Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 34-vjetorin e pavarësisë së saj, në një moment kur shteti ndodhet i bllokuar në procesin e integrimit evropian.
Trazirat politike dhe shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, sollën edhe pavarësimin e Maqedonisë, e cila ishte njëra nga gjashtë republikat përbërëse të federatës.
Më 8 shtator të vitit 1991 u mbajt referendumi historik, ku qytetarët me shumicë dërrmuese votuan për shtet të pavarur dhe sovran. Pas këtij akti, Maqedonia shpalli pavarësinë, ndërsa Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i shtetit të ri.
Nga aspekti monetar, vendi vendosi denarin si valutë kombëtare më 26 prill të vitit 1992, ndërsa një vit më vonë, më 18 gusht 1992, u formua edhe Ushtria e Republikës së Maqedonisë.
Subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit u konfirmua më 8 prill 1993, kur Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e Kombeve të Bashkuara. Për shkak të kundërshtimeve të Greqisë ndaj emrit kushtetues, anëtarësimi u bë nën referencën e përkohshme “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë” (IRJM). Ky kontest për emrin e shtetit e mbajti të bllokuar për gati tri dekada procesin euroatlantik.
Zgjidhja erdhi vetëm më 17 qershor 2018, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, që parashikoi përdorimin e emrit të ri Republika e Maqedonisë së Veriut. Në shtator 2018 u mbajt një referendum këshillimor, ku shumica e qytetarëve që morën pjesë votuan pro marrëveshjes dhe rrugës drejt NATO-s dhe BE-së.
Si rezultat, më 27 mars 2020 Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s, duke u bërë vendi i 30-të i Aleancës.
Nga ana tjetër, rrugëtimi evropian mbetet ende i ndërlikuar. Edhe pse vendi fitoi statusin e kandidatit më 2005, dhe më 19 korrik 2022 nisi zyrtarisht negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, procesi është kushtëzuar me ndryshime kushtetuese. Këto ndryshime duhet të sigurojnë përfshirjen e bullgarëve si komunitet shtetformues në Kushtetutë, si pjesë e marrëveshjes dhe protokollit bilateral me Bullgarinë fqinje.
Pengesa politike dhe mosmarrëveshjet me Sofjen e kanë bllokuar hapjen e kapitujve të parë të negociatave, duke lënë vendin në një status të pasigurt integrues, ndërkohë që qytetarët ndjejnë zhgënjim nga mungesa e progresit pas më shumë se 18 vitesh pritje.
Megjithatë, pavarësia mbetet një nga arritjet më të mëdha shtetërore dhe kombëtare. 8 shtatori, Dita e Pavarësisë, shënohet çdo vit me aktivitete solemne, ceremoni shtetërore dhe organizime kulturore në të gjitha qytetet e vendit.(INA)