Connect with us

Lajme

ASH: Mbyllja e kazinove ilegale online që mund të rihapen nga çdo cep i botës – teatër politik! Problemi i vërtetë janë kazinotë fizike

Published

on

Reagim nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) me kryetar Arben Taravari:

Me shumë zhurmë mediatike, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti doli para opinionit publik për të shpallur si fitore mbylljen e disa faqeve online të lojërave të fatit, duke tentuar të krijojë përshtypjen se qeveria më në fund po ndërmerr hapa seriozë në luftën kundër varësisë nga bixhozi. Por qytetarët shqiptarë nuk mashtrohen më nga këto skenarë të përsëritur të propagandës qeveritare, sepse ata e njohin mirë realitetin e hidhur që përjetojnë çdo ditë.

Dëmi i vërtetë nuk vjen nga disa platforma online, të cilat mund të rihapen brenda pak minutash nga çdo cep i botës. Dëmi i vërtetë ndodhet përballë nesh, në zemër të qyteteve dhe lagjeve shqiptare, pranë shkollave ku mësojnë fëmijët tanë dhe rrugicave ku rriten të rinjtë tanë – ata pak që ende kanë shpresë të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend.

Janë pikërisht kazinotë fizike, të legalizuara dhe të përkrahura prej vitesh nga qeveritë e njëpasnjëshme, në të cilat për 22 vite edhe vetë z. Mexhiti ka qenë pjesë aktive. Ato kanë shndërruar varfërinë, dëshpërimin dhe tragjeditë e familjeve shqiptare në burim fitimi për një rreth të ngushtë njerëzish të lidhur me pushtetin. Çdo ditë, prindër, vëllezër, motra dhe fëmijë të pafajshëm fundosin jetën e tyre në borxhe, humbje dhe varësi. Këto nuk janë shifra për konferenca shtypi, por histori të dhimbshme – tragjedi të heshtura që zhvillohen në çdo familje shqiptare, ndërsa politika ose hesht, ose – edhe më keq – përfiton.

Në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova patën guximin të marrin vendime të qarta për të ndaluar ose kufizuar industrinë e kazinove dhe bastoreve, në Maqedoninë e Veriut pushteti vazhdon t’i shërbejë me përkushtim mafies së bixhozit. Derisa qytetarëve u ofrohet si sukses mbyllja e disa faqeve online, perandoritë e kazinove legale forcohen çdo ditë, mbrohen dhe pasurohen në kurriz të vuajtjes së tyre.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë këtij teatri të turpshëm politik. Kjo që ndodh nuk është luftë kundër bixhozit, por një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar lidhjet shumëvjeçare të politikës me një nga industritë më të errëta dhe më shkatërrimtare për shoqërinë. Shkatërrimi i familjeve shqiptare nuk ndalet me propagandë televizive, por me vendime të guximshme që i japin fund kësaj katastrofe sociale që përditë përhapet para syve tanë.

Akoma më e rëndë është hipokrizia e atyre që sot shpallen “luftëtarë” kundër bixhozit, ndërkohë që familjarët e tyre janë të emëruar në pozita kyçe në industrinë e lojërave të fatit – duke u bërë pjesë direkte e problemit.

Lufta e vërtetë kundër bixhozit nuk fillon me konferenca për shtyp, por aty ku ky pushtet nuk guxon të prekë: në mbylljen e kazinove fizike, në shuarjen e varësisë që përditë shkatërron breza të tërë, në kthimin e dinjitetit dhe shpresës për qytetarët shqiptarë.

Kjo është beteja që Aleanca për Shqiptarët e ka marrë si zotim dhe përgjegjësi. Sepse për ASH-në, kjo nuk është çështje deklaratash e propagande – kjo është çështje jete.

Continue Reading

Lajme

Kur diskriminimi institucional nuk fshihet më – rasti Stoilkoviq është alarm për shqiptarët

Published

on

By

OPINION – Driton Zenku

Ajo që po ndodh në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive nuk është vetëm një ndarje selektive fondesh. Është një manifest i pastër politik që ka për qëllim të ndryshojë balancën ndëretnike në Maqedoninë e Veriut dhe të relativizojë rolin e shqiptarëve në këtë shtet.

Ivan Stoilkoviq, i njohur për qëndrimet e tij të hapura anti-shqiptare dhe nostalgjinë për ideologjitë që ky shtet i ka lënë pas, ka zgjedhur të shpërndajë fondet publike sikur të ishin pronë personale apo ekskluzivitet etnik. Dhe askush nuk e fsheh më këtë:
📌 29 projekte për maqedonasit,
📌 5 për serbët,
📌 3 për romët,
📌 dhe vetëm 3 për shqiptarët – komunitetin e dytë më të madh në shtet!

Ky është jo vetëm diskriminim. Ky është përçmim institucional ndaj një komuniteti që ka qenë themelues dhe garant i Marrëveshjes së Ohrit, që ka kontribuar për stabilitetin e vendit dhe që ka mbajtur gjallë aspiratat euroatlantike të Maqedonisë së Veriut në vitet më të vështira.

Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë rast është fakti se kjo ministri ka qenë historikisht e udhëhequr nga kuadro shqiptare – dhe këtë nuk e them për nostalgji, por për të rikujtuar se pozita ka peshë simbolike. Kjo është hera e parë që bie në duar të një politikani serb, i cili, në vend se të veprojë si ndërmjetës mes komuniteteve, po i përdor mjetet shtetërore për të ushqyer ndasi dhe për të shtypur zërin shqiptar në skenën qytetare.

Zëri ynë nuk duhet të heshtet.

E kemi për detyrë të flasim. E kemi për detyrë të reagojmë. Sepse nëse heshtim sot, nesër do të na numërojnë si pakicë, do të na përjashtojnë nga institucionet, do të na përfaqësojnë me 3 projekte në vit – dhe do të thonë se ky është barazimi i ri.

Shqiptarët nuk janë komunitet që pranon të trajtohet si dekor. Nuk janë pakicë për përqindje simbolike në raporte vjetore. Janë faktor shtetformues.

Dhe kjo nuk është vetëm çështje numrash. Është çështje dinjiteti.

Continue Reading

Lajme

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani në Forumin për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mbrojtje të Ambientit Jetësor

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, mori pjesë në Forumin për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mbrojtje të Ambientit Jetësor, i organizuar nga CNVP-PONT në Tetovë, me përfaqësues nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

Në fjalën e tij, kryetari Limani theksoi nevojën për bashkëpunim rajonal në ruajtjen e biodiversitetit dhe avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor. Ai vuri në pah rëndësinë e krijimit të mekanizmave të përhershëm, përdorimit të teknologjisë moderne dhe ndërtimit të platformave të përbashkëta online, si dhe harmonizimit të politikave të mbrojtjes së natyrës me ato të Bashkimit Evropian.

Sa i përket qytetit të Gostivarit, kryetari Limani theksoi se tashmë janë krijuar shtigje malore në bashkëpunim me shoqatat bjeshkatare, jo vetëm për të promovuar turizmin malor, por edhe për të ruajtur natyrën dhe për të edukuar të rinjtë përmes programeve të ndryshme mjedisore. Gjithashtu, po krijohen kushte dhe lehtësime për hapjen e bujtinave në zonat malore.

Continue Reading

Lajme

ASH: Hoxha vetëm përkthen “sukseset” e ministrit Tripunovski – fermerët shqiptarë pa asnjë mbrojtje

Published

on

By

Në një realitet të hidhur ku fshatrat shqiptare po zbrazen çdo ditë, ku të rinjtë largohen pa kthim drejt perëndimit, ndërsa tokat mbesin djerrë e pasuritë natyrore të pashfrytëzuara, VLEN gjen kohë të krenohet se janë paguar 341.536.000 denarë për 4.144 persona.

Pagesa, sipas tyre, ka të bëjë me mbështetjen direkte për masën 2.2 për lopët e matrikuluara më të vjetra se 12 muaj, në kuadër të Programit për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2024.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, këto janë “masa për të gjithë fermerët”, dhe realizohen me përkushtim e drejtësi.

Ne pyesim zëvendësministrin kukull të VLEN-it, që për çdo gjë del në publik vetëm si përkthyes politik i ministrit Cvetan Tripunovski, sa prej këtyre përfituesve janë shqiptarë?
Sa nga këto mjete kanë përfunduar realisht në duart e bujqve shqiptarë që prej dekadash ndihen të përjashtuar dhe të diskriminuar nga politikat bujqësore të shtetit?

VLEN e përdor ministrinë si zyrë propagande për të mbuluar dështimin total në zhvillimin e bujqësisë shqiptare, për të maskuar mungesën e politikave për mbajtjen e të rinjve në vend, dhe për të justifikuar dekoren e tyre në një qeveri ku nuk marrin asnjë vendim.

Aleanca për Shqiptarët braktisi këtë post, pikërisht nga fakti që nuk përfillej bujku dhe vendabimet rurale të banuara me shqiptarë.

Shqiptarët kanë nevojë por për investime për njeriun dhe për jetën në fshat. Politikat e sotme vetëm sa e përshpejtojnë ikjen masive dhe shkatërrimin e strukturës rurale shqiptare.

Aleanca për Shqiptarët kërkon transparencë të plotë, përfaqësim real të fermerëve shqiptarë në programet e mbështetjes dhe jo propagandë boshe për konsum mediatik.
Koha e përkthyesve mbaron. Nevojitet zë i vërtetë për bujqësinë shqiptare, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptrët.

Continue Reading

TOP Lajme