Lajme
Si kaloi Xhihan Ahmed pa u vënë re në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend?
Po të mos kishte reaguar sektori joqeveritar kandidatja për anëtare e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Xhihan Ahmed, ndoshta do të ishte votuar dhe do të ishte bërë anëtare e këtij Komisioni pa u vënë re, pavarësisht përgjigjeve të pakënaqshme që ajo i dha në intervistë, e të cilat u publikuan nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.
Në fakt, pavarësisht faktit që intervistat e kandidatëve transmetohen në uebfaqen e Kuvendit ato ndiqen nga një numër i vogël i qytetarëve, ndërsa deputetët që janë anëtarë të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime kanë të drejtë diskrecionare për t’i zgjedhur tre kandidatët që do t’i propozojnë si anëtarë. Kjo është përgjigjja e asaj se si kandidatja Ahmed e kaloi përzgjedhjen preliminare dhe u gjet në mesin e atyre që u propozuan si anëtarë të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi së bashku me dy të tjerë nga gjithsej 14 kandidatë.
“Slloboden Peçat” u mundua të zbulonte nëse Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime bën një rang listë për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe nëse ka votim publik, ndërsa për këtë qëllim iu drejtuam disa deputetëve që janë anëtarë të tij. Përgjigje nuk morëm nga asnjëri prej tyre.
Deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska, postoi një video në Facebook nga e cila bëhet e qartë se propozuesi i Xhihan Ahmed është deputeti nga VLEN, Bekim Qoku. Llukarevska e kundërshton këtë propozim.
Atanas Avramov nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi thotë se përzgjedhja bëhet sipas gjykimit të deputetëve, pavarësisht faktit se paraprakisht ka intervista dhe një debat publik. Anëtarët e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend janë deputetët Gjorgjija Sajkoski, Dafina Stojanoska, Nikolla Micevski, Zhaklina Peshevska, Eli Panova, Mile Lefkov, Sanja Llukarevska, Ljupço Nikollovski, Arbana Pasholli, Ilire Dauti, Borisllav Krmov dhe Daniell Stojçevski. Ata kanë edhe zëvendësit e tyre.
Debati publik shërben për t’i kontrolluar kandidatët dhe për të parë se sa ekspertizë kanë kandidatët në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit. Organizatat e shoqërisë civile që i parashtruan pyetjet ftohen nga Kuvendi që të ndihmojnë në përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë. Si rregull, deputetët duhet ta marrin parasysh edhe intervistën e kandidatëve kur bëjnë emërime. Është e rëndësishme të theksohet se deputetët vendosin sipas gjykimit të tyre, përmes votimit se kë do ta propozojnë si anëtar dhe vendimin e tillë e dërgojnë për votim në seancë plenare. Sektori civil nuk është i përfshirë në votim dhe e zbulon se kush është anëtari i propozuar përmes uebfaqes zyrtare të Kuvendit. Duke e pasur parasysh situatën me diskriminimin në vend ne edhe një herë bëjmë thirrje që organet e tilla të barazisë të plotësohen me anëtarë që i plotësojnë kushtet ligjore, tha Avramov.
Intervista e Xhihan Ahmed në Kuvend u realizua javën e kaluar, më 20 janar, ndërsa videot e përgjigjeve të saj ndaj pyetjeve u postuan një javë më vonë falë Rrjetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili e akuzoi Kuvendin se vazhdon ta partizojë këtë komision prej 7 anëtarësh.
Në videon shihet se si Atanas Avramov nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi kërkon nga kandidatja Xhihan Ahmed të tregojë se mbi cilën bazë nga Konventa e Stambollit do të punonte gjatë mandatit të saj dhe me cilin organ të përhershëm të Kombeve të Bashkuara do të krijonte komunikim për t’i adresuar praktikat diskriminuese në arsim.
“Unë me Konventën e Stambollit të punoja, për shembull, që kur u miratua Stambolli. Ato ndryshime ishin siç ishin në fillim, tani shumë gjëra kanë ndryshuar. Më parë, gjatë kohës së Ataturkut, kishte ndalesë për të dalë kështu “të mbuluar”. Secili ka të drejtë të shkojë në punë, në shkollë si të dojë. Njerëzit ose ato gra që mbajnë shami ose janë të një etnie ose race tjetër nuk duhet të diskriminohen. Mendoj se nëse e shohim siç ka qenë më parë, tani ata kanë një fushë pak më të gjerë. Ata kanë më shumë liri dhe të gjithë mund të shprehen. Pra, do të kisha vazhduar me këtë siç është tani në Stamboll”, u përgjigj kandidatja Xhihan Ahmed.
Meqë videoja e intervistës u bë shumë virale, Ahmed e tërhoqi kandidaturën e saj nën presionin e kritikave të shumta nga publiku. Ajo e bëri këtë gjë mbrëmë, ndërkohë që sot në orën 11 është planifikuar Seanca Plenare në Kuvend ku duhet të votohet për kandidatët e propozuar.
Ish-ministri i drejtësisë Krenar Loga në Facebook shkroi se Xhihan Ahmed pati një “një ditë jo të mirë në prezantimin e saj në Kuvend” dhe shkroi se “fajtorët e vërtetë janë përfaqësuesit e VLEN-it” pavarësisht faktit se kandidatët për anëtarësim në KPMD dorëzojnë deklaratë ku thuhet se nuk janë anëtarë të ndonjë organi partiak.
“Me shumë gjasë, asaj i është thënë se e gjitha është një formalitet dhe se votat për zgjedhjen e saj janë të sigurta. Ky është pikërisht kurthi në të cilin do të kishin rënë mbi 90% e atyre që, veçse janë zgjedhur në pozicione të këtij niveli, pa kaluar asnjë intervistë të këtij lloji. Sidoqoftë, fajtorët e vërtetë janë përfaqësuesit e VLEN-it, respektivisht ata që menaxhojnë çështjet kadrovike, të cilët nuk i përgatisin kandidatët e tyre për një intervistë të “rëndë” televizive dhe për paraqitje në sallën e Kuvendit. Jo të gjithë janë të familjarizuar me kamerat, por as me institucionin më të madh në vend. Me dorëheqjen morale nga kandidimi, Xhihani meriton vetëm respekt, asgjë më shumë, asgjë më pak. Asnjë koment fyes apo tendencioz nuk duhet të shërbejë si demotivim për të çarë rrugën profesionale dhe karrierën e një gruaje të re, e në këtë rast, të një profesoresheje. Unë nuk e njoh Xhihanin, por i them publikisht se, ashtu si ajo, të gjithë ne kemi pasur momente dobësie, luhatje apo edhe mosdije momentale. Kjo nuk duhet të jetë pengesë apo zmbrapsje; përkundrazi, duhet të jetë shtysë për t’u rikthyer më e fortë, aty ku e meriton çdo individ që synon të bëjë më të mirën për fëmijët e tij/saj dhe për mbarë shoqërinë. Vetēm përpara”, shkroi Lloga.
Si konfirmim të kontestueshmërisë së anëtarësisë së kandidates në KPMD Rrjeti e publikoi biografinë profesionale të kandidates që është e disponueshme publikisht, si dhe një regjistrim të prezantimit të saj në Kuvend.
“Nga biografia e kandidates shihet se ajo ka punuar në një kompani private, si asistente në Universitetin Evropian dhe si profesoreshë në shkollë të mesme. Si rrjedhojë kandidatja nuk ka asnjë vit përvojë pune në fushën e të drejtave të njeriut, e sidomos në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit. Përveç kësaj, nga biografia e saj shihet se kandidatja ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare të dedikuara ekskluzivisht për sigurinë e korporatave dhe nuk i ka kushtuar asnjë ditë trajnimeve, seminareve dhe/ose konferencave në fushën e mosdiskriminimit. Në të njëjtën linjë në biografinë e saj kandidatja ka numëruar certifikata nga trajnimet e mëposhtme: “Çfarë pune dua, për çfarë lloj pune shpresoj”, “Maqedonia në NATO” dhe “Gruaja në Shoqërinë Moderne”. Duke e pasur parasysh situatën me diskriminimin në vend dhe gjetjet e raportit të KE-së për Maqedoninë për vitin 2025 në pjesën mbi mosdiskriminimin, thuhet në reagim.
Për anëtarë të rinj të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi në Komisionin parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime u konfirmuan edhe Limko Bejzaroski, politolog i diplomuar dhe doktor i shkencave të historisë, dhe Natasha Amdiu, juriste e diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike.
Më 3 dhjetor u miratua Vendimi për publikimin e shpalljes për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Shpallja zgjati 30 ditë pas ditës së publikimit në Gazetën Zyrtare. Për shpallje aplikuan 19 kandidatë, nga të cilët 14 i plotësonin kushtet ligjore. Në seancën dëgjimore publike që u mbajt më 20 janar u prezantuan kandidatët që i plotësonin kushtet, pra 14 kandidatët.
Pas seancës dëgjimore publike Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime brenda 14 ditëve është i detyruar me ligj që të përcaktojë një propozim listë për zgjedhjen e anëtarëve, e cila duhet të dorëzohet në Kuvend, pra të vihet në seancë plenare. Komisioni mbajti një seancë më 21 janar dhe nuk bën notim të kandidatëve, por deputetët propozuan se cili nga këta 14 kandidatë duhet të zgjidhet.
Ndërsa sot, më 28 janar, Kuvendi i zgjodhi dy anëtarët e rinj të KPMD-së, Limko Bejzaroskin dhe Natasha Amdiun.
Konventa e Stambollit (e quajtur zyrtarisht Кonventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Ndaj Grave dhe Dhunës në Familje) u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 7 prill të vitit 2011. Është një instrument ligjor rajonal që kërkon që palët të zhvillojnë ligje, politika dhe shërbime për mbështetje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Përdjekja, ngacmimi seksual, dhuna seksuale (përfshirë përdhunimin), abuzimi fizik dhe psikologjik nga partnerët intimë, martesa e detyruar dhe sterilizimi i detyruar janë akte dhune thellësisht traumatizuese. Shumica dërrmuese e viktimave janë gra. Gjymtimi gjenital femëror dhe aborti i detyruar, si forma dhune që mund të shkaktohen vetëm ndaj grave, e demonstrojnë nivelin tronditës të diversitetit në trajtimin mizor dhe degradues që e përjetojnë gratë.
Meqenëse nuk janë vetëm gratë dhe vajzat që vuajnë nga dhuna në familje, palët nënshkruese të Konventës inkurajohen ta zbatojnë kornizën mbrojtëse që ajo e krijon edhe për burrat që janë të ekspozuar ndaj dhunës brenda familjes ose njësisë familjare. Por, nuk duhet të anashkalohet fakti që shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra dhe se dhuna në familje kundër tyre është pjesë e një modeli më të gjerë të diskriminimit dhe pabarazisë.
