Lajme
Gostivari humb një nga profesorët më të çmuar – ndahet nga jeta Qani Latifi
Qyteti i Gostivarit është zhytur në zi pas lajmit për ndarjen nga jeta të profesor Qani Latifit, një prej figurave më të rëndësishme të arsimit shqiptar në RMV. I lindur më 15 prill 1945 në fshatin Reçan, Latifi u bë profesori i parë shqiptar i fizikës në vend, duke hapur rrugë të reja për brezat e ardhshëm.
Karrierën e tij arsimore e nisi në vitin 1968 në Akademinë Pedagogjike në Shkup, ku punoi deri në vitin 1989. Më pas, vazhdoi misionin e tij edukues si profesor i fizikës në gjimnazin e Gostivarit, ku për dekada u bë një prej emrave më të respektuar të shkollës dhe komunitetit.
Profesor Latifi ishte bashkëpunëtor i Biros për Zhvillimin e Arsimit, autor i shumë punimeve të botuara në revista shkencore, si dhe përkthyes i librave të fizikës për arsimin fillor dhe të mesëm. Me përkushtim, profesionalizëm dhe punë të palodhshme, ai la një trashëgimi të pashlyeshme në fushën e arsimit dhe shkencës.
Ai mbahet mend si një intelektual i përkushtuar, njeri i vlerave qytetëruese dhe figurë udhërrëfyese për shumë gjenerata. Kontributi i tij do të mbetet gjatë në kujtesën e nxënësve, kolegëve dhe gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Zoti e mëshiroftë këtë personalitet të shquar, i cili do të kujtohet për fisnikërinë dhe qytetarinë e tij shembullore.
