Lideri i ASH-së, Arben Taravari sërish i afrohet me popullaritet atij të BDI-së, Ali Ahmeti. Në sondazhin e fundit realizuar nga Instituti për Politika Publike (IPP) “Arbën Xhaferi”, Taravari është katër përqind pas Ahmetit.
“Sondazhi i IPP Arbën Xhaferi i realizuar ekskluzivisht me shqiptarë në Maqedoninë e Veriut tregon se kur bëhet fjalë për opinionin publik për liderët partiakë, Ali Ahmeti (BDI) është më i popullarizuari, me besueshmëri neto prej zero (neutrale) dhe 49.7% të opinioneve pozitive. Arben Taravari (ASh) qëndron afër si i dyti, me besueshmëri neto prej -9.4 dhe 45% të opinioneve pozitive”, thuhet në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
Pas Ahmetit dhe Taravarit radhitet Izet Mexhi, si figure politike e popullarizuar te shqiptarët edhe pse nuk është kryetar partie. Pas Mexhitit janë Kasami i Besës dhe lideri i Alternativës, Gashi radhitet i fundit.
“Pas tensioneve të brendshme në BDI, Izet Mexhiti, lideri i fraksionit brenda BDI-së i njohur si “Grupi i Zjarrit” është lideri i tretë partiak më i popullarizuar me besueshmëri neto prej -28.8% dhe 35.3% të opinioneve pozitive. Bilall Kasami (Lëvizja Besa) renditet i katërti, me besueshmëri neto prej -43% dhe 28.2% të opinioneve pozitive. Lideri partiak me përkrahjen më të vogël popullore është Afrim Gashi (Alternativa), me besueshmëri neto prej -74.6% dhe vetëm 12.4% të opinioneve pozitive”, thuhet më tej në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
30.8% e shqiptarëve kanë thënë se do të votonin për BDI-në nëse zgjedhjet parlamentare do mbaheshin nesër. ASh renditet e dyta me 14.9%, e ndjekur nga Lëvizja Besa me 9.6%. Alternativa do të merrte vetëm 2% të votave, ndërsa PDSH është fare afër zeros (0.3%). Ndër partitë maqedone, 1.6% e shqiptarëve do të votonin për LSDM-në dhe vetëm 0.1% për VMRO-DPMNE-në.
“Interesante është se në mesin e atyre që kanë thënë se do të votonin për BDI-në, një e treta prej tyre (31.7%) do të zgjidhnin të votonin për “Grupin e Zjarrit” në rast se ky fraksion do të kandidonte si i pavarur nga BDI-ja. Kjo do të ndikonte seriozisht në skenën politike shqiptare, duke ulur përqindjen e votave të BDI-së në 19.5%, ndërsa “Grupi i Zjarrit” do të renditej si forca e katërt politike me 9.3%”, qendron në sondazhin e relaizuar nga IPP “Arbën Xhaferi”.
Sondazhi është realizuar me 1,000 të anketuar të moshës 18 vjeç e lart ku pjesëmarrësit janë anketuar ndërmjet 15 dhe 21 marsit përmes intervistave telefonike. Hulumtimi është kryer duke përdorur metodologjinë e përzgjedhjes rastësore, duke siguruar një përfaqësim gjithëpërfshirës të popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, bazuar në karakteristikat demografike si gjinia, mosha, arsimi, si dhe njësia zgjedhore dhe komuna ku ata jetojnë. Margjina e gabimit është 3.1 pikë, me një nivel besimi 95 për qind.