Lajme
Taipi: Kur bota përgatitet për luftë, politikanët shqiptarë në RMV luftojnë për karrige
Kryetari i kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi përmes një shkrimi ka folur për situatën politike në botë dhe për rrethanat në të cilat ndodhet Maqedonia e Veriut dhe rajoni. Taipi në analizën e tij shkruan se në një moment kur bota dhe fuqitë kryesore evropiane, si Anglia, Gjermania, Franca po riorganizojnë strategjitë e tyre politike dhe ushtarake përballë një rreziku që po merr përmasa të një lufte botërore, politikanët shqiptarë në RMV janë zhytur në beteja të vogla për poste administrative: drejtorë pyjesh e kullotash, drejtorë këtu e zëvendësdrejtorë atje, shkruan Top24
“Kur bota përgatitet për luftë, politikanët shqiptarë në RMV luftojnë për karrige.
Derisa fuqitë kryesore evropiane, si Anglia, Gjermania, Franca po riorganizojnë strategjitë e tyre politike dhe ushtarake përballë një rreziku që po merr përmasa të një lufte botërore, politikanët shqiptarë në RMV janë zhytur në beteja të vogla për poste administrative: drejtorë pyjesh e kullotash, drejtorë këtu e zëvendësdrejtorë atje. Poste që shërbejnë më shumë për rehati personale dhe pazare partiake sesa për ndërtimin e një vizioni shtetformues dhe kombëtar.
Në partitë politike shqiptare në RMV nuk ekziston asnjë strategji afatgjatë për mbrojtjen e interesave kombëtare, asnjë platformë serioze për sigurinë dhe asnjë reflektim i thellë mbi pasojat që një konflikt rajonal apo global do të kishte mbi një popull që historikisht ka qenë viktimë e përplasjeve të të tjerëve.
Derisa partitë politike shqiptare në RMV të vazhdojnë të luftojnë vetëm për poste dhe interesa të ngushta, pa e kuptuar se bashkimi përballë rrezikut është ligj i mbijetesës, tokat tona do të mbeten nën kontrollin e të tjerëve dhe populli shqiptar do të vazhdojë të jetojë i nënshtruar në vendin e vet”, përfundon Taipi.
