Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari në intervistën “Politico” te Kanal 10 foli për nevojën që Maqedonisë së Veriut i nevojitet një Kushtetutë e re, për shkak se, siç thotë Taravari, është e padrejtë.
“Unë si kandidat për president e kam thënë njëlloj sikurse presidenti aktual Pendarovski, i cili para 6-7 muajve propozoi që Maqedonia duhet të bisedojë dhe të hapë debat për një Kushtetutë të re. Unë absolutisht pajtohem se Maqedonisë i duhet Kushtetutë e re sepse kjo Kushtetutë aktuale e Maqedonisë është votuar në vitin 1991 dhe është përgatitur ekspertët për 2-3 muajve, edhe pse Kushtetutës i duhet minimum 1 vjet për Kushtetutë kualitative”, tha Taravari duke shtuar se Kushtetutën e vitit 1991 nuk e kanë votuar shqiptarët, ndonëse është përditësuar me Marrëveshjen e Ohrit.
Sipas Taravarit, shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për një Kushtetutë të re e cila do të reflektojë realitetin demografik të Maqedonisë së Veriut dhe se me regjistrimin e fundit, maqedonasit janë 54%, ndërsa shqiptarët janë 31% dhe nuk duhet të barazohem me pakicat tjera.
Në pyetjen se kush e pengon miratimin e një Kushtetutë të re, Taravari theksoi se problemi kryesor në Maqedoni është ndikimi serb.
“Këtu Serbia ka ndikim të jashtëzakonshëm, ndërsa Maqedonia dhe Mali i Zi janë dy shtetet ku Serbia ka më së shumti ndikim”, tha Taravari.