Lajme
Valbon Limani i pranishëm në Kupën e Gostivarit në Mërgim: Simbol i lidhjes së fortë me vendlindjen
Në Sporthalle Tägi, në Wettingen të Kantonit Aargau, u mbajt aktiviteti sportiv “Kupa e Gostivarit në Mërgim 2026”, i organizuar nga Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim i cili mbahet për të tretin vit me radhë.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Valbon Limani i shoqëruar nga Kryesuesi i Këshillit të Komunës së Gostivarit, Valdet Xhaferi dhe Ambasadori i shtetit tonë në Zvicër z. Rexhep Demiri.
Me këtë rast, kryetari Limani ndau mirënjohje për organizatorët në emër të Komunës së Gostivarit, duke vlerësuar kontributin e tyre të vazhdueshëm në organizimin e jetës shoqërore, sportive dhe kulturore të bashkatdhetarëve në mërgim, si dhe përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj vendlindjes.
Kontributi dhe angazhimi i mërgatës për ruajtjen dhe kultivimin e frymës kombëtare dhe fetare, si dhe lidhja e fortë me vendlindjen, përbëjnë një vlerë të çmuar që meriton respekt dhe mirënjohje të veçantë.
Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me mërgatën dhe në mbështetjen e iniciativave që promovojnë unitetin, identitetin dhe vlerat tona të përbashkëta.
