Connect with us

Lajme

Kë po kërcënon Izet Mexhiti? Mesazhi i fshehtë brenda liderëve të VLEN-it

Published

on

Deklarata e fundit e Izet Mexhitit për “shkrirjen” e VLEN-it në një subjekt të vetëm, në shikim të parë tingëllon si mesazh uniteti dhe optimizmi politik. Por në lexim të dytë, ajo mbart një nëntekst të fortë presioni dhe paralajmërimi ndaj partnerëve të tij politikë brenda koalicionit.

Kur Mexhiti flet për “rotacion”, “bashkëkryetarë”, “një anëtar – një votë” dhe shmang me kujdes emrin e liderit, ai në fakt nuk po hap debat demokratik, por po e vendos atë në tavolinë si ultimatum politik. Mesazhi është i qartë: struktura aktuale është e përkohshme dhe kush nuk përshtatet me modelin e ri, rrezikon të mbetet jashtë.

Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë: kujtdo po i drejtohet ky mesazh?

A është ky një sinjal për Bilall Kasamin, i cili realisht kontrollon një bazë të fortë lokale dhe komunale?
A është paralajmërim për Arben Fetain, që po artikulon profil të veçantë politik brenda VLEN-it?
Apo për Bekim Qokun dhe Bekim Salin, të cilët gjithashtu konsiderohen liderë realë dhe jo dekorativë të koalicionit?

Në VLEN nuk ka një lider të vetëm. Ka disa. Dhe pikërisht kjo e bën deklaratën e Mexhitit problematike. Kur ai thotë se “më e rëndësishme është ideja se sa individi”, në praktikë kjo shpesh nënkupton përjashtimin e individëve që nuk i përshtaten idesë së tij për kontroll dhe hierarki.

Edhe afati i përmendur – “brenda një muaji mund të kemi diçka konkrete” – nuk është teknik. Është politik. Është presion. Është orë që troket për ata që nuk e pranojnë skenarin e shkrirjes sipas kushteve të Mexhitit.

VLEN aktualisht funksionon si koalicion. Çdo tentativë për ta shndërruar në një parti të vetme pa konsensus të plotë nuk është bashkim, por centralizim force. Dhe çdo centralizim force prodhon humbës.

Prandaj pyetja reale nuk është “kur do të shkrihet VLEN-i”, por:
kush do të mbijetojë politikisht pas shkrirjes?

Apo mos vallë Izet Mexhiti u frikësohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat çdo ditë e më shpesh ritheksohen nga opozita shqiptare? Në këtë prizëm, nxitimi për “shkrirjen” e VLEN-it nuk duket më si projekt afatgjatë politik, por si përpjekje për të konsoliduar kontrollin para se vendi të shkojë në zgjedhje. Një VLEN i paqartë në strukturë, me disa liderë dhe pa hierarki të mbyllur, do të ishte i papërgatitur për një përballje të shpejtë zgjedhore. Prandaj, deklaratat e Mexhitit lexohen edhe si tentativë për të mbyllur frontet e brendshme dhe për të imponuar një rend të ri, para se votuesi të kërkojë llogari.

Deklarata e Mexhitit nuk është thjesht vizion. Është mesazh. Dhe në politikë, mesazhet e tilla zakonisht paraprijnë përplasje.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *