Lajme
VLEN drejt fragmentimit të pashmangshëm? Tensionet e brendshme rrezikojnë kohezionin qeveritar
Burime të afërta me zhvillimet politike flasin për tensione në rritje brenda koalicionit qeveritar VLEN, ku partitë përbërëse po përballen me ndasi të theksuara për ndarjen e komunave dhe kandidaturat.
Në Saraj, që shihet si bastioni kyç i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit, përplasjet janë të hapura. Alternativa ka hedhur në garë Orhan Mirtezanin, ndërsa Besa kandidon Hasim Murtezanin. Nga ana tjetër, Lëvizja Demokratike prezanton Muhamed Elmazin. Të gjitha partitë me kandidatë të veçantë – një sinjal i qartë për mungesën e konsensusit dhe rritjen e përçarjes në terren.
Ndërkohë në Tearcë, përplasjet mes Daut Memishit (Besa) dhe Amir Elezit (Alternativa) kanë marrë përmasa të thella, me burime që nuk përjashtojnë garim të ndarë – një skenar që nëse realizohet, do të ishte goditje e rëndë për imazhin e unitetit qeveritar.
Nga ajo që mësohet, edhe në komunat e tjera ndarja e pushtetit lokal po shfaqet si mollë sherri, me shumë struktura lokale që refuzojnë imponimet nga qendra. Vetë lideri i LD-së, Izet Mexhiti, thuhet se i ka dhënë prioritet Sarajit, duke parë rrezikun e madh që i kanoset në Çair nga Bujar Osmani dhe BDI.
Një tjetër zhvillim interesant është që Bashkim Bakiut, figura në rritje brenda VLEN, i është tërhequr vëmendja që të mos krijojë “ambicie të kota”, sinjal që tregon tensionet përbrenda edhe në rrafshin e hierarkisë së brendshme.
Sondazhet e fundit që po qarkullojnë janë përshkruar si “blerje kohe”, dhe më tepër si mjete psikologjike për të frenuar shpërbërjen. Megjithatë, sipas analizave të brendshme, ditët në vijim pritet një përçarje e thellë dhe e pashmangshme. Flitet se çdo parti është duke përgatitur terrenin për garim të ndarë, për të ruajtur kontrollin në bastionet e veta tradicionale.
Në vend të unitetit, VLEN po përballet me një fragmentim të heshtur që mund të shpërthejë publikisht në çdo moment.
