Lajme
Blerant Ramadani dhe Forumi i Gruas i AKI-së shënojnë Tetorin Rozë në Saraj, në fokus shëndeti dhe fuqizimi i gruas
Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për kryetar të Komunës së Sarajit, Blerant Ramadani, zhvilloi një takim me Forumin e Gruas në kuadër të AKI-së, me rastin e shënimit të Tetorit Rozë – muajit të ndërgjegjësimit për shëndetin e gruas dhe luftën kundër kancerit të gjirit, shkruan SmartNews
Në fjalën e tij, Ramadani vlerësoi rolin e grave në shoqëri, duke theksuar se ato janë forca që mbajnë gjallë shpresën, dinjitetin dhe guximin në çdo familje e komunitet.
“Në çdo grua të Sarajit shohim frymën e Mbretëreshës Teuta, që me mençuri dhe vendosmëri udhëhoqi popullin e saj, dhe zemrën e Nënë Terezës, që me dashuri e përkushtim i shërbeu njerëzimit. Këto dy figura përfaqësojnë shtyllat e kombit tonë – vendosmërinë dhe mëshirën – që e bëjnë gruan shqiptare të pathyeshme në familje, shoqëri dhe jetën publike,” tha Ramadani.
Ramadani më tej theksoi se Tetori Rozë nuk është vetëm një muaj simbolik, por një thirrje për kujdes ndaj shëndetit, për dashuri ndaj vetes dhe për solidaritet mes grave.
“Shoqëria që respekton dhe fuqizon gratë është një shoqëri që ecën drejt zhvillimit dhe drejtësisë. 19 Tetori nuk është vetëm një datë, por një ditë besimi, bashkimi dhe fitorjeje. Pa zërin dhe urtësinë e grave, nuk ka fitore të plotë. Gratë e Sarajit janë zemra e ndryshimit – bashkë për fitoren e 19 Tetorit,” theksoi Ramadani./SmartNews.mk/
