Smart News

Muhadin Brava kundër akuzave të BDI-së: “Nuk mbulohet dielli me shoshë”!

Kryetari i degës së Aleancës për Shqiptarët në Çair, Muhadin Brava, ka reaguar ndaj një deklarate të degës së BDI-së në Çair, e cila ka akuzuar drejtoreshën e Spitalit Gjinekologjik të Çairit, Pranvera Izairi, për gjoja kërcënime ndaj stafit për të marrë pjesë në një tubim të VLEN-it.

Në reagimin e tij, Brava i ka cilësuar këto akuza si të pabaza, duke i quajtur një përpjekje të dëshpëruar të BDI-së për të kamufluar largimet e shumta nga radhët e saj drejt VLEN-it. Ai theksoi se VLEN nuk ndjek metodat e presionit që, sipas tij, ishin praktikë e zakonshme e BDI-së në të kaluarën. “Dega e BDI-së në Çair është ngutur me një reagim shpifës dhe ofendues nga frika që po e ndjen në palcë. Ata po përpiqen të mjegullojnë realitetin me trillime të ulëta, ndërkohë që simpatizantët e tyre po largohen masivisht për t’iu bashkuar VLEN-it”, tha Brava.

Ai gjithashtu vlerësoi punën e Pranvera Izairit si drejtoreshë e Spitalit Gjinekologjik të Çairit, duke e cilësuar atë si një prej menaxhereve më të suksesshme në shëndetësi, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe mitëmarrjes. “Tashmë është e qartë për të gjithë se BDI nuk mund të pajtohet me suksesin e shqiptarëve që nuk janë pjesë e saj. Me Pranverën në krye të këtij spitali, vërtet ka ardhur një pranverë e re në menaxhimin e këtij institucioni”, shtoi ai.

Në fund, Brava theksoi se tubimet e VLEN-it janë aktivitete publike ku pjesëmarrja është e lirë dhe se përpjekjet e BDI-së për t’i paraqitur ndryshe janë të kota. “VLEN nuk ka ndërmend të heqë dorë nga shpalosja e arritjeve të saj dhe ekspozimi i dështimeve të pushtetit të mëparshëm”, përfundoi ai.

Exit mobile version