Lajme ditore
Aggeler nuk do të jetë më ambasadore e SHBA-së në RMV
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka tërhequr 29 ambasador nga detyra. Gazeta “Politico” duke u thirrur në burime brenda Shtëpisë së Bardhë e ka titulluar artikullin si “Trump përjashton ambasadorët e erës së Biden-it”. Në mesin e ambasadorëve që janë tërhequr është edhe ambasadorja në Shkup, Angela Price Aggeler. Nga rajoni janë tërhequr edhe ambasadorët në Mal të Zi, Sllovaki dhe Armeni.
Aggeler u nominua për misionin e saj diplomatik në Maqedoni të Veriut më 25 maj të vitit 2022 nga ish presidenti amerikan Joe Biden. Aktiviteti i saj diplomatik ishte përkushtuar kryesisht në reformat e sistemit gjyqësor dhe sundimin e ligjit. Gjatë mandatit të saj, në listën e zezë amerikane u futën emra të mëdhenj si: Orce Kamcev, Ramiz Merko, Artan Grubi, Enver Bexheti, Katica Janeva, Stevço Jakimovski, Koço Angjushev dhe bashkëpunëtorët e tyre, përfshi edhe anëtarë të familjeve.
Në prill të vitit 2023, Aggeler e dëshpëruar nga ngecja e reformave dhe mungesa e rezultateve të në sundimin e ligjit, i kishte drejtuar një letër institucioneve gjyqësore dhe Qeverisë. Në letër kishte potencuar shqetësimin e saj për kthimin e lëndëve nga profile të larta nga Gjykata e Apelit në gjykatën e shkallës së parë për rigjykim. Ajo gjithashtu kishte potencuar frikën se një veprim i tillë është bërë praktikë dhe se buron nga paaftësia e gjykatësve të Apelit për të vepruar në kohë. Aggeler kishte theksuar edhe përpjekjet e SHBA-ve për reforma në sundimin e ligjit dhe gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar institucionet në tejkalimin e kësaj gjendjeje. Letra e Aggeler që kishte dridhur themelet e institucioneve ligj zbatuese përfshi edhe ato ekzekutive ishte diskutuar dhe debatuar edhe në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor ku anëtarët akuzuan aso kohe kryetaren e këtij trupi se për dy javë ka fshehur letrën.
Aggeler kishte luajtur në një rol të rëndësishëm edhe gjatë përpilimit të projekteve për Korridorin 8 dhe 10D duke monitoruar zbatimin e procedurave dhe miratimin e ligjeve për realizimin e këtyre dy projekteve. /Alsat.mk
