Connect with us

Lajme

Taravari: Stabiliteti i brendshëm dhe partneriteti strategjik, çelësi i pozicionit të Maqedonisë së Veriut

Published

on

Në një seri intervistash për portalin “Llokallno”, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, komentoi situatën aktuale ndërkombëtare dhe pozicionin e Maqedonisë së Veriut në raport me fuqitë e mëdha, duke dhënë perspektivë mbi politikën e jashtme, stabilitetin e brendshëm dhe vlerat që duhet të udhëheqin vendin.

Roli i SHBA-së dhe Bashkimit Evropian

Duke folur për tensionet globale dhe marrëdhëniet me SHBA-në dhe Evropën, Taravari thekson se edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë kaluar periudha të ndryshme politike, roli i tyre historik nuk mund të zhbëhet.

“Amerika është vendi i lirisë. Presidentët e saj kanë shkruar, kanë luftuar dhe madje kanë sakrifikuar jetën për të. Disa shekuj ndriçimi mbi lirinë dhe barazinë nuk mund të fshihen nga disa vite me qëndrime të ndryshme. Mund të jenë vite të vështira, por janë kalimtare”, tha Taravari.

Ai shton se pozicioni i SHBA-së si partner strategjik mbetet themelor, ndërsa Bashkimi Evropian është “shtëpia jonë organike” dhe baza për vlera të përbashkëta. “Ne mund të përfitojmë më të mirën nga superfuqitë, por duhet të mbetemi evropianë dhe proamerikanë”, thekson ai.

Mospërfshirja e Maqedonisë në Bordin e Paqes

Taravari vlerëson se mospërfshirja e vendit në Bordin Ndërkombëtar të Paqes, ku marrin pjesë Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria, është një sinjal për nevojën për të qartësuar pozicionet strategjike të vendit.

“Si shqiptar, ndihem mirë që Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Por si qytetar i Maqedonisë së Veriut, sigurisht që ndihem i anashkaluar. Kjo është një thirrje e hapur që të jemi më të qartë në pozicionet tona, veçanërisht në rrugën që duam të ndjekim”, tha Taravari.

Rreziku nga politika e përçarjes dhe tensionet ndërkombëtare

Analiza e Taravarit është e qartë: politika e “provokimit dhe inatit” në marrëdhëniet me fuqitë e mëdha mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

“Nën ndikimin e politikave ultranacionaliste, të cilat për të ardhur në pushtet i kanë thelluar edhe më shumë ndarjet etnike, Maqedonia dhe politikanët e saj nuk kanë ditur dhe ende nuk dinë të konsolidohen si shtet i qëndrueshëm. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk po lëvizim përpara, pse po injorohemi, pse nuk po zhvillohemi dhe pse madje po e rrezikojmë vetveten”, paralajmëron Taravari.

Stabiliteti i brendshëm si çelës i suksesit ndërkombëtar

Taravari nënvizon se forca dhe stabiliteti i brendshëm janë parakusht për ndikim ndërkombëtar. Ai e merr shembull Zvicrën:

“Ne do ta forconim meritokracinë dhe barazinë. Nëse siguron mundësi të barabarta në një shtet multietnik, ke siguruar stabilitet të jashtëzakonshëm. Zvicra, edhe pse nuk ka asnjë kombësi të vetme zvicerane, funksionon si një nga shtetet më të konsoliduara në botë. Sa më të fortë të jemi në vend, aq më me ndikim do të jemi jashtë. Kjo stabilitet i brendshëm do të na bënte më të respektuar ndërkombëtarisht dhe do të na mundësonte të kemi pozicione më të forta si evropianë dhe si progresistë, ashtu siç jemi dhe duhet të jemi”, shprehet ai.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *