

 

Taravari: Nga këto që përmendët ju, paguhem vetëm si kryetar komune dhe si professor, sepse jap leksione në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Kurse si kryetar partie dhe si mjek nuk marr pagë.

 

Smartnews: Punoni si mjek falas?

 

Taravari: Po, punoj falas si mjek.

 

Smartnews: Jeni shumë ndryshe nga shumica e mjekëve dhe politikanëve që jemi mësuar të shohim këtu në Maqedoni. Ata jo vetëm që paguhen, por madje edhe më shumë nga ç’ju takon…

 

Taravari: Po…për fat të keq kjo është një pjesë e realitetit, por më lejo të flas për atë ushtri mjekësh të jashtëzakonshëm, të cilët edhe pse kanë oferta të mëdha dhe rroga shumë më të larta se këtu, vazhdojnë të zgjedhin vendin e tyre duke punuar në kushte shumë më të vështira se sa ato që ju ofron Perëndimi i cili ka kërkesë të madhe për mjekët e Maqedonisë dhe Ballkanit në përgjithësi. Unë mendoj se ata pak mjekë që na kanë mbetur, duhet t’i vlerësojmë shumë, sepse ata jo vetëm që ushtrojnë profesionin e tyre, por po kryejnë edhe një akt të madh patriotik siç është qëndrimi këtu. Kurse sa për politikanët që pasurohen me politikë, unë mendoj se janë patjetër hajdutë. Termi mund të jetë i rëndë, por vërtetë mendoj se janë hajdutë. Unë jam djalë i vetëm, dhe nga baba im i ndjerë kam trashëguar jo pak gjëra, shtoji kësaj edhe faktin që angazhimi im si mjek dhe profesor me kohë të plotë, kur nuk isha në politikë më sillte mē shumë të ardhura sesa tani. Por gjithëçka që kam mundur të realizoj, është blerja e një shtëpie edhe atë me kredi.

Nuk e kuptoj dhe as nuk ka sqarim logjik se si mund të vendosësh pasuri me karrierën e politikanit! Ose më saktë e kuptoj, dhe i vetmi variant që mbetet është korupsioni dhe vjedhja e fondeve publike.

 

Smartnews: Ju jeni më i varfër sesa para se të hynit në politikë?

 

Taravari: Po, dhe nuk kam ndonjë problem për këtë. Unë e dija këtë gjë dhe do vazhdoj ta bëj me koshiencë zgjedhjen time.

 

Smartnews: Partia juaj ështē në pushtet, disa zëra thonë se ju jeni i zgjedhuri i Ambasadave dhe kanë qënë ato që ju kanë sjellë në qeveri. Keni ndonjë koment për këtë?

 

Taravari: Unë jam mik i mirë me ambasadorët dhe jam një fans i Perëndimit dhe demokracisë. Nga ana tjetër, jam krenarisht i lindur në Ballkan, vend nga i cili ka buruar civilizimi i parë i kontinentit. Vet emri i saj (Evropës), është vendosur nga ne, ballkanasit e ngatërruar të kohëve modern, por tepër të qartë në kohët e lashta. Gjithë qëllimi im dhe i Perëndimit, me siguri është të rindezim frymën evropiane ose më mirë gjenezën evropiane të këtyre trojeve dhe po, kjo është një e përbashkët që më lidh mua fort me ambasadat si thoni ju, dhe sidomos me disa ambasada.

 

Smartnews: Si ajo amerikane për shembull? Ju kemi parë të keni gjithnjë raporte të ngushta me ambasadën amerikane, si me ambasadorët që kanë ikur, ashtu dhe me ata tē rinj?

 

Taravari: Amerika është në pozicion A në listën e miqve të Maqedonisē dhe po, për mua ajo dhe ambasadorët e saj mbajnë vlera të cilat i ndaj dhe unë, ndaj miqësia jonë është e natyrshme dhe e rëndësishme. Amerika është, si të thuash, vëllai nga i cili mund të marrësh këshilla më të mira!

 

Smartnews: Qartë. Si e parashikoni gjendjen politike në vend?

 

Taravari: Të vështirë por jo të pashpresë dhe sidomos me një të ardhme të përcaktuar pro-evropiane.

 

Smartnews: Si e komentoni faktin që jeni në qeveri me parti që i keni kritikuar?

 

Taravari: Po ne nuk kemi hyrë në Qeveri për t’i lavdëruar, madje kemi qëndrim kritik të vendosur për të gjitha ato gjëra të cilat mendojmë se menaxhohen gabim, dallimi i vetëm është që tani kritikat i themi në zyrat dhe në mbledhjet që i bëjmë bashkë dhe ndajmë përgjegjësinë e punës. Mos harroni se partitë nuk janë armike me njëra-tjetrën, madje në thelb ato të gjitha kanë një qëndrim të përbashkët, të mirën e njerëzve. Janë individë të caktuar të cilët abuzojnë me emrin e një partie duke e bërë situatën sa komike aq edhe tragjike. Duhet kuptuar nga ana tjetër se në një vend të varfër, politika është dramatike. Është si një telenovelë, por kur do arrijë një mirëqënie ekonomike dhe sociale ky vend, njerëzit do të jenë shumë pak të interesuar ndaj partive. Unë jam i lumtur që vendit sa vijnë dhe po i shtohen votuesit dhe po i pakësohen tifozat partiakë. 

 

Smartnews: Ku e shihni veten pas 10 vjetësh?

 

Taravari: Në Maqedoni, duke votuar ndonjë djalë apo vajzë të re si zgjidhja më e mirë politike, rrethuar nga djemtë e mi të cilët nuk do të jenë larguar, sepse ky vend do e ketë gjetur mënyrën që t’i mbajë njerëzit këtu.

Continue Reading

Lajme

Valbon Limani përuroi asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit Zdunjë

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Gostivarit sot në përuroi asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit Zdunjë të Gostivarit.

Bëhet fjalë për asfaltim të mbi 1.2 kilometrave që do të lidhë fshatin me qytetin e Gostivarit dhe dukshëm do të përmirësojë komunikacionin jo vetëm të fshatit Zdunjë, por edhe fshatrava afër tij.

“Me këtë projekt është përmirësuar shumë infrastruktura në Zdunjë, dhe jo vetëm për banorët e këtij fshati, por edhe për qytetarët e vendbanimeve tjera që kalojnë nga këtu”, u shpreh Limani.

Kryetari Valbon Limani theksoi se tani do të kemi periudhë më dinamike dhe se do të punohet kryesisht në infrastrukturën rrugore.

“Punime ka në bulevardin ‘Vëllezërit Gjinovski’, gjithashtu ka punime në shëtitore te ish-kinoja e qytetit, asfaltohet rruga ‘Nikolla Teslla’ te gjimnazi, kurse nga java e ardhshme do të kemi punime edhe në 2-3 rrugë të tjera. Kjo periudhë do të jetë më dinamike, do të punohet gjithkund, me të vetmin qëllim që të përmirësohet jeta e qytetarëve”, u shpreh Limani.

Continue Reading

Lajme

Arben Taravari reagon për rastin e Nerovës: “Kush është më e drejtë – një kazino me leje apo një shkollë pa leje?”

Published

on

By

 

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj tentimit për rrënimin e objektit shkollor të ndërtuar nga banorët shqiptarë në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës, duke theksuar se në kohën e “serialeve politike” është pikërisht populli ai që harrohet.

“Si parti jemi sa të prekur po aq edhe në krah të banorëve të fshatit Nerovë dhe të kauzës së tyre. Në mungesë të një shkolle, ata kanë ndërtuar vet objektin e saj – një vepër fisnike dhe e rrallë,” deklaron Taravari.

Ai shpreh shqetësimin për faktin që autoritetet shtetërore kanë ndërmarrë hapa për ta shembur shkollën me arsyetimin se është ndërtuar pa leje.

“Me dashamirësi i kërkojmë organeve kompetente mos ta shembin këtë shkollë! Ajo është ndërtuar nga prindërit për fëmijët e tyre,” thekson Taravari.

Në fund të reagimit të tij, Taravari ngre një pyetje të drejtpërdrejtë që po përhapet me shpejtësi edhe në opinion publik:
“Kush është më e drejtë? Një kazino me leje apo një shkollë pa leje?”

Continue Reading

Lajme

Taravari: Deputetët janë zëri i popullit, dhe kur shumica e tyre janë lënë jashtë qeverisë, përfaqësimi bie në krizë legjitimiteti

Published

on

By

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ngritur shqetësime serioze mbi legjitimitetin e qeverisë aktuale në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se mungesa e përfaqësimit të plotë të shqiptarëve në ekzekutiv përbën një deformim të vullnetit qytetar në një shtet multietnik.

Në një intervistë për median kosovare Nacionale, Taravari deklaroi se përbërja aktuale e qeverisë nuk reflekton përbërjen reale të Kuvendit dhe as të shoqërisë, duke vënë në pah se pjesa dërrmuese e deputetëve shqiptarë ndodhen në opozitë.

“Në një vend ku shqiptarët janë shtetformues, nuk mund të kemi një qeveri që funksionon pa përfshirjen e drejtë të përfaqësuesve të tyre. Deputetët janë zëri i popullit, dhe kur shumica e tyre janë lënë jashtë qeverisë, përfaqësimi bie në krizë legjitimiteti,” u shpreh Taravari.

Ai theksoi se modeli aktual qeverisës rrezikon të thellojë ndasitë etnike dhe politike në vend, duke i lënë shqiptarët në margjinat e proceseve vendimmarrëse, pavarësisht kontributit të tyre të vazhdueshëm në jetën institucionale të shtetit.

Continue Reading

TOP Lajme