Lajme
BDI miraton katër rezoluta
Rezoluta 1
REZOLUTË
PËR PËRFORCIMIN E KARAKTERIT UNITAR TË SHTETIT DHE KONSOLIDIMIN E BARAZISË FUNKSIONALE
Duke u mbështetur në vizionin politik, përcaktimet programore dhe angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndërtimin e një shteti demokratik, funksional dhe të drejtë për të gjithë qytetarët;
Duke riafirmuar bindjen se karakteri unitar i Republikës së Maqedonisë së Veriut forcohet vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët dhe komunitetet ndihen realisht të përfaqësuar dhe të përfshirë në proceset vendimmarrëse; Duke konstatuar se uniteti shtetëror nuk ndërtohet mbi shumicë mekanike dhe praktika majorizuese, por mbi legjitimitet të dyfishtë, konsensus institucional dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve;
Duke theksuar se shteti unitar mund të jetë i qëndrueshëm dhe funksional vetëm nëse mbështetet mbi besimin dhe lojalitetin e të gjitha komuniteteve, në frymën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit;
Kongresi vlerëson se përfaqësimi i drejtë dhe barazia funksionale përbëjnë themelin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit institucional të vendit. Në këtë drejtim, angazhimi për mekanizma që garantojnë legjitimitet të dyfishtë në proceset kyçe të qeverisjes është thelbësor për ruajtjen e unitetit dhe funksionalitetit të shtetit.
Kongresi riafirmon qendrimin që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve të pranishëm, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. Kjo do të sigurojë që qeveria të gëzojë legjitimitet të dyfishtë dhe të jetë realisht përfaqësuese për të gjitha etnitë. Ky mekanizëm është garanci për funksionimin e barabartë të shtetit dhe për ruajtjen e kohezionit ndëretnik në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Në të njëjtën kohë, Kongresi thekson rëndësinë e respektimit të parimit të Badenterit edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke vlerësuar se Ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend (në bazë të parimit të Badenterit), nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve. Këto ndryshime do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës. Për më tepër, kjo masë do të ruajë integritetin e ligjeve që miratohen me shumicën të dyfishtë, do të rrisë besimin e qytetarëve në drejtësi dhe do të parandalojë çdo formë të majorizimit institucional.
Kongresi vlerëson se thellimi i decentralizimit dhe fuqizimi i vetëqeverisjes lokale përbëjnë shtyllë të rëndësishme të demokracisë funksionale dhe zhvillimit të barabartë. Në këtë drejtim, kërkohet një fazë e re e decentralizimit funksional dhe fiskal, me transferim të mëtejshëm të kompetencave dhe sigurim të pavarësisë financiare të komunave, me qëllim rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike dhe ndikimit real të qytetarëve në politikat lokale.
Ky orientim politik synon të konsolidojë unitetin e shtetit jo përmes dominimit të shumicës, por përmes partneritetit të barabartë ndëretnik, funksionimit të drejtë të institucioneve dhe fuqizimit të pushtetit lokal. Kjo përbën rrugën e vetme drejt një Republike të Maqedonisë së Veriut stabile, funksionale dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e saj.
Rezoluta 2
REZOLUTË
PËR SHTETIN E SË DREJTËS, DREJTËSINË E PAVARUR
DHE RIKTHIMIN E BESIMIT NË INSTITUCIONE
Duke u mbështetur në vlerat themelore të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe barazisë para ligjit, si parime thelbësore për funksionimin e një shteti modern dhe evropian;
Duke riafirmuar angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndërtimin e institucioneve të forta, profesionale dhe të përgjegjshme, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik;
Duke konstatuar se pa drejtësi të pavarur dhe të paanshme nuk mund të ketë barazi reale ndërmjet qytetarëve, as besim të qëndrueshëm në institucionet shtetërore;
Duke theksuar se drejtësia selektive, mosndëshkimi dhe ndikimi politik mbi organet e drejtësisë minojnë themelet e rendit demokratik dhe prodhojnë pabarazi strukturore në shoqëri;
Duke vlerësuar se korrupsioni sistemik dhe kapja e institucioneve përbëjnë kërcënim serioz për stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën evropiane të vendit;
Kongresi vlerëson se shteti i së drejtës është themeli i kohezionit shoqëror, sigurisë juridike dhe barazisë funksionale ndërmjet qytetarëve dhe komuniteteve. Në këtë drejtim, drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, pa dallim etnie, bindjeje politike apo pozite shoqërore.
Kongresi riafirmon qëndrimin e qartë dhe të pandryshueshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim se rikthimi i besimit në institucione nuk mund të arrihet pa një proces gjithëpërfshirës, të drejtë dhe të besueshëm të vetingut dhe hetimit institucional, pa përjashtime dhe pa selektivitet.
Kongresi vlerëson se gjyqësori dhe prokuroria duhet të jenë të pavarura, me buxhet të mjaftueshëm dhe me respektim të përpiktë të ligjit lidhur me financimin e tyre.
Në këtë frymë, Kongresi miraton këto orientime dhe kërkesa politike:
– Mbështetje e plotë për propozim-ligjin e BDI-së për veting me mbikëqyrje ndërkombëtare, si garanci për drejtësi të pakompromis dhe proces të besueshëm;
–Hetim gjithëpërfshirës për të gjithë bartësit e funksioneve publike në 33 vitet e fundit, përfshirë ministra, deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, gjyqtarë dhe prokurorë;
– Verifikim i pasurisë dhe i prejardhjes së saj për çdo funksionar publik, si standard i domosdoshëm i transparencës dhe përgjegjshmërisë;
–Hetim i thelluar dhe institucional për procesin e privatizimit, i cili ka prodhuar pabarazi strukturore dhe ka krijuar oligarkë të paprekshëm;
–Hetim dhe zbardhje institucionale e veprimtarisë së organeve të sigurisë së shtetit dhe zyrtarëve të tyre nga viti 1945 deri më sot (OZNA, UDB, SDB, DBK, UBK, ANB), në funksion të drejtësisë tranzicionale dhe transparencës historike.
Kjo rezolutë përfaqëson angazhimin politik të BDI-së për rikthimin e besimit në institucione, ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe vendosjen e barazisë reale para ligjit, si themel i një shteti demokratik, funksional dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.
Rezoluta 3
REZOLUTË
PËR MARRËVESHJEN KOMBËTARE PËR PËRPARIM DHE ZHVILLIMIN E QËNDRUESHËM TË VENDIT
Dukeu mbështetur në rrugëtimin historik të vendit dhe në momentet kyçe të guximit politik dhe përgjegjësisë shtetërore, përmes të cilave u ndërtua paqja dhe bashkëjetesa, veçanërisht përmes Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë;
Duke riafirmuar bindjen se këto arritje historike u ndërtuan mbi urtësi, sakrificë dhe besimin e thellë se paqja është themeli i çdo zhvillimi dhe e çdo të mire të përbashkët;
Duke konstatuar se vendi ndodhet sot përpara një kapitulli të ri historik, në të cilin paqja dhe stabiliteti, ndonëse të domosdoshme, nuk janë më të mjaftueshme për të përmbushur pritjet e qytetarëve;
Duke vlerësuar se qytetarët kërkojnë më shumë mundësi, më shumë drejtësi dhe më shumë cilësi jete, ndërsa brezat e rinj meritojnë një të ardhme me perspektivë dhe përparim në vendin e tyre;
Duke theksuar nevojën për një marrëveshje të re shoqërore dhe politike, jo për mbijetesë, por për zhvillim dhe përparim afatgjatë – Marrëveshje Kombëtare për Përparim;
Kongresi vlerëson se përparimi i vërtetë nuk matet vetëm me tregues ekonomikë, por me cilësinë e jetës së qytetarëve, me drejtësinë sociale dhe me mundësitë reale që krijohen për të gjithë. Në këtë drejtim, vizioni zhvillimor ndërtohet mbi një model konkurrues, të drejtë, të qëndrueshëm dhe tërësisht evropian.
Kongresi thekson se në qendër të këtij vizioni qëndron ndërtimi i një ekonomie konkurruese dhe moderne, e udhëhequr nga sektori privat dhe inovacioni. Një ekonomi ku konkurrenca është e ndershme, ku monopoleve, oligarkisë dhe ekonomisë joformale u vihet kufi, dhe ku sistemi tatimor është i drejtë, efikas dhe i barabartë për të gjithë. Mbështetja për biznesin duhet të jetë transparente, e bazuar në performancë dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, duke nxitur investime, punësim dhe integrim në zinxhirët evropianë të vlerës.
Kongresi vlerëson se transformimi digjital përbën katalizator të domosdoshëm të zhvillimit modern. Digjitalizimi i administratës dhe i ekonomisë, si dhe përdorimi strategjik i teknologjive të avancuara dhe Inteligjencës Artificiale, rrisin produktivitetin, përmirësojnë shërbimet publike dhe krijojnë vende pune me vlerë të lartë për brezat e rinj.
Në të njëjtën kohë, Kongresi riafirmon se nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa stabilitet makroekonomik dhe financa publike të shëndosha. Angazhimi për disiplinë fiskale, transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e investimeve kapitale dhe për një menaxhim modern të financave publike, përbën bazë të besueshmërisë institucionale. Digjitalizimi i buxhetit dhe kontrolli i shpenzimeve janë garanci për transparencë dhe përgjegjësi.
Një administratë tatimore e drejtë dhe moderne vlerësohet si shtyllë e këtij modeli zhvillimi. Digjitalizimi i plotë i proceseve tatimore, rimbursimi në kohë i TVSH-së, sistemi elektronik pagesor dhe lufta kundër ekonomisë joformale krijojnë konkurrencë të ndershme, rrisin besimin e bizneseve dhe forcojnë bazën tatimore pa rritur barrën mbi qytetarët.
Kongresi thekson se zhvillimi ekonomik duhet të jetë i gjelbër dhe i qëndrueshëm. Një ekonomi e fortë ndërtohet mbi një mjedis të pastër, energji të sigurt dhe të përballueshme, si dhe përdorim racional të burimeve natyrore. Investimet në energji të ripërtëritshme, efikasitet energjetik dhe bujqësi moderne përbëjnë investime në siguri, pavarësi dhe përparim afatgjatë.
Infrastruktura moderne vlerësohet si kusht për zhvillim të barabartë. Pozicioni strategjik i vendit në korridoret panevropiane (Korridori 8 dhe 10) duhet të shndërrohet në avantazh real ekonomik përmes investimeve në transport, logjistikë, lidhshmëri digjitale dhe infrastrukturë komunale, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe duke krijuar mundësi zhvillimi për çdo rajon. Në këtë kuadër, turizmi përfaqësues, i mbështetur në pasuritë natyrore dhe kulturore, vlerësohet si motor i zhvillimit lokal.
Kongresi riafirmon se njeriu është në qendër të çdo politike publike. Kapitali njerëzor përbën pasurinë më të madhe të shoqërisë. Arsimi cilësor i lidhur me tregun e punës, shëndetësia moderne dhe gjithëpërfshirëse, si dhe siguria sociale e qëndrueshme, janë baza e një shoqërie të fortë dhe kohezive.
Në mënyrë të veçantë, Kongresi thekson se rinia e përfshirë dhe e fuqizuar është garancia e së ardhmes. Politikat publike duhet t’u krijojnë të rinjve perspektivë brenda vendit, përmes arsimit, inovacionit, sipërmarrjes, sportit dhe kulturës, duke frenuar emigrimin, duke nxitur rikthimin e profesionistëve dhe duke shndërruar diasporën në partner zhvillimi.
Kjo rezolutë përfaqëson angazhimin politik të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të bazuar në barazi, respekt dhe solidaritet, duke besuar se përparimi është i qëndrueshëm dhe i fortë vetëm kur krijohet dhe ndahet me të gjithë qytetarët.
Ne dimë të ndërtojmë paqe. Tani duhet të dëshmojmë se dimë të ndërtojmë edhe përparim. Marrëveshja Kombëtare për Përparim nuk është vetëm një politikë – është një angazhim gjithë komuniteteve që jetojnë në Republikën tonë dhe ekspertë të fushave përkatëse. Marrëveshja është një zotim moral, një premtim ndaj fëmijëve tanë dhe një vizion i një vendi ku ëndrrat janë të realizueshme dhe dinjiteti është i garantuar.
Kjo marrëveshje do të jetë arritja jonë e radhës kombëtare – momenti kur stabiliteti do të kthehet në progres dhe paqja do të shndërrohet në përparim. Le të mbetet si dëshmi se ne u bashkuam jo vetëm për të shmangur konfliktin, por për të ndërtuar një jetë më të mirë për çdo qytetar. Përparimi është më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i bukur kur ndahet me të gjithë.
Një e ardhme më e begatë na pret. Së bashku, me urti, unitet dhe vendosmëri, do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë përparimtare Europiane.
Rezolutë 4
REZOLUTË
PËR INTEGRIMIT EVROPIAN
Dukeu mbështetur në vizionin politik, përcaktimet programore dhe angazhimin e vazhdueshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim për ndërtimin e një shteti modern, demokratik dhe funksional, të ndërtuar mbi vlera evropiane dhe standarde të larta të qeverisjes;
Duke riafirmuar bindjen se integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe rrugë e pakthyeshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si mjet për forcimin e demokracisë, stabilitetit, kohezionit shoqëror dhe karakterit multietnik të shtetit;
Duke konstatuar sereformat nuk bëhen për institucionet ndërkombëtare, por për qytetarët, për të ndërtuar institucione më të forta dhe më të besueshme, një ekonomi konkurruese, drejtësi të pavarur dhe standard më të lartë jetese për çdo familje;
Duke theksuar se integrimi evropian garanton paqe afatgjatë, marrëdhënie të mira fqinjësore, rol aktiv të vendit në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe zhvillimit dhe përforcon kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
Kongresi vlerëson se:
Integrimi evropian konsolidon demokracinë, forcon kohezionin shoqëror dhe mbron karakterin multietnik të shtetit si vlerë, jo si pengesë;
Procesi i integrimit është gjithashtu proces i stabilitetit dhe sigurisë, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillim ekonomik dhe investime;
Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë dhe mbetet garant i kursit evropian të vendit, duke udhëhequr me përgjegjësi, maturi politike dhe vizion strategjik;
Si partner i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe faktor stabiliteti në rajon, BDI do të vazhdojë të mbështesë dialogun politik, konsensusin shoqëror dhe reformat evropiane;
Integrimi evropian nuk është alternativë, por rruga e vetme drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të drejtë dhe më të begatë.
Kongresi riafirmon se rruga e integrimit evropian është:
Rruga jonë e pakthyeshme;
Përgjegjësi jonë historike;
E ardhmja që do ta ndërtojmë bashkë.
Kongresi riafirmon se BDI respekton dhe mbështet identitetin kombëtar maqedonas në procesin e integrimit europian duke vlerësuar se vetem një shtet i konsoliduar dhe integruar në BE mund të ruaj dhe kultivojë identitetet kombëtare të popujve këtu.
Kjo rezolutë përcakton angazhimin e Bashkimit Demokratik për Integrim që të mbetet forca udhëheqëse për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për zbatimin e reformave që e bëjnë shtetin më funksional, më të drejtë dhe më të fortë për të gjithë qytetarët e tij.
