Lajme
Pas spitalit të Çairit, edhe institucione të tjera shëndetësore me probleme kontratash
Fatin e njëjtë me Spitalin Gjinekologjik të Çairit ku mbi 40 punonjësve u skaduan kontratat e punës, e ndajnë edhe disa institucione të tjera shëndetësore në të gjithë vendin.
Me fillimin e vitit të ri shumë të punësuar kanë mbetur në shtëpi për shkak se ende nuk u janë vazhduar kontratat e punës. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk japin të dhëna konkrete lidhur me numrin e saktë të të prekurve në nivel shtetëror.
Të pyetur nga Alsat theksojnë se të dhënat do të bëhen të ditura pasi të përmbyllet procesi i dhënies së pëlqimeve për të gjitha institucionet shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë arsyetohet se procedura është e kushtëzuar nga dinamika e miratimit të buxhetit dhe se, në koordinim me Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe Ministrinë e Financave, po punohet që procesi të përfundojë sa më shpejt.
“Bëhet fjalë për kontrata në vepër, të cilat kanë pasur vlefshmëri deri më 31.12.2025, në përputhje me kornizat buxhetore të vitit të kaluar, dhe kjo nuk nënkupton ndërprerje të marrëdhënies së punës apo largime nga puna”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Ministrisë, kërkesat për vazhdimin e këtyre kontratave tashmë janë dorëzuar nga Institucionet Publike Shëndetësore përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor në Ministrinë e Financave, prej nga pritet dhënia e pëlqimit. Megjithatë nuk ka përgjigje të prerë se kur do të jepen këto pëlqime. Deri atëherë shumë punonjës mbetën në shtëpi.
Institucionet shëndetësore kanë nevojë për këta punonjës, sidomos në kohën kur shumë prej tyre përballem me mungesë kuadri gjë që ndikon në funksionimin normal dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore./ Alsat.mk
