Lajme
Protestë në Postën e Tetovës: Punëtorët me rroga të vonuara, nuk mund t’i paguajnë faturat në kohë
Të punësuarit në Postën e Tetovës kanë dalë në protestë për shkak se rrogat i marrin pas datës 20, që sipas tyre u shkakton probleme në shëndetësi dhe në pagesën e faturave, raporton Portalb.mk.
Të punësuarit e postës që janë rreth 120 shprehen të shqetësuar për këtë gjendje dhe thonë se duhet të gjendet zgjidhje sa më parë.
“Duke marrë parasysh nevojat e punëtorëve dikush ka banesë, dikush duhet paguaj këste, po rrisim fëmijë, shkolla dhe të gjithë janë ato arsyet që dalin gjithë këto problemet më pas dhe kjo është një arsyet e protestës së sotme”, tha një i punësuar.
Përfaqësuesi i Sindikatës, Daut Ramadani tha se kjo situatë nuk është vetëm në Tetovë por në të gjithë vendin.
“Do konsultohemi do vazhdojmë deri sa marrim rroga se u bë gati një vit që rrogat vazhdimisht vonohen ndërsa në çdo herë rrogat i kemi marrë prej më 1 deri më 5”, tha Ramadani.

Nga ana tjetër, drejtori i njësisë rajonale të Postës në Tetovë, Muhamet Zulbeari mbështet punëtorët në këtë betejë.
“Këta punëtorë që janë këtu e kanë përkrahjen time të pa rezervë në drejtimin e sigurimit të rrogave, pasi që të gjithë këta punëtor apo shumica nga këta me këtë rrogë mbajnë familje edhe e bëjnë punën me përkushtim dhe atë që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve apo qoftë të respektimit të kontratës kolektive duhet ta dinë se nuk bëjnë një punë të mirë dhe unë shpresoj dhe besoj se kjo protestë do jep rezultate edhe në aspektin e rrogës edhe në asketin e përmirësimit të kushteve”, tha Zulbeari.
Punëtorët paralajmëruan se nëse ky problem nuk zgjidhet, ata do të vazhdojnë të protestojnë edhe ditëve në vijim.
