Connect with us

Lajme

Të rinjtë do të largoheshin nga Maqedonia e Veriut në mundësinë e parë, nga mbi 140 mijë persona të papunë 17 janë doktorë shkencash

Published

on

Të rinjtë do të largoheshin nga Maqedonia e Veriut në mundësinë e parë që do t’u jepej. Portalb-i bisedoi me disa prej tyre, mundësitë e vogla për punësim, niveli i lartë i korrupsionit dhe shëndetësia e keqe janë disa prej faktorëve që i shtynë ata drejt largimit. Agjencia për Punësim ndërkohë ka regjistruar 141 mijë persona të papunë, në mesin e tyre ka edhe magjistra dhe doktorë shkencash.

Sytë jashtë vendit

Marina Klimoska është studente dhe aktualisht jeton në Shkup. Ajo theksoi se Maqedonia e Veriut nuk i ofron mjaftueshëm mundësi për përparim në karrierë ndërsa aktualisht punon përmes internetit për kompani të huaja.

E pyetur nëse do të largohej nga vendi, ajo tha me siguri që po.

“Si faktor kryesor do të përmendja mundësitë, të cilat jashtë i kemi shumë më të mëdha sesa këtu tek ne. Gjithsesi, këtu ndikon edhe vetë sistemi në shtetin tonë. Përveç mundësive të kufizuara për karrierë, ndikojnë edhe korrupsioni, niveli i ulët i edukimit, cilësia e shëndetësisë dhe i gjithë sistemi në përgjithësi”, tha Klimoska.

Lazi Tefiki është në prag të përfundimit të studimeve për Shkenca Kompjuterike në Tetovë. Sipas tij, në Maqedoninë e Veriut edhe nëse gjen punë, pagat janë të vogla ndërkaq standardi është rritur shumë. Ai këtë verë do të largohet për në Amerikë.ë

“Po shkoj për disa arsye, duke filluar nga ekonomia e dobët, nuk e shoh këtu një të ardhme të ndritshme. Nuk e shoh si një vend në të cilin do të mund të punoj. Edhe nëse gjejmë një punë, nuk ia vlen në fund të ditës, pasi standardi i jetesës është rritur dhe çdo gjë është bërë më e shtrenjtë. Vendi nuk ofron mundësi për të gjithë të rinjtë, si ata të moshës sime”, tha Tefiki.

Stefan Atanasovski Trajkovic aktualisht jeton në Veles ndërsa studion në Fakultetin Filozofik në Shkup. Sipas tij, nuk është problematike nëse të rinjtë largohen nga vendi, por fakti që të gjithë ata që largohen, nuk duan të kthehen më. Stefani gjithashtu do të ishte larguar nëse do i vinte mundësia.

“Por, do të isha kthyer që me përvojën e fituar jashtë, të kontribuojë për zhvillim më të madh të shoqërisë tonë. Megjithatë, pyetja këtu që ja vlen të bëhet është jo vetëm nëse të rinjtë do të largoheshin, por sa prej atyre të rinjve që janë larguar, do të ktheheshin këtu, dhe në këtë pjesë ekzistojnë statistika të cilat janë tronditëse, edhe pse kemi numër të madh të të rinjve që dëshirojnë të largohen, pjesa më e madhe e kësaj popullate nuk duan që të kthehen”, tha Atanasovski Trajkovic.

Rami Omeri nga ana tjetër ka shpresë se edhe në Maqedoninë e Veriut mund të bëhet mirë. Ai për Portalb-in tha se është koha që të rinjtë të marrin përgjegjësi më shumë dhe të fillojnë të bëjnë ndryshimin, pasi sipas tij, ta lëshosh vendlindjen nuk i zgjidh gjithmonë problemet.

“Unë personalisht nuk e kam menduar të largohem nga vendi për shkak se mendoj që edhe këtu mund të krijojmë gjëra shumë të mira, duke marrë përgjegjësi dhe duke filluar të punojmë shumë më shumë. Por e shikoj se shumë të rinj marrin vendimin për t’u larguar nga vendi, edhe kjo është diçka e kuptueshme por unë personalisht mendoj se edhe këtu mund ta sjellim ndryshimin përpara se ta marrim një vendim aq të rëndësishëm për ta lëshuar vendlindjen tonë”, tha Rami Omeri.

141 mijë persona janë të regjistruar si të papunë në Maqedoninë e Veriut

Të dhënat në Agjencinë për Punësim tregojnë që në vend ka shumë persona të cilët presin që shteti t’i punësojë. 96,731 persona janë kërkues aktiv të punës ndërsa 44,216 persona janë kërkues pasiv të punës.

Pjesa më e madhe e personave të papunë janë gra ndërsa 17,324 prej kërkuesve aktiv të punës janë të moshës nën 29 vjeç. Mbi 70% prej tyre presin punësim tash më shumë se 12 muaj

Përkundër që pjesa më e madhe prej tyre, apo 60% janë vetëm me arsim fillor, në mesin e personave që në mënyrë aktive kërkojnë punë përmes Agjencisë për Punësim ka edhe magjistra dhe doktorë shkencash.

Përkatësisht, 6,712 prej tyre janë me arsim të lartë ndërsa 17 doktorë shkencash.

Pavarësisht numrit të madh të të papunëve të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, punëdhënësit po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim për vështirësitë në gjetjen e punëtorëve të kualifikuar.

Një nga arsyet pse punëdhënësit po përballen me vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës është mungesa e punëtorëve me arsim dhe kualifikime të përshtatshme.

Shumica e personave të regjistruar si të papunë nuk posedojnë asnjë njohuri dhe aftësi për të kryer detyra specifike pune, pra janë njerëz pa asnjë profesion. Kjo i bën këta njerëz të vështirë për t’u punësuar, dhe mungesa e tyre afatgjatë nga tregu i punës e ndërlikon më tej përfshirjen e tyre në të.

Nga ana tjetër, një numër i madh i këtyre personave të papunë janë përfitues të ndihmës sociale, sepse Ligji për Mbrojtjen Sociale i detyron ata të regjistrohen në Agjencinë e Punësimit si kërkues aktivë të punës. Kjo do të thotë se ata kanë disa të ardhura bazuar në ndihmën financiare në familje me të cilën mbulojnë shpenzimet themelore të jetesës.

Ndryshe, në fund të muajit maj 2025 Qeveria e RMV-së miratoi planin e ri operativ për punësim, ku parashikohet që gjithsej 720 të rinj do të marrin mbështetje për vetëpunësim (të rinj të punësuar deri në moshën 29 vjeç), dhe me masën, ata do të marrin mbështetje për të filluar ose formalizuar biznesin e tyre, me kusht që të jenë të regjistruar në APRMV me të paktën arsim fillor të përfunduar.

Sipas planit, do të ndahen 40 milionë euro për punësimin e 16,000 qytetarëve. Shuma e mbështetjes financiare për të rinjtë e papunë është 615,000 denarë (fonde të pakthyeshme për fillimin e një biznesi). Të gjithë masat mund t’i lexoni në artikullin në vijim: 720 të rinj të papunë në RMV planifikohet të marrin nga rreth 10,000 euro për të filluar biznes.

Kujtojmë që Komisioni Evropian në Raportin e vitit 2024 të progresit vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka arritur përparim në fushën e politikës sociale dhe punësimit, por sërish mbetet me përgatitje mesatare. Shkalla e papunësisë është ulur dhe përfitimet e ndihmës sociale janë rritur, ndërsa shkalla e varfërisë ka rënë, megjithatë ajo mbetet ende e lartë. Ngjashëm edhe te pjesa e të rinjve, Raporti theksoi se RMV-ja duhet të zbatojë strategjinë e aktivizimit të tregut të punës për të rinjtë. KE-ja theksoi se kapaciteti i Agjencisë për Punësim duhet të përmirësohet më tej./Portalb.mk/

Continue Reading

Lajme

Shaip Zeneli: Në M-Nav pesë maqedonas e asnjë shqiptar. Ju nuk jeni vetëm edepsëza, po edhe tradhtarë

Published

on

By

Shaip Zeneli nga BDI ka dalë me të dhëna të reja për punsimet e shqiptarëve. Ai thotë se në M-Nav janë punësuar 5 maqedonas kurse asnjë shqiptar, njofton Top24.mk.

“Në M-Nav pesë maqedonas e asnjë shqiptar.

Kur punësoheshin shqiptarët në M-Nav kishte protesta gjoja për profesionalizëm e sot ku jeni? Ku mbeti profesionalizmi kur edhe familjarë të dënuar për terrorizëm punësohen?
Nuk mjaftut me këtë po në propozim keni edhe heqjen e nenit 96 nga Ligji për Policinë, nen që parasheh përfaqësim të drejtë dhe adekuat në këtë institucion. Propozim-ligji është sot në seancë plenare!!
Dhe kjo po ndodh në heshtje, me dorën e atyre që thonë “rini rehat”…
Po çfarë rahatije me juve, tradhti mbi tradhti.
Ju nuk jeni vetëm edepsëza, po edhe tradhtarë që ja kaloni edhe vet Rrahman Morinës.
Pishpirika”, shkruan Zeneli.

Continue Reading

Lajme

Kontrollorët te M-NAV përsëri në protestë pasi në konkursin e fundit u punësuan familjarë të pushtetarëve dhe partiakëve

Published

on

By

Në shpalljen kontestuese, për shkak të së cilës më 10 korrik kontrollorët e fluturimeve në Navigacionin e Maqedonisë (M-NAV) u kërcënuan se do të hidheshin në grevë, janë pranuar: Ivana Jug – bashkëshortja e të ndjerit Igor Jug, njërit prej të dënuarve për sulmin e organizuar në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, Atanas Stamnov – bashkëshorti i drejtoreshës së Regjistrit Qendror të Maqedonisë, Anita Stamnova, si dhe nënkryetari i Unionit të Forcave të Reja të VMRO-DPMNE-së, Filip Gjorgjiev, zbulon SAKAMDAKAZAM.MK, përcjell Portalb.mk.

Gjorgjiev është pranuar në vendin e punës “studentit AI”, ndërsa Jug dhe Stamnov janë pranuar në vendin e punës “ndihmës për zhvillim, investime dhe prokurime”.

Tashmë disa ditë me radhë me këmbëngulje e kërkojnë Drejtorin e M-NAV, Vlladimir Risteski, për ta pyetur nëse gjatë procesit të punësimit ishte e rëndësishme që kandidatët të ishin anëtarë të partisë, si dhe për pyetje të tjera, por ai as nuk iu përgjigjet telefonatave dhe as nuk përgjigjet në mesazhet e dërguara në SMS dhe Viber.

Risteskin, me të cilin në Këshillin Drejtues të M-NAV janë edhe drejtorët Kliment Çepunjoski dhe Fatmir Zimberi, fillimisht e pyetëm se pse dje (16.07.2025) u ripublikua një pjesë e kësaj shpallje, për tre vende pune (dy me arsim të mesëm dhe një vend për “këshilltar” me arsim të lartë).

Informacioni jozyrtar është se kandidatët e tjerë nuk e kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm, domethënë nuk i i kanë plotësuar kushtet, prandaj dje është shpallur, ripublikuar një pjesë e shpalljes nga data 9 korrik, vetëm për ato vende që pothuajse u zunë nga kandidatë të tjerë pa lidhje partiake. Njëri nga kandidatët është refuzuar sepse nuk ka pasur njohuri nga gjuha angleze.

Shpallja është përsëritur për vendin e punës “operator i transmetimit të të dhënave dhe autorizim dhe mbikëqyrje të fluturimeve”, për vendin e punës “student AI” dhe për vendin e punës “këshilltar i pavarur”.

Drejtori nuk na u përgjigj as dhe se pse në fazën e dytë kandidatët janë intervistuar vetëm nga tre drejtorët, pa dëshmitarë? Punonjësit në M-NAV thonë se ata nuk kanë lejuar që gjatë intervistimit të marrë pjesë madje as procesverbalisti.

Sipas marrëveshjes së arritur nga menaxhmenti i M-NAV, Qeveria dhe Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimit, për ta parandaluar grevën dhe mbylljen e qiellit mbi Maqedoni, gjatë intervistave me kandidatët për punësim për cilin do vend punë në këtë ndërmarrje shtetërore, detyrimisht është dashur të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Sindikatës.

Greva e kontrollorëve të fluturimeve e planifikuar për më 10 korrik u parandalua sepse Qeveria garantoi se do t’i përmbushte të gjitha kërkesat e përcjella përmes Sindikatës. Duhej të merrnin fund punësimet partiake, duhej të merrej miratimi nga Ministria e Financave për një shpallje për të paktën 6 kontrollorë të fluturimeve, sepse ka mungesë të tyre, si dhe meteorologëve, inxhinierëve dhe profesionet e tjera qenësore. Duhet të ishte shpallur edhe një tender për përzgjedhjen e një agjencie ndërkombëtare, të pavarur, e cila do të kryente një analizë të gjendjes aktuale në M-NAV, si dhe pozitave qenësore që duhen plotësuar për funksionimin normal të ndërmarrjes, por Sindikata e Kontrollorëve të Fluturimeve u mashtrua.

Sa i përket temës së punësimeve me libreza partiake më 14 korrik kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në ngjarjen “Një vit me rezultate” në të cilin Drejtoria e Doganave raportoi për punën e saj në vitin paraprak, tha:

“Për një vit me punë të palodhur, vizion dhe një qasje ekonomike, po e ngrejmë vendin në këmbë, pjesë pas pjese, institucion pas institucioni, sistem pas sistemi. Qytetarët e njohin qasjen e re. Ata e dinë se ne nuk premtojmë mrekulli, se punojmë shumë çdo ditë për të ndërtuar një sistem që nuk varet nga librezat partiake, por nga drejtësia, llogaridhënia dhe barazia.”

Mickoski, si udhëheqës i opozitës, deklaroi: “Librezat partiake nuk duhet të jenë kriter për punësim.” Ai tha edhe se: “Nëse duam të ndërtojmë një shtet të bazuar në njohuri dhe kompetenca, librezat partiake nuk duhet të jenë kriter për punësim, por njohuritë dhe aftësitë. Ajo që po e them tani mund të mos u pëlqejë shumë njerëzve edhe në partinë tonë, por mendoj se diku duhet të fillohet. Dhe nëse ne duhet ta fillojmë këtë si shumë procese në shtet, le të fillojmë.”

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë (SKTAM) më 10 korrik e anuloi vendimin e shpallur për grevë, e cila duhej të zhvillohej atë ditë. Kryetari i SKTAM-së, Aleksandar Tasevski, tha se kërkesat e sindikatës po ecin përpara, më saktësisht, kërkesa për punësimin e kontrollorëve dhe për zbatimin e një analize funksionale që duhet të përcaktojë se cilat vende pune dhe sa drejtues nevojiten është miratuar.

Kujtojmë se, sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Maqedonisë më 19 qershor i kishte dërguar një letër paralajmëruese Bordit të Drejtorëve të Navigacionit Maqedonas (M-NAV) se më 10 korrik, kontrollorët do të hyjnë në grevë dhe do të mbyllin qiellin nëse vazhdon të punësohet personel i panevojshëm partiak në vend të kontrollorëve të trafikut ajror, inxhinierëve dhe meteorologëve.

Reagimi i tyre erdhi pas një konkursi për punë të shpallur nga MNAV.

Continue Reading

Lajme

Parlamenti Evropian: Korrupsioni i nivelit të lartë dhe mosbesimi në drejtësi pengojnë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së

Published

on

By

Pasi e miratoi raportin e tij të fundit mbi Maqedoninë e Veriut, Parlamenti Evropian thekson se përparimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në merita dhe përmbushjen e Kriterëve të Kopenhagës. Eurodeputetët shprehën shqetësim serioz për përkeqësimin e gjendjes në luftën kundër korrupsionit dhe besimin gjithnjë e më të ulët të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Raporti nënvizon se ndonëse vendi ka miratuar reforma të rëndësishme, zbatimi mbetet i mangët, veçanërisht në fushat e qeverisjes, administratës publike, sundimit të ligjit dhe politikës kundër korrupsionit.

“Korrupsioni në nivele të larta vazhdon të jetë një sfidë madhore,” – thuhet në raport. Eurodeputetët kërkojnë pavarësi më të fuqishme të gjyqësorit, më shumë llogaridhënie dhe resurse të mjaftueshme për institucionet mbikëqyrëse, si mënyra e vetme për të rivendosur besimin e publikut.

Përkundër një agjende ambicioze për reforma dhe një mbështetje financiare prej 750 milionë eurosh nga BE, vendi përballet me pengesa të brendshme dhe të jashtme, përfshirë ndikimet destabilizuese të dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Continue Reading

TOP Lajme