Connect with us

Lajme

ASH-ja e Taravarit: Krim i organizuar në Gjykatën e Tetovës me sjelljen e vendimit për kryetarin e partisë

Published

on

Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit sot përmes një konference për shtyp ka hedhur dyshime për krim të organizuar në sjelljen e vendimit nga ana e Gjykatës së Tetovës e cila ka vendosur në favor të kërkesës së Aleancës për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës që Sela të jetë kryetar i partisë, raporton Portalb.mk.

Nga ASH-ja krahu i Taravarit theksuan se ky lajm doli në opinion pa u informuar përfaqësuesi ligjor i ASH-së.

“Grupacioni i pakënaqur që përfundoi te BDI përdori të gjitha mekanizmat e pushtetit për të ndërruar katër gjyqtarë deri në momentin që arritën të gjejnë gjyqtarin e tyre të preferuar që u kryen punë padrejtësisht. Kjo parregullsi dhe ky paradoks i informimit na e vërteton atë që sistemi gjyqësor në RMV është i kapur nga politikanë të papërgjegjshëm”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit.

Ndërkaq avokati i ASh-së krahu i Taravarit, Abidin Abduli theksoi se janë ndryshuar disa gjykatës, ndërsa disa tjerë kanë shkuar në pushim mjekësor.

“Në vendim vetëm citohen dokumentacioni i dorëzuar nga pala tjetër, pa mos u shqyrtuar asnjë dëshmi, asnjë kërkesë e jona dhe pa hyrë t’i kontrollojnë dëshmitë dhe faktet e palës tjetër. Para jush i kam procesverbalet e gati shumicës së degëve të ASH-së të cilat nën direktivën e zotit Sela mbajnë kuvende mes 10-18 shkurt, prej ditës kur e kanë mbajtur kuvendin në restorant Bushi deri në kongres, në datat 13, 14 dhe 15 mbajnë kuvende degësh me çka i pushojnë nga detyra delegatët e kongresit dhe zgjedhin delegatë të rinj. Në kongres të jashtëzakonshëm shkohet me delegatët paraprak, nuk mund të shkosh në kongres të jashtëzakonshëm me delegat të ri, ata bëjnë ndërrimin e më shumë se 400 delegatëve”, tha Abduli.

Ai theksoi se kuvendi qendror i ASH-së krahu i Selës nuk ka pasur kuorum, pasi në Gjykatën e Tetovës janë dorëzuar 68 deklarata të kuvendarëve të ASH-së me deklarim se nuk kanë marrë pjesë në kuvendin qendror në restorant Bushi të thirrur nga Sela.

“Në bazë të statutit të partisë thirrjen e kongresit të drejtë ekskluzive e ka kryetari i partisë dhe 2/3 e kuvendarëve”, tha Abduli.

Ai theksoi se Gjykata e Tetovës dëshmitë e tyre nuk i citon në vendimin e vet, e aprovon njëanshëm kërkesën e palës tjetër dhe në fund vetëm e refuzon kërkesën e tyre me arsyetim se ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë komplet ndërrimin e statutit të partisë.

“Hedh dyshime të mëdha se ky vendim është sjellë jashtë institucionit Gjykata Themelore e Tetovës dhe vetëm është nënshkruar nga gjykatësi Ilir Rexhepi”, tha Abduli.

Ai hodhi dyshime për krim të organizuar mes kryetarit të gjykatës, gjykatësit që ka vendosur për lëndën dhe njërit prej avokatëve të palës tjetër.

“Lëndën do ta ankimojmë në Gjykatën e Apelit në Gostivar. Do i shohim të gjithë mundësitë që të shohim përgjegjësi procedurale dhe penale për kryetarin e gjykatës dhe gjykatësin që ka vendosur”, tha Abduli.

Ata theksuan se shpresojnë që Gjykata e Apelit në Gostivar do sjell vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

Kujtojmë që edhe paraprakisht nga krahu i Taravarit disa herë kanë theksuar se në këtë rast është bërë presion ndaj gjykatës për ndryshimin e gjykatësve disa herë në këtë lëndë.

Konferencë për shtyp në ora 13:00 kanë paralajmëruar nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës.

Dje nga krahu i Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës informuan se kanë pranuar vendim të gjykatës me të cilin pranohet kërkesa e tyre për regjistrimin e Ziadin Selës si kryetar të partisë.

Kujtojmë se Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Me këtë Aleanca u përça në dy fronte, në krahun e Taravarit i cili në zgjedhje do shkojë bashkë me opozitën shqiptare VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa Lidhja Demokratike) dhe në krahun e Ziadin Selës i cili në zgjedhje do të garojë me “Frontin Evropian” (Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Europiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Continue Reading

Lajme

Policia nis aktivitetet për zbardhjen e autorëve të lajmit të rrejshëm për Jeton Xhemailin

Published

on

By

SPB-Tetovë njofton se më 17.09.2025, në orën 12:30, personi J.D. (43) nga Gostivari ka raportuar në polici se në një profil në rrjetin social janë publikuar fotografi me emrin dhe mbiemrin e tij, përcjell Flaka

“Në njërën prej tyre ishte shkruar tekst me përmbajtje të rreme, ku pretendohej se ai, si bashkëpunëtor i ngushtë i një politikani nga Gostivari, ishte kapur me drogë”, potencuan për Flaka nga SPB-Tetovë

“Ky publikim i pavërtetë ka dëmtuar rëndë reputacionin tim personal dhe të familjes sime”, ka deklaruar J.D. përmes denoncimit të bërë në polici.

Nga SPB-Tetovë njoftojnë se po merren masa për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Continue Reading

Lajme

Bujar Osmani: Akuzat për koalicion me Levicën janë të dëshpëruara, VLEN tashmë po e përgatit arsyetimin për humbjen

Published

on

By

Bujar Osmani reagoi ashpër ndaj valës së re të akuzave të rreme se BDI gjoja ka ndonjë koalicion me Levicën, duke i vlerësuar këto konstrukte si përpjekje të dëshpëruara të VLEN-it për ta zbutur goditjen nga humbja zgjedhore që po afron.

“VLEN po fillojnë ta përgatisin mbrojtjen për një humbje të mundshme. Kjo është aftësia e tyre dhe ky është qëllimi i tyre,” deklaroi kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani. “Përkundër këtyre shpifjeve, ata duan të kenë kapacitet që pas nëntorit t’u shpjegojnë njerëzve të tyre, opinionit, pse rezultati është ashtu siç është. Nuk do të ketë tjetër,” tha Osmani.

BDI dhe partnerët e saj paraqiten të bashkuar përmes Aleancës Kombëtare për Integrim, bashkimi më i madh politik shqiptar në 20 vitet e fundit. Ky koalicion, sipas Osmanit, e përfaqëson vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve në vend:

“Ne kemi një aleancë, Aleancën Kombëtare për Integrim, bashkimi më i madh në 20 vitet e fundit. Partitë më të mëdha politike, të cilat vetëm në zgjedhjet e fundit së bashku morën rreth 80-90% të trupit elektoral shqiptar. Dhe kjo nuk ndodhi rastësisht, kjo është bërë sepse njerëzit kuptuan se zgjedhjet e ardhshme të 19 tetorit janë referendum,” tha Osmani.

Në fokus të këtyre zgjedhjeve, sipas Osmanit, nuk është vetëm zgjedhja e individëve por përplasja mes dy koncepteve – dinjiteti i shqiptarëve kundrejt nënshtrimit të tyre.

“19 tetori është 13 gushti i dytë, ku njerëzit do të vendosin mes dy koncepteve, jo vetëm mes individëve: a do të vazhdojmë të jemi zotër në shtëpinë tonë apo do të jemi shërbëtorë, të cilëve u diktohen politikat nga të tjerët,” tha ai.

Ai tha se votuesit e VMRO-DPMNE-së nuk do të mbështesin kandidatët e VLEN-it, duke thënë se kjo e ofendon pjekurinë politike të qytetarëve, veçanërisht të votuesve maqedonas.

“Më vjen keq që flitet në çdo tryezë nga oponentët politikë: ‘mos u shqetësoni, ne nga VMRO do të jemi përkrahja’. Së pari, kjo nuk është politikë që i bën ata dinjitozë. Unë çdo ditë jam në komunikim me qytetarët maqedonas, sepse shkoj derë më derë. Dhe ata kërkojnë zgjidhje pikërisht për këto tema për të cilat fola sot – papastërtinë, ndërtimet pa leje dhe korrupsionin. Ata thonë se dora e tyre kurrë nuk do të votojë për njerëzit që e shkatërruan komunën,” tha Osmani.

Në fund, Osmani paralajmëroi se BDI do të mbetet në rrugën e një fushate pozitive dhe programore:

“Ne do të vazhdojmë sërish të ofrojmë zgjidhje, do të vazhdojmë fushatën ta udhëheqim si garë idesh, jo si akuza dhe shpifje të pavërteta. Qytetarët do të vendosin dhe do të vlerësojnë kush si ka punuar dhe kujt i besojnë më shumë.”

Continue Reading

Lajme

Deputetja Rina Ajdari: As VMRO, as Levica e as “bota serbe” nuk vendosin kush i përfaqëson shqiptarët

Published

on

By

VLEN nuk është parti e pavarur politike, është instrument në shërbim të VMRO-së. Kështu ka akuzuar dje Rina Ajdari, deputete e BDI-së, ndërsa ka thënë se arsyeja pse VMRO nuk nxjerr kandidatë në komunat me shumicë shqiptare është e qartë – sepse kandidatët e saj tashmë garojnë nën logon e VLEN-it.

“Ata nuk kanë asnjë legjitimitet shqiptar, janë vetëm emisarë të një politike antishqiptare, e cila ka ndërruar kostumin, por jo qëllimin: të kthejë shqiptarët në periudhën para vitit 2001. Nuk është rastësi që kjo qeveri, në vetëm pak më shumë se një vit e solli në zero punësimin e shqiptarëve në administratën shtetërore, inicoi shfuqizimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, hapi idenë e heqjes së votimit me Badinter, si dhe solli ‘botën serbe’ me uniforma ushtarake në mes të Shkupit”, tha deputetja Ajdari.

VMRO-ja, sipas saj, për çdo politikë të saj në dëm të multietnicitetit, sot përdor VLEN-in si fasadë. “Nuk ka më asnjë dyshim: në çdo komunë ku del kandidat i VLEN-it, është VMRO-ja që fshihet pas tij. E njëjta gjë vlen edhe për Levicën – një parti që shpesh ka treguar qëndrime më radikale se vetë VMRO. Ky bashkëpunim nuk është vetëm taktikë zgjedhore, por strategji e përbashkët për të kontrolluar shqiptarët dhe për të penguar avancimin tonë politik e kombëtar. Sot po shohim përpjekje për të relativizuar edhe historinë e lavdishme të vitit 2001 – periudhën e kthesës historike për popullin shqiptar në këtë vend”.

Këto politika, ka vijuar më tej ajo, i ngjajnë politikave të fundviteve 80’, ku sistemi i atëhershëm promovonte të drejta për të gjithë përmes përfaqësuesve “të ndershëm” pa legjitimitet, e në veçanti për shqiptarët.

“Epilogun të gjithë e dimë se çfarë ndodhi. Prandaj pyetja është e qartë: A mendoni se do ti manipuloni shqiptarët që të votojnë ata që përfaqësojnë VMRO-në dhe ‘botën serbe’? Ne jemi të qartë: shqiptarët nuk i nënshtrohen padronëve të VMRO-së. Shqiptarët kanë votën e tyre, kanë dinjitetin e tyre dhe e kanë dëshmuar se nuk shiten. Kjo qeveri monoetnike, bashkë me fasadën e tyre elektorale të quajtur VLEN, në thelb ndan një qëllim: të bllokojë avancimin e shqiptarëve, të relativizojë sakrificat tona dhe të bëjë kthim pas në të drejtat tona. Ndaj është e domosdoshme që shqiptarët të jenë të bashkuar, të qartë dhe të vendosur”, tha Ajdari, sipas të cilës, vota shqiptare është e lirë, sovrane dhe vendimtare.

“As VMRO, as Levica, as ‘bota serbe’ nuk vendosin kush i përfaqëson shqiptarët. Vetëm qytetari shqiptar me votën e tij të lirë! Dhe këtë shqiptarët do ta dëshmojnë fuqishëm më 19 tetor”, përfundoi deputetja Ajdari.

Continue Reading

TOP Lajme