Bisedimet mes VLEN dhe VMRO për qeverinë e re janë drejt përfundimit.
Grupet e punës kanë arritur të finalizojnë programin e përbashkët qeveritar dhe ndarjen e dikastereve me të cilat do të udhëheqin partnerët e koalicionit qeveritar.
Nga burime të afërta të koalicionit për INA, mësohet se përveç drejtorive tjera të rëndësishme si MEPSO, Rrugët e Maqedonisë, Posta, VLEN do të udhëheq edhe me një institucion në krye të sëcilit nuk ka qenë asnjëherë një shqiptar.
Bëhet fjalë për Drejtorinë e Intelegjencës Financiare do ti takojë koalicionit VLEN, me anë të së cilës do të luftojnë krimin financiar dhe korrupsionin.
Ditëve në vijim pritet të zbardhet e tërë marrëveshja mes VMRO dhe VLEN.(INA)
Në vend se t’i përgjigjej qartë dhe drejt pyetjes së Portalb.mk se “Përse prej afro një viti Qeveria nuk i publikon vendimet dhe procesverbalet edhe në gjuhën shqipe?”, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti vendosi të sulmojë BDI-në, tashmë në opozitë, edhe pse përgjegjësia aktuale për këtë gjë bie mbi koalicionin qeverisës të VLEN-it, pjesë e së cilës është edhe ai vetë. Ajo që pasoi ishte përgjigje plot vetëbesim, por që përmbante një kundërthënie të thellë: fillimisht Mexhiti mohoi kategorikisht se procesverbalet mungojnë në shqip, për të shtuar menjëherë pas kësaj se “prej dje” ato janë edhe në shqip, duke konfirmuar pikërisht mungesën që sapo e mohoi.
“Nuk është e vërtetë (që procesverbalet nuk janë edhe në shqip). Procesverbalet, në vazhdimësi në Qeveritë e kaluara kanë qenë vetëm në maqedonisht. Vetëm ato muaj që ka qenë Talat Xhaferi ka pasur në dy gjuhë, ndërsa 20 vite të tëra Qeveritë e BDI-së i kanë pasur në një gjuhë dhe dje e keni parë edhe dallimin. Seancat që i udhëheq unë me procesverbale janë edhe në gjuhën shqipe, ndërsa tash e tutje, për herë të parë, pa marrë parasysh se kush i udhëheq seancat qeveritare, pavarsisht se kush është kryeministër, edhe procesverbalet do të jenë në dy gjuhë, edhe në gjuhën shqipe, prej dje”, tha Mexhiti.
Nëse situata “ndryshoi” “prej dje”, atëherë çfarë ka ndodhur për gati një vit të tërë në pushtet? Redaksia jonë vëzhgoi faqen zyrtare dhe solli prova vizuale për të dëshmuar se procesverbalet mungojnë në shqip pothuajse që prej verës së kaluar, si dhe më herët.
Por, Mexhiti duhet të informohet më mirë sepse, as dje as pardje e as sot nuk është publikuar asnjë i tillë në shqip.
Këtë gjë mund ta shikoni në videon më poshtë, por edhe të kontrolloni vetë ju lexues në linkun: https://vlada.mk/vladini-sednici?ln=sq i cili deri në qasjen tonë të fundit (ora 14:20 data 18 qershor 2025) është në gjendjen siç shihet në video.
Në mandatin e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Mickoski, ashtu sikurse raportuam dje, vetëm një procesverbal është publikuar në shqip, dhe ai mban datën 11 korrik 2024. Seancat e qeverisë, në versionin shqip të uebfaqes janë madje në maqedonisht, tek-tuk me ndonjë informatë në shqip, por përsëri me mungesë të procesverbaleve.
Pavarësisht se kush është kryeministër, procesverbalet në shqip, kur?
Për pjesën e deklaratës së Mexhitit se “pavarësisht se kush është kryeministër, edhe procesverbalet do të jenë në dy gjuhë”, parashtrojmë kërkesë publike “Si do të realizohet ky premtim?” dhe urojmë që dikush nga zyrtarët e qeverisë, apo PR-i të na përgjigjet në këtë pyetje publike, sepse siç raportuam dje, disa herë në pyetjet tona drejtuar tyre kanë heshtur.
Raportimi i djeshëm madje ngjalli reagimin e Bashkimi Demokratik për Integrim, parti që deri para gati se një viti ishte në pushtet dhe që situata nuk është se ishte më ndryshe. Madje, gjatë periudhës që kryeministër teknik ishte Talat Xhaferi, Qeveria nuk u përgjigjej fare gazetarëve. Ndërkohë, dërgimi i komunkatave me vonesë në gjuhën shqipe është trashëguar pikërisht nga kjo parti.
Kush është në qeveri që 1 vjet, VLEN apo BDI?
Çështja në këtë temë të ndjeshme të gjuhës shqipe më nuk është fajësimi i partive që kanë qenë dikur në pushtet sepse puna e tyre u pa, por çështja është kush mban përgjegjësinë aktuale për këtë 1 vjet?
Fakt është që nuk ka materiale në gjuhën shqipe për këtë periudhë që kemi shkruar kur përgjegjës është Mexhiti dhe kjo është lehtë e dëshmueshme, ndërkaq, për atë se çfarë ka ndodhur më herët me partitë tjera, dhe për ata kemi dëshmuar e shkruar. Çështja në këtë temë është se që në fushatë VLEN-i dhe zyrtarët qeveritar kanë premtuar avancimin e gjuhës shqipe, kanë premtuar se do të jenë “ndryshe nga BDI” dhe se do të sjellin ndryshimin për shqiptarët. Por, realiteti flet tjetër gjë: komunikatat vonohen, procesverbalet nuk publikohen, ndërsa përgjigje nga Qeveria nuk ka as pas katër kërkesave nga Portalb.mk.
Përndryshe, në rast të mos zbatimit të Ligjit për Gjuhët parashikohen gjoba materiale për institucionet dhe për individë fizikë. Mirëpo sanksionet të tilla asnjëherë nuk shqiptohen. Pra, ligjet ekzistojnë vetëm në letër.
Neni 22
(1) Gjobë në shumë prej 4.000 deri në 5.000 euro në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’u shqiptohet organeve të theksuara në nenin 1 paragrafi (3), nenin 2 paragrafi (3), si dhe të gjitha institucioneve tjera për mosrespektimin e dispozitave të këtij ligji.
(2) Gjobë në shumë prej 30% të gjobës së përcaktuar do t’i shqiptohet personit zyrtar dhe personit përgjegjës në organet nga paragrafi 1 i këtij neni.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara./Portalb.mk/
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë në Maqedoninë e Veriut, Arben Fetau, ishte mbrëmë i ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku u përball me një seri pyetjesh të drejtpërdrejta dhe shpesh të sikletshme nga gazetari Ermal Panduri. Gjatë gjithë debatit, Fetau paraqiti një linjë akuzash të paargumentuara, deklarata të diskutueshme dhe qëndrime kontradiktore.
1. Akuza pa fakte ndaj BDI-së – “BDI-ja është pjesë e skenarëve”
Fetau lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e lidhur me rastet “Monstra”, “Kumanova” dhe “Alfa”, ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë në opinionin shqiptar në RMV.
“BDI-ja është pjesë e shumë skenarëve. Nga ‘Monstra’, te ‘Kumanova’ e deri te ‘Alfa’,” – tha Fetau.
Por Panduri reagoi me skepticizëm dhe refuzim të prerë:
“Kjo që thoni është vetëm thashetheme. Nuk ka asnjë fakt, vendim gjyqësor apo dokument. Si vjen në emision për të folur për thashetheme pa prova?”
2. Qëndrimi për “patericat” – një kontradiktë politike?
Fetau tentoi të distancohet nga BDI, duke thënë:
“Ali Ahmeti ka shumë paterica politike. Ne nuk kemi pranuar të jemi patericë e askujt.”
Por Panduri e sfidoi me një kundërpyetje therëse:
“A është më mirë të jesh patericë e Ali Ahmetit, apo e Hristijan Mickoskit, i cili është njeri i Vuçiqit?”
Fetau shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke e lënë të hapur dilemën për orientimin real politik të VLEN-it në qeverinë e re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
3. “Karrierizëm i sëmurë” dhe kalimet politike
Në një nga momentet më të tensionuara, Panduri i përmendi Fetaut deklaratën e Arben Taravarit, i cili e kishte quajtur atë “karrierist të sëmurë”, dhe i kujtoi të kaluarën e tij politike me një sërë partish:
“Ishe me Vetëvendosjen – e latë. Me PSD-në – e latët. Me Selën – e latë. Me Taravarin – e latë. A do ta lini edhe VLEN-in?”
Fetau nuk dha përgjigje të prerë, por u përpoq të paraqitet si përfaqësues i një Aleance “që nuk është pronë e individëve”.
4. Ndaj Taravarit – deklarata të forta për prapaskena politike
Fetau deklaroi publikisht se është njoftuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut se Arben Taravari ka kërkuar që pas zgjedhjeve lokale të largojë VLEN-in nga qeveria dhe të rikthejë BDI-në. Ai shtoi se 80% e ASH-së mbetet pjesë e koalicionit VLEN dhe se Taravari udhëheq vetëm një grup të vogël që do ta braktisin, sipas tij, kur ai të zyrtarizojë bashkëpunimin me BDI-në.
5. Përfundimi – një intervistë më shumë mbrojtëse sesa bindëse
Gjatë gjithë emisionit, Fetau u shfaq më tepër si i mbrojtur, në pozicion arsyetues, duke lëshuar akuza të rënda, por pa i mbështetur me dokumente apo prova konkrete.
Përballë një gazetari me përvojë si Panduri, Fetau nuk arriti të japë përgjigje të qarta për çështjet kyçe si: bashkëpunimi me VMRO-në, orientimi politik i VLEN-it, përçarja brenda ASH-së dhe pozita reale e shqiptarëve në këtë qeveri të re.
Në fund, intervista më shumë ngriti pyetje sesa dha përgjigje – dhe tregoi se përplasjet mes ish-aleatëve dhe brenda spektrit opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut sapo kanë filluar. Flaka Media
Arben Fetai në emisionin “Debat Plus” ka theksuar se Ali Ahmeti ka shumë paterica të tij ndërsa ne nuk kemi pranuar të jemi patericë e Ali Ahmetit. Në këtë konstatim ka ndërhyrë gazetari Panduri i cili e pyeti se nëse është e më mirë të jesh patericë e Ali Ahmetit apo të jesh patericë e Hristjan Mickovskit i cili është njeri Vuçiçit, shkruan Top24