Lajme
Aksioni policor në Batincë, MPB: Vazhdojnë aktivitetet për kapjen e personit
Pas aksionit të madh policor mbrëmë në Batincë të Shkupit, MPB-ja vazhdon aktivitetet dhe kërkimet për arrestimin e një personi ndaj të cilit është lëshuar fletarrest vendor dhe ndërkombëtar për vepra të rënda penale, njoftojnë nga MPB-ja.
“Pas marrjes së informatave paraprake, shërbimet kompetente policore pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë ditës së djeshme, vepruan në zonën e Shkupit me qëllim privimin nga liria të një personi për të cilin është shpallur fletarrest kombëtar dhe ndërkombëtar për vepra të rënda penale. Aktivitetet vazhdojnë në terren, me qëllim gjetjen e personit dhe privimin e tij nga liria, si person me interes të lartë.”, – theksoi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Ditë më herët, njësitë e policisë rrethuan shtëpinë dhe disa lokacione të tjera në Batincë të Shkupit, me qëllim gjetjen dhe arrestimin e personit në fjalë, i cili tashmë prej disa muajsh po kërkohet me fletarrest vendor dhe ndërkombëtar. Megjithatë, pas aksionit të zhvilluar, MPB-ja nuk arriti ta identifikojë dhe ta arrestojë atë. (TVM2)
