Connect with us

Politika

Enes Ibrahim: Kandidatët turq për deputetë nga “Fronti Europian” nuk ndajnë vlera të përbashkëta, do të largohen nga ky koalicion pas zgjedhjeve!

Published

on

Kandidatët turq për deputetë që janë në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në kuadër të “Frontit Europian” nuk ndajnë vlera të përbashkëta, ndaj do të largohen nga ky koalicion pas zgjedhjeve. Kështu është shprehur në intervistë për portalin PRESSonline.al, Enes Ibrahim, kryetar i Partisë Lëvizja Turke (THP) dhe kandidat për deputet i “Koalicionit për Ardhmërinë Europiane” në Zonë 5 zgjedhore.

“Koalicionet duhet të kenë vlera të caktuara, në këtë rast, nëse janë Fronti Evropian, partitë politike që besojnë në këtë koncept duhet të marrin pjesë realisht në atë koalicion dhe jo ato që duan vetëm të kenë një deputet dhe pastaj në orën 20 më 8 maj të ikin në koalicione të ndryshme. Viteve të kaluara kjo ka ndodhur edhe brenda koalicioneve tjera, kështu që shumica e atyre partnerëve të koalicionit nuk do të qëndrojnë me BDI-në sepse nuk i kanë të njëjtat vlera si BDI. Koalicioni i udhëhequr nga BDI, mendoj se nuk është parimor. Shumica e atyre partnerëve të koalicionit, më parë kanë qenë në koalicion me VMRO DPMNE-në, pastaj kanë qenë me LSDM-në, pasi që dyert ua kanë mbyllur LSDM dhe VMRO DPMNE, kanë gjetur një derë të vogël në BDI. Kur flas për një koalicion joparimor, e kam fjalën për vlerat evropiane. Në këtë koalicion keni parti politike dhe individë që kanë qenë gjithmonë anti-NATO, anti-Evropë. Dhe për këtë arsye ky koalicion është joparimor dhe nuk do të ketë sukses”, beson Ibrahim.

Nëse bëjmë një krahasim, shton ai, që nga koha e Gurevizmit, pra qeveria e udhëhequr nga VMRO DPMNE në krye me Gurevskin dhe qeveritë e udhëhequra nga Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski, dallimi është shumë i madh.

“Gjatë Gurevizmit, për fat të keq, komuniteti turk ishte kategoria e dytë e qytetarëve. Të paktën kështu ndiheshin turqit. Me ardhjen, pra me ndryshimin e qeverisë, komuniteti turk tashmë ka avancuar të drejtat e tij. A mjafton? Natyrisht nuk mjafton, por për 11 vjet ndërsa luftuam kundër regjimit, komuniteti turk ishte i margjinalizuar dhe i izoluar, por edhe vendi ynë ishte i izoluar. Nëse komuniteti turk dëshiron të avancojë të drejtat e tij, pra komunitetet etnike më pak të mbrojtura, nëse duan të avancojnë të drejtat e tyre, rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është elementi më i rëndësishëm”, thekson Ibrahimi në intervistën për PRESsonline.al.

Sipas tij, bashkësitë etnike më pak të mbrojtura, duke përfshirë edhe atë turk, nuk kanë alternativë dhe për këtë arsye, sipas tij, duhet të vazhdohet rruga drejt Bashkimit Evropian.

“Ka shumë arsye pse turqit dhe të gjithë qytetarët e Republikës nuk duhet të votojnë për ne. Ne treguam transparencë, guxim, treguam se si të menaxhojmë krizat botërore, dhe pandeminë, si dhe problemet e shkaktuara nga lufta që po ndodh aktualisht midis agresorit Rusisë kundër Ukrainës, apo lufta midis Izraelit dhe Gazës. Në të gjitha problemet, shteti u menaxhua me sukses, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Rruga drejt Bashkimit Evropian është një element shumë i rëndësishëm për ne, një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin demokratik, për prosperitetin ekonomik, theksoi Enes Ibrahim, kryetar i Partisë Lëvizja Turke (THP) dhe kandidat për deputet i “Koalicionit për Ardhmërinë Europiane”.

Ai thekson se më 8 maj komuniteti turk do të dalë masivisht dhe do të votojë numrin 1, prosperitetin dhe Maqedoninë evropiane.

“THP, mandatin e ardhshëm planifikon të themeloj një institut për gjuhën turke dhe kulturën turke, nënvizoi Ibrahim.

Continue Reading

Lajme

Valbon Limani përuroi asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit Zdunjë

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Gostivarit sot në përuroi asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit Zdunjë të Gostivarit.

Bëhet fjalë për asfaltim të mbi 1.2 kilometrave që do të lidhë fshatin me qytetin e Gostivarit dhe dukshëm do të përmirësojë komunikacionin jo vetëm të fshatit Zdunjë, por edhe fshatrava afër tij.

“Me këtë projekt është përmirësuar shumë infrastruktura në Zdunjë, dhe jo vetëm për banorët e këtij fshati, por edhe për qytetarët e vendbanimeve tjera që kalojnë nga këtu”, u shpreh Limani.

Kryetari Valbon Limani theksoi se tani do të kemi periudhë më dinamike dhe se do të punohet kryesisht në infrastrukturën rrugore.

“Punime ka në bulevardin ‘Vëllezërit Gjinovski’, gjithashtu ka punime në shëtitore te ish-kinoja e qytetit, asfaltohet rruga ‘Nikolla Teslla’ te gjimnazi, kurse nga java e ardhshme do të kemi punime edhe në 2-3 rrugë të tjera. Kjo periudhë do të jetë më dinamike, do të punohet gjithkund, me të vetmin qëllim që të përmirësohet jeta e qytetarëve”, u shpreh Limani.

Continue Reading

Lajme

Arben Taravari reagon për rastin e Nerovës: “Kush është më e drejtë – një kazino me leje apo një shkollë pa leje?”

Published

on

By

 

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj tentimit për rrënimin e objektit shkollor të ndërtuar nga banorët shqiptarë në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës, duke theksuar se në kohën e “serialeve politike” është pikërisht populli ai që harrohet.

“Si parti jemi sa të prekur po aq edhe në krah të banorëve të fshatit Nerovë dhe të kauzës së tyre. Në mungesë të një shkolle, ata kanë ndërtuar vet objektin e saj – një vepër fisnike dhe e rrallë,” deklaron Taravari.

Ai shpreh shqetësimin për faktin që autoritetet shtetërore kanë ndërmarrë hapa për ta shembur shkollën me arsyetimin se është ndërtuar pa leje.

“Me dashamirësi i kërkojmë organeve kompetente mos ta shembin këtë shkollë! Ajo është ndërtuar nga prindërit për fëmijët e tyre,” thekson Taravari.

Në fund të reagimit të tij, Taravari ngre një pyetje të drejtpërdrejtë që po përhapet me shpejtësi edhe në opinion publik:
“Kush është më e drejtë? Një kazino me leje apo një shkollë pa leje?”

Continue Reading

Lajme

Taravari: Deputetët janë zëri i popullit, dhe kur shumica e tyre janë lënë jashtë qeverisë, përfaqësimi bie në krizë legjitimiteti

Published

on

By

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka ngritur shqetësime serioze mbi legjitimitetin e qeverisë aktuale në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se mungesa e përfaqësimit të plotë të shqiptarëve në ekzekutiv përbën një deformim të vullnetit qytetar në një shtet multietnik.

Në një intervistë për median kosovare Nacionale, Taravari deklaroi se përbërja aktuale e qeverisë nuk reflekton përbërjen reale të Kuvendit dhe as të shoqërisë, duke vënë në pah se pjesa dërrmuese e deputetëve shqiptarë ndodhen në opozitë.

“Në një vend ku shqiptarët janë shtetformues, nuk mund të kemi një qeveri që funksionon pa përfshirjen e drejtë të përfaqësuesve të tyre. Deputetët janë zëri i popullit, dhe kur shumica e tyre janë lënë jashtë qeverisë, përfaqësimi bie në krizë legjitimiteti,” u shpreh Taravari.

Ai theksoi se modeli aktual qeverisës rrezikon të thellojë ndasitë etnike dhe politike në vend, duke i lënë shqiptarët në margjinat e proceseve vendimmarrëse, pavarësisht kontributit të tyre të vazhdueshëm në jetën institucionale të shtetit.

Continue Reading

TOP Lajme