Smart News

BDI po luan “xhokerin” e fundit – Edi Ramën!

Në traditën shqiptare, zakonisht edhe “hasmi” pranohet në konak me mikpritje, e aq më tepër një mik ose një delegacion shtetëror. Por duket se ky parim nuk vlen për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i cili po përfshihet gjithnjë e më shumë në betejat e BDI-së për mbijetesë politike.
Në konferencën për jetën dhe veprën e të ndjerit Arbën Xhaferi, organizuar në Tiranë, Rama u pozicionua hapur në mbështetje të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe të bashkëpunëtorit të tij, Artan Grubi, i njohur tashmë si “banori më i ri” i listës së zezë amerikane.

Më shumë sesa përkujtim për një figurë madhore si Xhaferi, konferenca u duk si një spektakël politik i orkestruar me kujdes. Madje, burime të besueshme tregojnë se data e aktivitetit, e planifikuar fillimisht për më 6 dhjetor, u zhvendos papritur më 10 dhjetor – pikërisht një ditë para se Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim lidhur me përdorimin e gjuhëve, vendim i cili as që pritet të ndikojë në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Ky manovër politik ka shkaktuar indinjatë jo vetëm në opinionin publik, por edhe në qarqet e tjera politike shqiptare në Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri. Shumë e konsiderojnë këtë si një lëvizje të rrezikshme për Ramën, i cili po e lidh fatin e tij politik me një parti dhe një lidership në rënie të lirë.

Përpjekjet e BDI-së për të shpëtuar nga situata e vështirë në të cilën ndodhet, duke përdorur një figurë të nivelit të Ramës, shihen nga shumëkush si një “xhoker i djegur”. Kjo mbështetje e papërmbajtur e Ramës për Ahmetin dhe Grubin mund të kthehet në një bumerang politik për të, duke dëmtuar seriozisht besueshmërinë e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në fund të ditës, qytetarët do të kujtojnë këtë episod si momentin kur “xhokeri i fundit” u luajt në një tryezë tashmë të humbur. Dhe historia na ka mësuar që, kur loja është e humbur, as xhokeri nuk të shpëton.

Exit mobile version