Lajme
Votimi në Maqedoni, burime diplomatike: Tirana dhe Prishtina japin miratimin për uljen e avionëve të diasporës
Edhe pse Drejtoria e Aviacionit Civil (DAC) ende nuk ka dhënë pëlqim për aterimin e gjashtë aeroplanëve çarter që pritet të mbërrijnë sot dhe nesër nga Dortmundi, Bazeli dhe Cyrihu – të mbushur me votues shqiptarë të diasporës që synojnë të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunat Kërçovë, Strugë dhe Bërvenicë – sipas burimeve diplomatike, pas vendimit për të mos dhënë leje për aterim, gisht në këtë çështje ka edhe ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski. Ai, thuhet se i ka kërkuar drejtorit të DAC-së, Dragi Stojanovski, të mos japë leje për fluturimet çarter që transportojnë votues shqiptarë nga diaspora.
Megjithatë, për portalin tonë nga burime diplomatike bëhet e ditur se Tirana dhe Prishtina kanë dhënë dritën jeshile për uljen e avionëve të diasporës, duke kërkuar që udhëtimet të realizohen pa pengesa.
Sipas informacioneve që ka siguruar gazeta KOHA, drejtori i DAC-së, Dragi Stojanovski, kuadër i VMRO-DPMNE-së, nuk ka dhënë as sot asnjë shpjegim për refuzimin e lejeve të aterimit dhe as nuk i është përgjigjur thirrjeve të gazetës për të sqaruar situatën. Burime të gazetës pohojnë se vendimi për të mos dhënë leje është marrë me urdhër të drejtpërdrejtë nga ministri Nikollovski, ndërkohë që bëhet fjalë për agjenci turistike që kanë dorëzuar kërkesat për leje aterimi në mënyrë të rregullt, sipas procedurave ligjore dhe brenda afateve, por deri më tani nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga autoritetet kompetente.
Një ditë më parë, përfaqësues të diasporës shqiptare konfirmuan për KOHA-n se vonesat janë të pazakonta dhe po pengojnë organizimin e udhëtimit për qindra bashkatdhetarë që kanë planifikuar të votojnë të dielën. “Janë votues kryesisht shqiptarë të organizuar që duan të votojnë në Bërvenicë, Kërçovë dhe Strugë. Agjencitë që organizojnë fluturimet ankohen se, edhe pse kanë dorëzuar kërkesat në kohë dhe me dokumentacion të plotë, përgjigjet mungojnë”, thanë disa prej tyre për KOHA.
Sipas burimeve të gazetës, vonesat janë të qëllimshme dhe përkojnë me përpjekjet e strukturave partiake për të penguar ardhjen e votuesve shqiptarë nga diaspora, të cilët në raundin e parë të zgjedhjeve kishin ndikuar dukshëm në balancat elektorale në komunat me shumicë shqiptare. Në rast se situata nuk ndryshon gjatë ditës së sotme, agjencitë turistike janë duke përgatitur devijimin e fluturimeve drejt Aeroportit të Tiranës dhe atij të Prishtinës.
Sipas të dhënave të KOHA-s, të dy aeroportet janë informuar zyrtarisht për mundësinë e aterimit të këtyre aeroplanëve nëse Shkupi zyrtar vazhdon të mos japë leje për hyrje në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, komuniteti i diasporës shqiptare e cilëson këtë si një akt të qëllimshëm pengues, duke e lidhur me frikën e Qeverisë se pjesëmarrja masive e mërgatës mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në disa komuna kyçe të vendit.
Ata përkujtojnë edhe vitin 2013, kur ministrja e Punëve të Brendshme e asaj kohe, Gordana Jankullovska, dhe ministri i Transportit, Mile Janakievski, bënin plane për të penguar ardhjen e diasporës shqiptare për të votuar në Kërçovë. Në bisedat e përgjuara që u publikuan nga opozita e atëhershme – LSDM, dëgjohej sesi Jankullovska dhe Janakievski mendonin të shkaktonin aksident trafiku në rrugën Gostivar–Kërçovë dhe të bllokonin qarkullimin për të pamundësuar ardhjen e votuesve shqiptarë. Madje, planet e tyre shkonin aq larg sa sugjeronin që “të minohej mali dhe të bllokohej për dy-tre ditë” rruga Gostivar–Kërçovë dhe ajo Ohër–Kërçovë.
