Connect with us

Lajme

FRASH shpreh solidaritet me të rinjtë e prekur nga tragjedia në Koçan

Published

on

Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët ka shprehur ngushëllimet dhe solidaritetin e tij me familjet e viktimave dhe të rinjtë e lënduar në tragjedinë e rëndë që ndodhi në Koçan.

Përmes një deklarate, FRASH e cilësoi këtë ngjarje si një dhimbje të madhe për mbarë shoqërinë, duke theksuar se humbja e jetëve të reja dhe lëndimi i shumë të tjerëve ka prekur thellë zemrat e të gjithëve.

“Me zemër të thyer marrim lajmin për tragjedinë që goditi të rinjtë në Koçan. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve që humbën më të dashurit e tyre dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta. Po ashtu, urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të rinjtë e lënduar dhe forcë për ata që janë tronditur nga kjo ngjarje”, thuhet në deklaratën e FRASH-it.

FRASH u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë mbështetje dhe solidaritet, duke theksuar rëndësinë e qëndrimit së bashku në këto momente të vështira. “Le të qëndrojmë së bashku në këtë moment dhimbje dhe të mbështesim njëri-tjetrin çdo ditë, sepse rinia meriton një të ardhme të sigurt,” theksohet në deklaratë.

Continue Reading

Lajme

Anketë: Të rinjtë skeptikë për të ardhmen e Maqedonisë në BE, korrupsioni numër një

Published

on

By

Nga një sondazh i realizuar në fund të qershorit 2025 me mbi 1.000 të rinj në Maqedoninë e Veriut, rezulton se euro-skepticizmi është në rritje. Pavarësisht se 41% e të rinjve shprehen pozitivisht për Bashkimin Evropian, pothuajse gjysma e tyre nuk besojnë se vendi do të bëhet pjesë e Unionit ndonjëherë, përcjell INA.

Mungesë besimi dhe pritshmëri të ulëta

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike (IDUEP), 46,5% e të anketuarve janë të bindur se Maqedonia e Veriut nuk do të arrijë të anëtarësohet në BE. Vetëm 6,7% besojnë se kjo do të ndodhë në pesë vitet e ardhshme, ndërsa 35,8% e shohin këtë mundësi në një të ardhme më të largët.

Të rinjtë janë gjithashtu skeptikë për pozicionin e vendit krahasuar me fqinjët e Ballkanit Perëndimor. 53,2% besojnë se Shqipëria do të jetë anëtarja e radhës e BE-së, ndjekur nga Mali i Zi (34,5%) dhe Serbia (14,7%), ndërsa vetëm 8,2% e shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të Unionit brenda vitit 2030.

Korrupsioni, problemi numër një

Korrupsioni është identifikuar si pengesa kryesore në rrugën drejt integrimit evropian. Plot 84,6% e të rinjve e konsiderojnë atë si faktor kryesor që e frenon procesin e anëtarësimit. Mosmarrëveshjet bilaterale (61%) dhe mungesa e besimit në institucionet vendore (60%) renditen gjithashtu si arsye të rëndësishme për ngecjen e procesit. Sipas IDUEP, rezultatet tregojnë se sfidat kryesore nuk janë vetëm të jashtme, por thellësisht të lidhura me situatën e brendshme politike dhe funksionimin institucional.

Çfarë kërkojnë të rinjtë nga BE-ja?

Kur pyeten për temat që i lidhin me BE-në, të rinjtë vënë theksin te mundësitë konkrete:

76,2% kërkojnë mundësi për punësim dhe jetesë në vendet e BE-së,

55,1% interesohen për programet edukative si Erasmus+,

50% për çështjet e të drejtave të njeriut.

Interesa të tjera përfshijnë mbrojtjen e mjedisit (48,1%), digjitalizimin dhe inovacionin (44,5%) dhe shkëmbimin kulturor (32,2%).

Anketa është realizuar nga IDUEP – Shkup në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Ekselencë (ECE – Bruksel), Fondacionin “Friedrich Naumann” dhe platformën rinore “Studentarija”. Ajo përfaqëson një pasqyrë të rëndësishme për institucionet kombëtare dhe për vetë BE-në, duke treguar domosdoshmërinë për veprime konkrete për të rinjtë dhe për të ardhmen evropiane të vendit.(INA)

Continue Reading

Lajme

Prej sot regjim i posaçëm për automjetet e rënda transportuese në rrugët shtetërore

Published

on

By

Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është rritur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Lidhja Auto Moto e Maqedonisë (LAMM) rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.

Nga 1 korriku deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore në Maqedoni po vendoset një regjim i përkohshëm veror i trafikut, i cili ndalon lëvizjen e automjeteve të rënda transportuese me një masë totale mbi 15 ton, gjatë fundjavës dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta. Terminet janë si më poshtë:

e premte nga ora 17:00 deri në 22:00,

e shtunë nga ora 09:00 deri në 18:00 dhe

e diel nga ora 09:00 deri në 22:00.

Në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndalesa do të zbatohet edhe nga e hëna deri të enjten nga ora 11:00 deri në 17:00.

Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë, lule, ndihmë humanitare, kultura drithërash dhe mallra që prishen, naftë dhe derivate të naftës, transport të materialeve të rrezikshme dhe automjete që kryejnë transport për kompani që kanë lidhur kontrata për zbatimin e projekteve në rrugët shtetërore me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.

Në rrugën magjistrale A2: aksi rrugor Shkup – Ohër – Shkup (e vlefshme deri më 1 shtator),lëvizja e automjeteve të rënda transportuese, masa totale e të cilave tejkalon 7.5 ton, ndalohet gjatë fundjavave, në intervalet e mëposhtme:

e premte nga ora 15:00 – 22:00,

e shtunë nga ora 07:00 deri në 12:00 dhe nga ora 18:00 deri në 24:00

e diel nga ora 07:00 deri në 22:00.

Ky regjim i veçantë trafiku vendoset gjatë verës me qëllim që të shmanget mbingarkesa e trafikut në aksin rrugor që të çon në destinacionin turistik më të vizituar në Republikën e Maqedonisë, të zvogëlohet mbingarkesa në pikat e pagesës dhe në përgjithësi të sigurohet rrjedhë më e shpejtë e automjeteve dhe lëvizje e papenguar e turistëve.

Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, drithëra dhe të lashta, si dhe mallra që prishen lehtë.

Continue Reading

Lajme

Danimarka merr sot presidencën e BE-së: Siguria përparësi kryesore

Published

on

By

Danimarka merr sot presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, duke e vendosur sigurinë e kontinentit në krye të axhendës së saj – veçanërisht zbatimin e vendimit për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, të marrë në samitin e fundit të NATO-s.

“Është deklaruar qartë se siguria është një përparësi absolute,” tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen në një intervistë për gazetën Politiken, e publikuar të dielën. “Tani kemi një qëllim të ri për NATO-n, i cili është miratuar. Pas përcaktimit të objektivave të NATO-s, hapat konkretë varen nga politikat e BE-së”, shtoi ajo.

Në fund të qershorit, shtetet anëtare të NATO-s formalizuan angazhimin për të investuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në siguri dhe mbrojtje deri në vitin 2035, nga të cilat të paktën 3.5% do të shkojnë për shpenzime ushtarake. Spanja e cilësoi këtë objektiv si “të paarsyeshëm” dhe kërkoi fleksibilitet në zbatimin e tij.

Megjithatë, Danimarka dëshiron të ecë përpara me planin evropian të paraqitur në mars, që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve të BE-së, përmes procedurave të thjeshtuara dhe mundësisë së marrjes së kredive për të financuar investimet në industrinë evropiane të mbrojtjes.

“Situata e sigurisë në Evropë është e paqëndrueshme dhe, për këtë arsye, e rrezikshme. Nëse shohim historinë e kontinentit, dimë se konfliktet kanë tendencë të përhapen. Ka shumë tensione sot, dhe kjo mund të shkaktojë të tjera”, vlerësoi Frederiksen.

Danimarka është ndër vendet që e mbështesin fuqishëm Ukrainën. Që nga marrja e detyrës në vitin 2019, Frederiksen ka rritur ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen, me shpenzimet që aktualisht tejkalojnë 3% të PBB-së.

Përparësi edhe për migracionin

Në kuadër të programit të saj për një “Evropë të Sigurt”, presidenca daneze i jep përparësi të lartë edhe trajtimit të migracionit të parregullt, duke premtuar “zgjidhje të reja dhe inovative”.

E njohur për një politikë të ashpër migracioni, Danimarka synon të ecë në dy drejtime, përpunimin e kërkesave për azil jashtë BE-së dhe kufizimin e ndikimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Në vitin 2024, Danimarka miratoi vetëm 860 kërkesa për azil – pothuajse 13 herë më pak se në vitin 2015. Kryeministrja Frederiksen mbështet idenë që kërkesat për azil të përpunohen jashtë territorit danez.

Dy vite më parë, qeveria e saj pezulloi planet për të transferuar azilkërkuesit jashtë Evropës – ndoshta në Ruandë – për përpunimin e kërkesave të tyre, me shpresën për të arritur një marrëveshje të përbashkët me BE-në mbi këtë çështje.

Në një tjetër iniciativë, Danimarka, së bashku me Italinë dhe shtatë vende të tjera, ka kërkuar rishikimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në raport me migracionin, duke argumentuar se ajo “ndonjëherë mbron njerëzit e gabuar”.

Continue Reading

TOP Lajme