Connect with us

Lajme

Shqipëria, ndër vendet më të avancuara drejt BE-së, RMV të ecë përpara me reformat

Published

on

Eurodeputeti bullgar dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të BE-së për Anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, Andrei Kovaçeviç, gjatë një vizite në Pustec, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të ardhmen e përbashkët të vendeve të rajonit.

“Procesi i integrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dyja palët – Bashkimin Evropian dhe vendet kandidate,” tha ai. “Në këtë situatë të ndjeshme gjeopolitike, është koha që BE të pranojë sa më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Kovaçeviç theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të negociatave me BE, duke shtuar se “shpresa është që në vitet e ardhshme disa vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, të bëhen anëtare me të drejta të plota të Unionit”.

Eurodeputeti bullgar foli edhe për rëndësinë e fqinjësisë së mirë, lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes vendeve të rajonit, duke apeluar që “Ballkani të lërë pas ndarjet e së kaluarës dhe të investojë në ura bashkëpunimi, ku kufijtë të jenë simbolikë, si në vendet e tjera të BE-së”.

Ai e cilësoi shoqërinë shqiptare si “një nga më pro-evropianet dhe euroatlantiket në rajon” dhe vlerësoi unitetin e mazhorancës dhe opozitës për çështjen e integrimit.

Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, Kovaçeviç tha se Bullgaria nuk e pengon rrugëtimin e saj drejt BE-së, përkundrazi e mbështet, por kërkon “përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë dhe ndalimin e çdo forme diskriminimi ndaj atyre që deklarojnë identitetin e tyre bullgar”.

Ai i bëri apel kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski “të lërë pas parullat e vjetra dhe të nisin sa më parë negociatat e anëtarësimit”.

Gjatë vizitës në Pustec, Kovaçeviç ishte i shoqëruar nga një grup mjekësh bullgarë, të cilët zhvilluan vizita dhe ekzaminime falas për banorët e zonës, si pjesë e një nisme humanitare që synon forcimin e lidhjeve mes Bullgarisë dhe komunitetit bullgar në Shqipëri.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *