Lajme
Ahmeti në Kongres: Populizmi dhe eksperimentet politike rrezikojnë stabilitetin e shtetit
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij në Kongres, theksoi se përgjegjësia politike nuk ndërtohet përmes imponimit, por përmes besimit, përfaqësimit dhe qeverisjes funksionale, duke paralajmëruar për rreziqet që sjellin populizmi dhe politikat e paqëndrueshme.shkruan Top24
Ahmeti vuri në dukje se bota sot përballet me sfida serioze të sigurisë globale, përfshirë konflikte të armatosura, kriza energjetike, presione ekonomike dhe transformime të shpejta teknologjike që po ndryshojnë mënyrën e jetesës dhe të punës.
“Këto zhvillime kërkojnë përballje serioze dhe lidership të përgjegjshëm”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se edhe rajoni ynë po përballet me pasiguri politike, rënie të besimit në institucione dhe lodhje të shoqërisë nga politika të papërgjegjshme dhe të paqëndrueshme.
Sipas tij, në rrethana të tilla, eksperimentet politike janë të rrezikshme, ndërsa populizmi dhe relativizimi i stabilitetit përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për funksionimin e shtetit. “Sot, më shumë se kurrë, shtetit i nevojitet pjekuri politike, vizion afatgjatë dhe maturi në vendimmarrje”, deklaroi Ahmeti.
Në fjalimin e tij, lideri i BDI-së theksoi se një shtet unitar dhe funksional i Maqedonisë së Veriut mund të forcohet vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët ndihen të barabartë, të përfaqësuar realisht dhe të përfshirë në proceset vendimmarrëse.
“Vetëm kështu ndërtohet stabilitet i qëndrueshëm dhe një e ardhme e sigurt për të gjithë qytetarët”, përfundoi Ahmeti.shkruan /Top24/
