Connect with us

Lajme

Snopçe: U tentua të përmbyset vullneti qytetar, por AKI fitoi bindshëm në Gostivar dhe Vrapçisht

Published

on

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçisht, duke akuzuar pushtetin për shkelje ligjore dhe tentativa për manipulim të procesit zgjedhor.

Snopçe thekson se zgjedhjet janë caktuar më 11 janar në kundërshtim me afatet ligjore, me qëllim, siç shprehet ai, pamundësimin e votimit të mërgatës, e cila sipas tij do të kishte qenë e pranishme në vendlindje po të mbaheshin zgjedhjet më 28 dhjetor. Ai kritikon gjithashtu ndryshimin e kandidatëve në zgjedhje të përsëritura, duke e cilësuar këtë si një praktikë të paprecedentë.

Në reagimin e tij, Snopçe akuzon për shkelje edhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, përmes caktimit të një “povereniku” në Gostivar, si dhe për ndërhyrje politike nga ana e qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së. Ai përmend edhe deklarata të kryeministrit Mickoski dhe të kandidatit të VLEN-it, të cilat, sipas tij, dërgojnë mesazhe frikësuese dhe nënkuptojnë manipulim të rezultatit zgjedhor.

Megjithatë, Snopçe thekson se pavarësisht të gjitha këtyre, vullneti i qytetarëve nuk u ndal. “Kur është në pyetje vullneti i popullit, nuk ekziston forcë dhe nuk ekziston aparat shtetëror që mund ta ndalë atë”, ka deklaruar ai, duke rikujtuar mesazhet e dhëna edhe në tubimet përmbyllëse në Gostivar dhe Vrapçisht.

Si epilog të procesit zgjedhor, Snopçe bën të ditur se Koalicioni AKI ka arritur fitore në të dyja komunat, me një diferencë të pastër prej rreth 10 mijë votash, pavarësisht, siç shprehet ai, përballjes me të gjithë aparatin shtetëror dhe qeveritar.

Në fund, Snopçe thekson se ky rezultat të shërbejë si mesazh që në të ardhmen të mos tentohet më përmbysja e vullnetit qytetar, i cili sipas tij u dëshmua qartë në zgjedhjet e fundit.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *