Lajme
Badenteri në Kushtetuese nuk është privilegj, por domosdoshmëri për të penguar spiralen e krizave etnike
Nga Sefer SELIMI
Gjykatësit kushtetues, në praktikë, nuk e “lexojnë” Kushtetutën në mënyrë mekanike por e interpretojnë atë përmes bindjeve të tyre juridike dhe politike. Vendimet merren me shumicë votash dhe, rrjedhimisht, interpretimi dominues nuk është domosdoshmërisht ai më konsensual, por ai i shumicës numerike.
Rasti i “balancuesit” është shembulli i qartë: interpretimi i tre gjykatësve jo-maqedonas ishte diametralisht i kundërt me atë të shumicës. Kjo tregon qartë se nuk kemi të bëjmë me një lexim të unifikuar të Kushtetutës për një çështje substanciale për shqiptarët dhe komunitetet jo-maqedonase por me një majorizim klasik në trajtimin e një teme jashtëzakonisht sensitive.
Prandaj, kompromisi politik që u bë dikur me mekanizmin e votimit të dyfishtë për ligje të caktuara duhet të reflektohet edhe në nivelin e interpretimit kushtetues. Parimi është i thjeshtë: mbrojtje nga majorizimi për çështje jetike që prekin barazinë dhe kohezionin ndëretnik.
Në të kundërtën, të njëjtën logjikë do ta shohim së shpejti edhe në interpretimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, i cili tashmë paralajmërohet se do të trajtohet nga prizmi etnik dhe jo nga ai kushtetues. Një mekanizëm mbrojtës në Gjykatën Kushtetuese nuk është për privilegj, por domosdoshmëri për të ndalur spiralen e krizave etnike që prodhon vetë sistemi.
