Në koalicionin VLEN duket se po shfaqen tensione të reja për lidershipin, pasi gjatë ditës së sotme disa aktivistë të afërt me zëvendëskryeministrin Arben Fetai e kanë promovuar atë si lider të vërtetë të koalicionit.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, në një reagim publik, ka shkruar:
“Ai ndoshta nuk e ka menduar kurrë veten si lider, por shpesh rrethanat imponojnë nevojën për zëra të tillë. Kjo ndodhi edhe para disa muajsh, kur brenda Aleancës sonë nisën të thuren plane kundër VLEN-it dhe në favor të BDI-së. Argumentet e kryetarit dhe pak njerëzve rreth tij ishin jo vetëm të dobëta, por edhe qesharake. Në momente të tilla, gjithmonë janë aktivistët e sinqertë, themeluesit e bërthama e Aleancës, që mblidhen vetëvetiu për të mbrojtur këtë ide politike. Krejt natyrshëm, sytë u drejtuan kah Arbeni ynë, Arbeni i VLEN-it. Ndërsa disa devijuan dhe sot gjenden krah Ali Ahmetit, Arben Fetai mbeti punëtor, besnik ndaj aktivistëve dhe i përkushtuar ndaj vijës ideologjike. Ai është një zë i pazëvendësueshëm në këtë përgjegjësi politike”, ka theksuar Hoxha.
Edhe aktivistja Yllka Nuredini ka dalë hapur në përkrahje të Fetait, duke theksuar se ai ka mbetur i palëkundur ndaj parimeve:
“Arben Fetai sot është udhëheqësi ynë, njeriu që nuk e shiti kurrë vlerën tonë te kryetari juaj Ali Ahmeti. VLEN nuk u shit për poste, komuna apo privilegje. Ju e shitët kauzën, ideologjinë dhe e njollosët logon që pretendoni se po e mbroni. Kritikuat Ziadin Selën pse u largua, por historia po tregon se ai kishte të drejtë. Sot tradhtinë e vulosët ju”, ka shkruar Nuredini.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe koordinatori nacional për Komunikim dhe Media në Qeverinë e RMV-së, Latif Arifi, i cili ka sulmuar kritikët e Fetait:
“Ka njerëz që betejat e Aleancës i kanë parë vetëm nga ‘livestream’-i i FOL-it, dhe e vetmja djersë që kanë derdhur është nga gishtat duke shtypur LIKE. Sot, të njëjtit shiten si moralistë të vonuar. Një lapsus gjuhësor në Kërçovë nuk ndryshon asgjë – Arben Fetai ishte dhe mbetet kryetar legjitim i Kuvendit të Aleancës dhe garancia që BDI nuk do ta nënshtrojë kurrë aktivistin e Aleancës. Ata që u shfaqën vetëm kur u hap dera e privilegjeve… më mirë të heshtin!”, ka shkruar Arifi.
Ndryshe, Arben Fetai gëzon mbështetje dhe nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Deklaratat e njëpasnjëshme në mbështetje të Arben Fetait ngrejnë pyetjen: a po kalon VLEN në një krizë lidershipi dhe a po konsolidohet Fetai si lider i koalicionit?