Connect with us

Lajme

Selimi: Përfaqësimi real i vullnetit politik të shqiptarëve dhe pjesëmarrja në vendimmarrje

Published

on

Nga Sefer SELIMI

Që nga pavarësia e Maqedonisë, kanë ekzistuar përpjekje të shumta për t’i dhënë kuptim funksionimit të një shteti multietnik. Për shqiptarët, tentativa e parë serioze dhe e artikuluar politikisht ishte Referendumi i 11–12 janarit 1992 për autonomi politiko-territoriale, i bazuar në Platformën e Komisionit për shpërbërjen paqësore të ish-RSFJ-së, të formuar nga Bashkësia Ekonomike Evropiane. Kjo platformë parashihte status të veçantë ose autonomi politike-territoriale për popullatat jo-shumicë në republikat përkatëse. Rezultati i referendumit ishte i qartë dhe plebishitar: mbi 99% PËR, me më shumë se 360.000 vota. Pjesa tjetër e historisë është historia e mosfunksionalizimit të këtij vullneti politik nga represioni instrukturave të sigurisë.

Qasja e dirigjuar nga Beogradi e ngulfati këtë iniciativë, ashtu si edhe shumë përpjekje të tjera të shqiptarëve për barazi në tokën e vet. Këto përpjekje kulmuan në vitin 2001 me Marrëveshjen e Ohrit, e cila vendosi një kornizë të re për realizimin e të drejtave të shqiptarëve brenda një shteti multietnik unitar: me qeveri qendrore, pushtet lokal të decentralizuar dhe me parimin se shteti nuk është ekskluzivisht pronë e një etnie, por përfaqësim i qytetarëve, duke garantuar mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor të të gjitha komuniteteve.

Zgjidhja e Ohrit ishte e ndryshme nga modelet klasike të shteteve me struktura të ngjashme multietnike, si Belgjika apo Zvicra. U zgjodh modeli i ndarjes së pushtetit (power-sharing), e jo zgjidhje territoriale.

Nga viti 2001 deri më sot, kemi pasur kryesisht rotacion të partive maqedonase në pushtet, por jo edhe të përfaqësimit politik shqiptar – me përjashtim të periudhës 2006–2008, kur në qeveri u përfshi subjekti humbës te elektorati shqiptar, në kundërshtim me vullnetin e votuesve. Një situatë e ngjashme po përsëritet edhe në qeverinë e fundit.

Në vite, përfaqësimi shqiptar ka qenë herë më i dobët e herë më substancial, zakonisht si reflektim i numrave në Parlament. Po, kjo është pjesë e demokracisë numerike. Por ajo nuk guxon të shkojë përtej parimeve themeltare të një shteti multietnik. Për më shumë se dy dekada, kemi jetuar në një realitet ku dikush “kërkon” dhe dikush “jep” në emër të etnive shtetformuese; ku herë shteti shpallet i të gjithëve, e herë sillet sikur është ekskluzivisht i një etnie të vetme.

Kjo na sjell sot në një pikë ku duhet të flasim hapur dhe me më shumë thellësi: fillimisht brenda komunitetit shqiptar dhe më pas me të gjithë të tjerët, për mënyrën se si duhet të funksionojë shteti ynë i përbashkët dhe organizimi politik i shqiptarëve të ketë kuptim.

Ndër vite, partitë politike shqiptare kanë propozuar modele të ndryshme: federalizim, kantonizim, parlament dydhomësh, e së fundmi edhe modele si shumica e dyfishtë në qeverisje. Të gjitha këto propozime, pavarësisht dallimeve mes tyre, kanë një emërues të përbashkët: nuk cenojnë integritetin territorial të Maqedonisë së Veriut, por synojnë t’i japin kuptim real përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe të forcojnë ndjesinë se shteti nuk është ekskluziv për një etni të vetme.

Ne nuk duhet të kemi frikë të flasim për këto modele në mënyrë transparente, me artikulim të qartë politik dhe me kthjelltësi ndaj momentit gjeopolitik në të cilin ndodhemi. Qeveria aktuale, 24 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, po dëshmon se është legjitime të shtrohet pyetja: a ka ardhur koha të mendojmë për model të ri qeverisës që vërtet e garanton këtë marrëveshje?

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *