Connect with us

Lajme

Maqedonia e Veriut në krizë të thellë institucionale – e fundit në Ballkan sa i përket besimit të qytetarëve në secilin institucion të shtetit

Published

on

Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit (2023) nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (Regional CooperationCouncil ), besimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në institucionet kryesore të shtetit është më i ulëti në rajon, edhe atë për secilin institucion veç e veç.

  • Vetëm 18% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë parlamentit, krahasuar me 21% në Bosnje-Hercegovinë, 27% në Shqipëri, 32% në Mal të Zi, 41% në Serbi dhe 63% në Kosovë.
  • Vetëm 19% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë qeverisë, krahasuar me 21% në Bosnje-Hercegovinë, 30% në Mal të Zi, 38% në Shqipëri, 45% në Kosovë dhe 54% në Serbi.
  • Vetëm 15% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut u besojnë institucioneve gjyqësore, krahasuar me 20% në Shqipëri, 33% në Bosnje-Hercegovinë, 38% në Mal të Zi, 46% në Serbi dhe 56% në Kosovë.
  • Vetëm 24% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë avokatit të popullit, krahasuar me 37% në Shqipëri, 39% në Bosnje-Hercegovinë, 43% në Mal të Zi, 46% në Serbi dhe 52% në Kosovë.
  • Vetëm 45% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë ushtrisë dhe forcave të sigurisë, krahasuar me 52% në Bosnje-Hercegovinë, 52% në Kosovë, 52% në Shqipëri, 53% në Mal të Zi dhe 72% në Serbi.
  • Vetëm 35% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut i besojnë policisë, krahasuar me 40% në Bosnje-Hercegovinë, 41% në Kosovë, 46% në Shqipëri, 47% në Mal të Zi dhe 62% në Serbi.

Duke komentuar rezultatet e Barometrit të Ballkanti 2023, Arben Fetai, drejtori i Instituti tpër Politika Publike Arbën Xhaferi tha “Këto të dhëna flasin për një krizë të thellë institucionale, pasi që asnjë institucion i Maqedonisë së Veriut nuk gëzon besimin e shumicës së qytatarëve.

Sipas Fetait, Kjo gjë do duhej të ishte një sinjal alarmi për institucionet dhe në veçanti për pushtetin ekzekutiv i cili është përgegjësi kryesor për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore. Maqedonia e Veriut ka nevojë urgjente për një ndërrim paradigme të cilit duhet t’i prijë qeveria para se pasojat e kësaj thyerje të kontratës sociale midis qytetarit dhe shtetit të marrin përmasa më të mëdha dhe të pariparueshme, siç janë ekzodi masiv i rinisë dhe trazirat sociale.

Barometri i Ballkanit është sondazh vjetor i opinionit publik dhe i ndjenjave të biznesit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i porositur nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal. Ai analizon aspiratat dhe pritshmëritë e qytetarëve për jetën dhe punën, tendencat mbizotëruese socio-ekonomike dhe politike, përfshirë integrimin rajonal dhe evropian, thuhet në komunikatën e Institutit Arbër Xhaferi.

Analizën e tërësishme mund ta shihni ne vegëzën e mëposhtme:

https://www.facebook.com/100054791815472/posts/pfbid0tdGsDAZ3QC2963sfQxsBRj4stKXCgrTctQrKyaoNL5Di4387SGvkWSqeqqRguzSl/?mibextid=5eVWNK

Continue Reading

Lajme

Ramadani, djaloshi që po sfidon rutinën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Published

on

By

Nga Ermal Peçi

Në një terren ku politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka lëvizur prej dekadash mes mbijetesës dhe pazareve, mes idealizmit të shpërndarë dhe zhgënjimit të organizuar, kandidatura e Blerant Ramadanit për Komunën e Sarajit nuk është thjesht një lajm lokal. Është një sinjal. Një shenjë se ndryshimi nuk është më një klishe, por një nevojë që po gjen përfaqësuesin e vet.

Në një vend ku shqiptarët përbëjnë një shtyllë të pandashme të rendit shtetëror, por shpesh janë ndjerë si të përjashtuar nga institucionet e tij, çdo figurë që sfidon status quo-në përfaqëson më shumë se një emër të ri në garë – përfaqëson një horizont të ri politik.

Blerant Ramadani nuk hyn në këtë betejë si një “herë tjetër” që i shtohet listës së gjatë të kandidatëve. Ai hyn me një stil të ndryshëm, me një etikë të re politike dhe mbi të gjitha, me një angazhim real në terren. I largët nga retorika e zbrazët që ka lodhur çdo brez votuesish, Ramadani është më pranë qytetarit fizikisht se sa virtualisht nëpërmjet afisheve. Ai nuk flet nga lart, nuk flet nga “gjendja e partisë”, por nga gjendja reale e qyteteve, rrugëve, shërbimeve dhe jetëve.

Kjo mënyrë e të bërit politikë nuk është thjesht stil. Është substancë. Është ajo që i ka munguar politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut për një kohë të gjatë. Ndërsa shumë prej përfaqësuesve tanë janë shndërruar në noterë të marrëveshjeve nën tavolinë dhe simbolikë të një përfaqësimi të zbrazur nga përmbajtja, Ramadani vjen si përfaqësim substancial – jo vetëm i një brezi të ri, por i një kulture të re politike.

Saraji, si një komunë me identitet të fortë shqiptar dhe sfida të mëdha administrative, mund të shndërrohet në laboratorin ku eksperimentohen modelet e reja të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja pse kandidatura e Ramadanit ka peshë përtej kufijve të komunës. Ajo është provë se është e mundur të bësh politikë ndryshe, me përulësi, vizion dhe mbi të gjitha me integritet.

Në sfondin e tensionuar të një shteti që ende lufton me konsolidimin e barazisë mes komuniteteve, ku shqiptarët ende nuk e kanë përjetuar në thelb përfshirjen si qytetarë të barabartë, Ramadani përfaqëson një përpjekje për të rikthyer politikën aty ku duhet të jetë: në shërbim të njerëzve.

Nuk është thjesht një garë për një komunë. Është një duel mes dy modelesh: një politike që ka dështuar në përfaqësim dhe një politike që synon të rilindë përmes besimit, përkushtimit dhe transparencës. Në këtë duel, Blerant Ramadani nuk premton mrekulli, por ofron atë që është më e nevojshme sot: seriozitet dhe besueshmëri.

Nëse ka një mësim që vjen nga kjo kandidaturë, është se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë mungesë idesh apo kuadrosh, kanë pasur mungesë vullneti për të zgjedhur ndryshe. Ramadani është një mundësi reale për ta thyer këtë cikël. Për të kthyer politikën nga një fushë e zhgënjimit, në një hapësirë shprese.

Sepse në fund, politika nuk matet me fjalime as me bilbila partie, por me ndikim real në jetën e njerëzve. Dhe në këtë aspekt, Blerant Ramadani ka nisur të lërë gjurmë, jo si një tjetër politikan në listë, por si një qytetar i angazhuar që beson se përmes punës dhe bashkëpunimit, çdo ndryshim është i mundur./Faktor.al

Continue Reading

Lajme

Limani: Fillojnë punimet për 6 terrene sportive në Gostivar – investim për rininë dhe komunitetin

Published

on

By

Komuna e Gostivarit ka filluar punimet për rekonstruksionin dhe ndërtimin e 6 terreneve sportive nga te cilët 4 janë terene sportive, nje park me teren sportiv dhe nje kend lojrash sportiv, në vendbanime të ndryshme të qytetit, duke e bërë sportin më afër të rinjve dhe komunitetit tonë.

Nga këto, 3 terrene ekzistuese do të rinovohen dhe do të pajisen me mjete moderne dhe shtresë tartani, ndërsa 3 terrene të reja do të ndërtohen nga e para, sipas standardeve më të larta bashkëkohore për siguri, cilësi dhe funksionalitet.

Ky investim është pjesë e vizionit të Komunës së Gostivarit për të ndërtuar një rrjet të plotë të infrastrukturës sportive, ku çdo lagje dhe çdo vendbanim të ketë terrenin e vet sportiv.
Punimet përfshijnë lokacione strategjike, duke përfshirë:

Shkollën e Mesme të Mjekësisë
Shkollën e Mesme Teknike
Zonën pranë Stacionit të Autobusëve
Lagjen Maleardi
Hapësirën te Amfiteatri
Shëtitoren përgjatë lumit Vardar
Këto projekte nuk janë vetëm ndërtim terrenesh, por janë ndërtim i mundësive: për të rinjtë që duan të garojnë dhe të zhvillohen, për familjet që duan më shumë hapësira rekreative dhe për një komunitet që rritet më i shëndetshëm dhe më i bashkuar.

“Qëllimi ynë është i qartë: të krijojmë hapësira ku të rinjtë tanë të kalojnë kohë cilësore, të merren me sport dhe të rriten të shëndetshëm. Këto investime janë investime për të ardhmen e gjeneratave tona,” – thekson Kryetari i Komunës së Gostivarit.

Continue Reading

Lajme

Policia nis aktivitetet për zbardhjen e autorëve të lajmit të rrejshëm për Jeton Xhemailin

Published

on

By

SPB-Tetovë njofton se më 17.09.2025, në orën 12:30, personi J.D. (43) nga Gostivari ka raportuar në polici se në një profil në rrjetin social janë publikuar fotografi me emrin dhe mbiemrin e tij, përcjell Flaka

“Në njërën prej tyre ishte shkruar tekst me përmbajtje të rreme, ku pretendohej se ai, si bashkëpunëtor i ngushtë i një politikani nga Gostivari, ishte kapur me drogë”, potencuan për Flaka nga SPB-Tetovë

“Ky publikim i pavërtetë ka dëmtuar rëndë reputacionin tim personal dhe të familjes sime”, ka deklaruar J.D. përmes denoncimit të bërë në polici.

Nga SPB-Tetovë njoftojnë se po merren masa për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Continue Reading

TOP Lajme