Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, sot drejtoi kritika të ashpra ndaj ministrit aktual të Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, duke e akuzuar se jo vetëm që i përdor burimet shtetërore për fushatën e tij, por edhe drejtpërdrejt rrezikon shëndetin e qytetarëve me mosveprimin e tij. Ai tha se sot herët në mëngjes ka qenë në Trubarevë, jo si politikan, por para së gjithash si mjek.
“Nuk isha atje si kandidat, por si njeri që gjithë jetën ia ka kushtuar shëndetit. Ajo që ndodhi dje nuk është vetëm katastrofë ekologjike, por një alarm i vërtetë shëndetësor. Në ajër kishte tym nga djegia e kabllove, baterive, plastikës – dhe e gjithë kjo shkon drejtpërdrejt në mushkëritë e fëmijëve, të moshuarve dhe pacientëve kronikë”, tha Osmani si përgjigje në pyetjen e gazetarëve për incidentin në Trubarevë.
“Nuk dua ta shfrytëzoj këtë tragjedi për pikë politike. Por duhet të flasim qartë: ky është moment kur qytetarët duhet të mbrohen, ndërsa institucionet duhet të reagojnë. U bëra apel të gjithë qytetarëve – jo vetëm nga Trubareva, por edhe nga Çairi, Shkupi – të dalin sa më pak, t’i mbajnë dritaret të mbyllura dhe grupet e ndjeshme të mbajnë maska mbrojtëse”, tha Osmani.
Ai theksoi se kjo nuk është çështje partiake dhe nëse institucionet nuk veprojnë, atëherë qytetarët kanë detyrë të vetë-organizohen dhe të mbrohen.
“Dy herë mendova nëse sot duhet të flas politikisht. Por nuk mund të mos e them: para së gjithash, mendoj se ai duhej të jepte dorëheqje që ditën kur u kandidua, që gara të ishte e barabartë”, deklaroi Osmani.
Ai theksoi se Izet Mexhiti, në vend që të largohej nga posti kur hyri në garën zgjedhore, mbeti ministër me të gjithë kapacitetin dhe buxhetin në dispozicion – gjë që, sipas Osmanit, është thellësisht imorale dhe e padrejtë.
“Po kandidon me rrogën e ministrit dhe bën fushatë në Çair me burimet e ministrisë”, paralajmëroi Osmani.
Por Osmani shtoi se tani ekziston edhe një arsye më serioze për dorëheqje – paaftësia për t’u përballur me krizën ekologjike dhe shëndetësore që ndodhi dje në Trubarevë, kur i gjithë Shkupi u mbulua me tym toksik nga djegia e plastikës dhe kabllove.
“Me faktin që nuk po e kryen punën për të cilën paguhet nga qytetarët, dhe duke u përpjekur të mbijetojë politikisht, ai po rrezikon shëndetin e njerëzve – dhe kjo jo vetëm përkohësisht, por me pasoja afatgjata”, theksoi Osmani.
Në një situatë kur publiku me të drejtë priste reagim, udhëzime dhe informacione nga Ministria e Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti nuk u paraqit as para publikut, as në terren, ndërsa qytetarët e Trubarevës u detyruan të evakuohen vonë në mbrëmje dhe i gjithë qyteti po mbytej në tym helmues.
“Prandaj kjo është edhe një thirrje për dorëheqjen e tij”, përfundoi Osmani. “Ai tregoi se nuk po e kryen detyrën siç duhet, po rrezikon shëndetin e njerëzve dhe, për më tepër, ka keqpërdorur burimet shtetërore për fushatën zgjedhore”.